Skandal, ushqimet e skaduara në Tiranë dërgohen në rrethe

Konsumatorët shqiptarë gjithmonë e më shumë të pasigurtë për ushqimet që konsumojnë duket se janë ndërgjegjësuar më shumë për të denoncuar rastet e konstatuara të ushqimeve të skaduara. Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit zgjidhje për të garantuar sigurinë ushqimore është funksionimi i organeve kompetente, si dhe vetingu për të vendosur në detyrë ekspertë dhe jo militantë. Pavarësisht se para mbërritjes në tavolinat e konsumatorëve ushqimet kalojnë në një sërë hallkash duket se, ende këto të fundit nuk funksionojnë si duhet. Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Hasan Stafa ngre shqetësimin se produktet e skaduara tërhiqen nga tregu kryeqytetas për t’u dërguar në rrethe. “Skadon produkti në Tiranë, kapet në Tiranë dhe ai produkt në vend që të asgjësohet, por vendoset një etiketë tjetër dhe dërgohet në një zonë periferike”, thotë Stafa. Ai thotë se një numër i lartë denoncimesh janë referuar në instancat përkatëse. Stafa: Ne kemi rast që kemi çuar te ISUV analizat e produkteve të veçantë, po hetojmë fabrika që përpunojnë mishin dhe e kthejnë në nënprodukte, ashtu sikurse po shikojmë dhe kemi dyshimet tona për imitacione në etiketa. Sipas Stafës ashtu sikundër në politikë edhe në organet drejtuese të sigurisë ushqimore duhet veting për të larguar nga postet të papërgjegjshmit dhe për të vënë aty ekspertë. Stafa: Kërkohet një profesionalizëm, kërkohet një veting, pastrim i strukturave të administratës shtetërore nga militantët dhe të kthehen në punë profesionistët. Produktet dhe nënproduktet e mishit dhe ato me origjinë shtazore rezultojnë të jenë ndër më të shumtat të konstatuara në tregje jashtë datës së skadencës apo jashtë kushteve të tregtimit ndaj për këtë arsye 2 javët e fundit sipas të dhënave të mbrojtjes së konsumatorit këto produkte janë braktisur nga konsumatorët.

Artikulli paraprakTenderi i dyshimtë, Tahiri edhe 390 milionë lekë të tjera për mobilim zyre
Artikulli tjetërS’ka fitues në “Waldstadion”