Tenderi i dyshimtë, Tahiri edhe 390 milionë lekë të tjera për mobilim zyre

Pas tenderit 1 milion euro për moblimin e zyrave të godinës së re të Ministrisë së Brendshme, një tjetër tender është shpallur së fundmi, ku ofrohet një shifër prej 390 milionë lekësh me të njëjtin objekt prokurimi, mobilim i zyrave të ministrisë.  Një tender i shpallur në kohën kur Saimir Tahiri mbante postin e ministrit të Brendshëm synon të zhvasë një shumë të mirë parash nga buxheti i shtetit për mobilim zyrash në një kohë që pak kohë më parë, e njëjta ministri kishte shpallur një tjetër tender për mobilim zyrash që kapte vlerën e qindra milionëve lekëve, kjo pas rikonstruksionit të godinës së re. “Procedura e Prokurimit është ‘Procedurë e hapur’. Objekti: ‘Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash’. Fondi limit: 38 782 990 (tridhjetë e tetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH. Afati për lëvrimin e mallit: Brenda 45 ditëve nga momenti i lidhjes së kontratës. Hapja e ofertave do të bëhet në datën 20.04.2017, ora: 10:00. Afati i fundit për pranimin e dokumenteve në datën 20.04.2017, ora: 10:00”, thuhet në Buletinin e Prokurimeve Publike. Janë plot 390 milionë lekë të shpallura nga Ministria e Brendshme për tavolina e karrige, të cilat sipas tenderit të shpallur më parë duhet të ishin blerë ndërkohë. Në marsin e vitit të kaluar, Ministria e Brendshme shpalli një tender për mobilimin e të gjitha zyrave pas rikonstruksionit të plotë të godinës së ministrisë. Shifra e tenderit ishte 1 milion euro ose 1.3 miliardë lekë. Ajo çka e bën këtë tender dyshues është pikërisht fakti se vjet, në këtë kohë, ministria shpalli një tender me po të njëjtin objekt. Ja çfarë shkruhej në shpalljen e tenderit 1 milion euro për mobilimin e zyrave të Ministrisë së Brendshme. “Godina e Ministrisë së Brendshme, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë prej më shumë se një viti. Ajo ishte e amortizuar pjesërisht, teksa kishte lagështirë të plotë në bodrum. Gjatë kësaj kohe, Ministria e Brendshme është zhvendosur përkohësisht në godinën e Gardës së Republikës, nga krahu i digës së Liqenit Artificial. Edhe për rregullimin e këtyre ambienteve, ministria ka bërë disa tenderë. Rregullimi i plotë i Ministrisë së Brendshme do t’u kushtojë arkave të shtetit disa miliona USD. Vetëm për mobilimin e zyrave, tenderi është më shumë se 1 milion USD, ndërsa kjo kosto është shumë herë më e lartë për rregullimin e plotë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Por sikur të mos mjaftonte kjo shifër, Ministria ka shpallur sërish një tender për mobilim zyrash me një shifër të konsiderueshme parash. Ky tender vjen në serinë e vjedhjes së parave publike përmes mënyrës më të shpejtë që tashmë po zbatojnë të gjitha institucionet e veçanërisht ministritë. Pas denoncimit të publikuar në gazetë vetëm pak ditë më parë për dy tendera me shifra marramendëse të shpallura nga Ministria e Mjedisit ku vihen në dispozicion 1 milion euro për një studim dhe 1.5 milionë euro për një projekt absurd që konsiston në dixhitalizimin e pemëve, të tjera tendera dalin në sipërfaqe me objekte nga më të çuditshmet, qëllimi i të cilave është vetëm zhvatja e parave të buxhetit të shtetit dhe vënia e tyre në përdorim të fushatës zgjedhore. Ndërkohë një zhvatje e madhe parash është përgatitur në një dorë të vetme përmes një tenderi që Ministria e Brendshme pak javë më parë ka shpallur për blerje karburanti me një shifër marramendëse prej 44 miliardë lekësh. Kjo shifër kaq e madhe parash është e pazakontë krahasuar me gjithë tenderat e tjerë që janë shpallur për të njëjtin zë “blerjen e karburantit”.

A.Shahini

Artikulli paraprakVeliaj, 25 milionë lekë për karrige me qira
Artikulli tjetërSkandal, ushqimet e skaduara në Tiranë dërgohen në rrethe