Skemat për fermerët, udhëzimi mbajti peng fondet, në 4 muaj zero disbursim

Vonesat në miratimin e udhëzimit “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2017” i 31 marsit 2017 duket se kanë mbajtur peng edhe fondet për fermerët. Në një dokument të Ministrisë së Bujqësisë bëhet me dije se nga programi “Zhvillimi rural duke mbështetur prodhimin bujqësor dhe blegtoral, agroindustrinë dhe marketingun” tek komponenti i numrit të fermerëve burra dhe gra përfitues të skemave çështja ka mbetur vetëm deri tek aplikimi.
Gjatë katërmujorit të parë të vitit 2017 janë përdorur 132 milionë lekë ose 8% e fondit të alokuar. Ky fond është përdorur për shpenzime mirëmbajtjeje të institucionit dhe si shpenzime për administratën në funksion të fushatës promovuese dhe kontrollit të dokumentacionit të aplikantëve. Ende nuk ka nisur disbursim fondesh në zërin “Transfertë në buxhetet familjare” për  shkak të vonesës në kohë të miratimit të udhëzimit” thuhet në dokumentin e ministrisë.
Sipas të dhënave zyrtare, fondi i parashikuar për këtë zë për vitin 2017 është 1.6 miliardë lekë dhe synon mes të tjerash investimet për rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe mbrojtjes së bimëve, prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura, mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës, furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet në zonat rurale dhe nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e përpunimit.

Artikulli paraprakCristiano Ronaldo, mes Realit e PSG
Artikulli tjetërPresion Aubamejang: Ke afat deri në korrik