Shtyhet vendimi për Velierën, ekspertët: Projekti fillestar cenon trashëgiminë

Tre ekspertë të pavarur, arkeologë të angazhuar nga Prokuroria prezantuan para Gjykatës Administrative të Durrësit raportin e shumëpritur për projektin Veliera. Përpara trupit gjykues, dhe në prani të përfaqësuesve të Shoqërisë Civile, ekspertët që kanë në dorë fatin e Velierës, thanë se projekti fillestar e cenon trashëgiminë kulturore të Durrësit. Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile e ndoqën për dy orë prezantimin, por në fund kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me ekspertizën dhe më pas do të paraqesin qëndrimet. Në këto kushte, vendimi u shty për të 9 herë radhazi dhe seanca e radhës u caktua më datë 9 janar. Punimet për projektin tashmë të famshëm që ka gjetur mbështetës, por edhe kundërshtarë nisën rreth 13 muaj më parë në lulishen para Drejtorisë së Portit dhe Torrës Veneciane. Reagimet kundër u finalizuan me një padi të Shoqërisë Civile, pasi punimet nxorrën në dritë objekte arkeologjike. Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rozë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

 

Artikulli paraprak59 minuta me Lulzim Bashën
Artikulli tjetërMasakra mjedisore me Mbetjet Urbane në Zall-Herr