Shtëpia e Bardhë përgënjeshtron “Washington Post”

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një artikull të gazetës “Washington Post” që thotë se Presidenti Trump hartoi personalisht deklaratën, duke pretenduar se takimi mes djalit të tij, Donald Junior, zyrtarëve të fushatës së tij presidenciale dhe një grup rusësh nuk kishte lidhje me fushatën presidenciale republikane.
Shtëpia e Bardhë tha se, Presidenti Donald Trump mori pjesë në hartimin e deklaratës së publikuar në emër të djalit të tij muajin e kaluar, rreth një takimi të Donald Trump Jr., dhe zyrtarëve të tjerë të fushatës presidenciale me një avokate ruse. Megjithatë, zëdhënësja e zotit Trump tha se Presidenti nuk diktoi përmbajtjen e deklaratës, e cila brenda disa ditësh doli të ishte e pasaktë.
“Ai sigurisht që nuk diktoi deklaratën. Siç e thashë ai ofroi sugjerime siç do të bënte çdo prind”.
Donald Trump Junior më pas publikoi një seri e-mail-esh që tregonin se këshilltarë të Presidentit Trump në të vërtetë u takuan me një grup rusësh rreth mundësisë për të siguruar informacione negative ndaj kundërshtares së zotit Trump, demokrates Hillary Clinton.
Një ndërmjetës për avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya kishte premtuar të dorëzonte informacione që dëmtonin zonjën Clinton gjatë takimit në Nju Jork ku merrte pjesë Paul Manafort, menaxheri i përgjithshëm i fushatës së zotit Trump në atë kohë dhe Jared Kushner, dhëndri i zotit Trump dhe këshilltari i tij i afërt.
Dy komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm po hetojnë nëse ekipi i zotit Trump bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Artikulli paraprakTrump kërkon largimin e komandantit të ushtrisë
Artikulli tjetërTrump: Sanksionet e reja dëmtojnë aleatët europianë