Cristiano Ronaldo, mes Realit e PSG

Vetëm 24 orë pas lajmit për një pajtim mes Realit të Madridit dhe Cristiano Ronaldos nga e përditshmja madrilene “AS”, vjen përgjigjja e gazetës tjetër të kryeqytetit spanjoll “Marca”, që vazhdon të insistojë se vendimi i portugezit për të lënë Realin është i parevokueshëm. Gjithsesi të dyja gazetat bien dakord vetëm mbi faktin, se presidenti Florentino Perez dhe Ronaldo do të takohen sapo të përfundojë Kupa e Konfederatave ku futbollisti është i impenjuar aktualisht me Portugalinë. Sipas “AS” në takim do të jetë momenti i sqarimit mes palëve dhe vazhdimit të bashkëpunimit, ndërsa për “Marcën” do të jetë momenti në të cilin 4 herë fituesi i Topit të Artë do të bëjë të ditur vendimin për t’u larguar, duke i prezentuar Perez edhe një superofertë nga Paris Saint-Germain.
Parisienët janë gati t’i vënë Perez në pjatë për Ronaldon rreth 200 milionë euro, shumë që mund të kënaqë pretendimet e Realit që me një pjesë të këtyre të ardhurave do të financonte transferimin në Madrid të Mbappe. Mesa duket Florentino Perez synon të bëjë një tentativë të fundit për ta bindur Ronaldon që të ndryshojë mendje, por nëse gjendet përballë një qëndrimi të fortë nga ana portugezit në vendimin e tij për të lënë Realin do të jetë ai i detyruar ta lejojë të largohet. Tratativa veç të tjerash favorizohet edhe nga marrëdhëniet mjaft të mira mes presidentit të Realit dhe atij të PSG, Nasser al-Khelaifi.

Artikulli paraprakOscar pezullohet me 8 javë
Artikulli tjetërSkemat për fermerët, udhëzimi mbajti peng fondet, në 4 muaj zero disbursim