Trump: Sanksionet e reja dëmtojnë aleatët europianë

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një ligj me sanksione ndaj Rusisë, të cilin ai e cilësoi “me shumë të meta” dhe me “disa klauzola jokushtetuese”.
Ligji ndëshkon me sanksione Moskën, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, si dhe Iranin dhe Korenë e Veriut. Ligji po ashtu kufizon autoritetin e Presidentit për heqjen e këtyre sanksioneve.
“Përmes kufizimit të autoritetit të Presidentit, ky ligj ua vështirëson Shteteve të Bashkuara që të arrijnë marrëveshje të mira për popullin amerikan dhe do t’i afrojë me njëri-tjetrin vende si Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut”, thoshte Trump në disa deklarata që i bëri të njohura të mërkurën Shtëpia e Bardhë.
“Megjithë problemet që ka, unë po e nënshkruaj ligjin për hir të unitetit kombëtar”, shtoi Presidenti. “Që kur u paraqit ligji në fillim, unë i shpreha shqetësimet e mia Kongresit lidhur me të, sepse ligji ndërhyn tek autoriteti i Presidentit, krijon një situatë të pafavorshme për kompanitë amerikane dhe dëmton interesat e aleatëve tanë europianë”.
Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë u miratua thuajse unanimisht në të dyja dhomat e Kongresit.
Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ligjvënësit republikanë “nuk duhet ta lejojnë Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit të shmangë detyrat e saj për vendosjen e sanksioneve për sulmin e pacipë të Rusisë ndaj demokracisë sonë”.
Senatori republikan, Lindsey Graham, i tha “CNN”-it, se nëshkrimi i ligjit në qetësi dhe pa praninë e zakonshme të gazetarëve dhe kamerave, “përforcon idenë se administrata e zotit Trump nuk e ka seriozisht me masat ndaj Rusisë. Unë mendoj se ky është një gabim, sepse Putini ka për ta parë këtë si shenjë dobësie”, tha zoti Graham.

Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë
Masat ndëshkimore ndaj Moskës merren për shkak të ndërhyrjes ruse ndaj zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Fillimisht, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër ligjit të sanksioneve, pasi ai përmbante një klauzolë që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të Presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë.
Ligji i ri i sanksioneve vendos kufizime të reja ndaj kompanive amerikane që punojnë me kompani ruse të naftës dhe të gazit. Sanksionet u shtohen atyre të vendosura nga Presidenti Barack Obama për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, përfshirë mbylljen e dy komplekseve në Shtetet e Bashkuara, që përdoreshin nga diplomatë rusë dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë.
Të dyja dhomat e Kongresit votuan me shumicë dërrmuese për miratimin e ligjit të sanksioneve, duke e bërë të pavlefshme veton e Presidentit, nëse ai nuk do ta nënshkruante ligjin.
Moska reagoi lidhur me ligjin e ri të sanksioneve, para se atë ta nëshkruante Presidenti Trump.
Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi.
Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë.
Nënshkrimi i ligjit të sanksioneve nga Presidenti Trump vjen ndërsa nënpresidenti Mike Pence u tha udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është “në Perëndim”, duke e cilësuar Rusinë “një vend të papredikueshëm”, që përpiqet për destabilizimin e rajonit.
Duke folur në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, zoti Pence tha se, “Rusia po i vazhdon përpjekjet për ndërrimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, ajo ka punuar për destabilizimin e rajonit, për të minuar demokracitë tuaja dhe për t’iu përçarë me njëri-tjetrin dhe me pjesën tjetër të Europës”.
Nënpresidenti Pence është zyrtari më i lartë amerikan që vizion Malin e Zi në 100 vjet. Ky vend u bë anëtar i NATO-s në qershor të këtij viti dhe Rusia është përpjekur të mos e lejojë atë t’i bashkohet Aleancës ushtarake.
“Ne kemi besimin se Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet Perëndimit”, tha zoti Pence.

Artikulli paraprakShtëpia e Bardhë përgënjeshtron “Washington Post”
Artikulli tjetërKoalicioni qeveritar në Maqedoni në rrezik prej gjuhës shqipe?!