Masakra mjedisore me Mbetjet Urbane në Zall-Herr

Mbetjet urbane kanë pushtuar lumin Tërkuzë në Njësinë Administrative Zall-Herr të Bashkisë Tiranë. Kjo njësi ndodhet vetëm pak kilometra larg kryeqytetit dhe përbehët nga 11 fshatra. Aktualisht në Zall-Herr ka vetëm 10 konteinerë mbeturiansh për rreth 12 mijë banorë. Duke marrë parasysh sipërfaqen e madhe të kësaj njësie, këto konteinerë janë të pamjaftueshëm. “Para dy vitesh u hodhën mbetje farmaceutike që ishin një problem, tani po buzë lumit Tërkuzë hedhin mbetje urbane që është bërë një shqetësim për ne. Shqetësimi i dytë është mospastrimi i plehrave nga ana e Bashkisë. Zall-Herri është si aneks i Bashkisë së madhe me ndarjen e re territoriale. E them me bindje të plotë që s’kanë asnjë farë interesimi, asgjë”, tregon Bashkim Meta, pronari i një biznesi të vogël në qendër të Zall-Herrit. Një problem tjetër është fakti se që prej datës 31 mars 2016, kësaj njësie i ka mbaruar dhe kontrata me kompaninë që sillte kamionët për pastrimin e mbetjeve në konteiner. Pavarësisht kërkesave dhe ankesave të banorëve të kësaj zone dhe të Njësisë Administrative, Bashkia Tiranë ende s’ka gjetur zgjidhje dhe këtë e konfirmojnë për Citizens Channel edhe banorët. Ndaj banorët, por edhe bizneset, të cilat operojnë në këtë zonë, kanë gjetur një zgjidhje aspak të këndshme, hedhjen buzë lumit Tërkuzë të mbeturinave. “Shqetësues është po çfarë të them unë. Kosha s’kemi dhe jemi të detyruar t’i hedhim diku. Disa i hedhin, disa i djegin materialet që janë kartona”, dëshmon Afrim Neziri, banor i kësaj zone. “Shumë keq është bërë vendi, por s’kemi çfarë të bëjmë. Fshati vetë i hedh, por s’ka kosha”, thotë për Citizens Channel, Sulltane Vogli. “Një pjesë e mbetjeve që gjenden sot përgjatë lumit Tërkuzë vijnë nga jashtë me kamion dhe thjesht derdhen aty”, na thotë Xhavit Xhepa përgjegjës i sektorit të shërbimeve pranë Njësisë Administrative Zall-Herr. Por megjithatë, ai nuk përjashton edhe mundësinë që banorët e shikojnë si një zgjidhje të lehtë, hedhjen e tyre në lum, sepse s’ka konteiner. Sipas Xhepës, Njësia Administrative e Zall-Herrit, i ka drejtuar kërkesë Bashkisë së Tiranës gjithashtu edhe për shtimin e numrit të konteinerëve, sepse janë të pamjaftueshëm për një siperfaqe kaq të madhe. “Nuk i kemi kushtuar shumë rëndësi shkresave dhe anës burokratike, por jemi përpjekur që me mundësitë që kemi dhe me bashkëpunimin me drejtoritë përkatëse të ndërhyjmë vetë për të bërë diçka, për pastrimin e tyre. Ne jemi informuar gjithashtu nga Bashkia e Tiranës se, në janar do të vijnë konteinerët”, rrëfen Xhepa. Rritja e numrit të konteinerëve dhe shpërndarja e tyre në të gjithë territorin e Njësisë Administrative është një emergjencë që ka 3 vite që është lënë pa u zgjidhur. “Vijnë për vota, na marrin votat e na japin një birrë atje dhe mbetjet urbane për faqe të zezë. Komunës ia vëmë fajin, por edhe tani që e mori Bashkia njësoj është, më fshat i humbur që jemi, s’ka ku të shkojë”, shprehet i revoltuar Gentian Taga. Megjithatë Njësia Administrative duket se ka bërë maksimumin brenda kompetencave të pakta që zotëron tanimë. “Mbetjet urbane kanë qenë një nga prioritetet e punës sonë, kështu që ne vazhdimisht me mundësitë që ka njësia, kemi ndërhyrë për pastrimin e mbetjeve. Megjithatë duhet pranuar, që ka vend për përmirësim, por me informacionet që kemi marrë nga Bashkia e Tiranës shpresojmë që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt, që më në fund edhe Zall Herri të integrohet brenda bashkisë së madhe”, deklaron Xhepa për Citizens Channel. Megjithatë pavarësisht zhgënjimeve të vazhdueshme për një sërë premtimesh të pambajtura, si në infrastrukturë, punësim dhe kanale vaditëse, shqëtësimi i mbetjeve është një plagë që njihet mirë në periferinë e Tiranës. “Këtu është faji i gjithkujt. Ne nuk kemi një pikë grumbullimi që t’i hedhin të gjithë në një vend dhe të vijnë ata e t’i mbledhin. Do t’i kërkoja Bashkisë Tiranë që të paktën të pajiste çdo fshat me dy kosha”, vijon Isuf Baqoshi. Lumi Tërkuzë është ai që vuan pasojat e dorës njerëzore, megjithëse banorët e përdorin për vaditjen e tokave bujqësore dhe ka derdhje në Ishëm. Zall-Herri ka pasur edhe precedentë të tjerë vitet e kaluara, në 2013 dhe në 2015, dy herë radhazi, kjo njësi u bë pjesë e skandalit të mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, ku tonelata të tëra u hodhen në Lumin Tërkuz, duke kontaminuar edhe produktet bujqësore.

Artikulli paraprakShtyhet vendimi për Velierën, ekspertët: Projekti fillestar cenon trashëgiminë
Artikulli tjetërVasili: Vota në OKB, gabim historik