Shqiptari kapet në portin e Ankonës me 91 kg drogë

Punonjësit e Policisë Financiare kanë sekuestruar dje 90 kg marijuanë në portin e Ankonës. Mediat italiane raportojnë se droga ishte fshehur në bordin e një kamioni që kishte zbarkuar në Itali, ndërsa lënda narkotike vinte nga Shqipëria. Ndërkohë, në pranga ra drejtuesi i kamionit që transportonte rroba, një shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Mësohet se droga ishte fshehur në rimorkio, në 4 çanta, ndërsa ishte ndarë në 94 pako, e sipër tyre ishin vendosur rroba, të cilat kishin destinacion pjesën veriore të Italisë.
Ndërkohë, policia italiane ka arrestuar dje tre shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik droge. “Ansa.it’ shkruan se shqiptarët, të moshave 34 dhe 37 vjeç konsideroheshin si “njerëzit e fortë” të drogës në zonën e Ternit.
Të njëjtat burime theksojnë se, ndonëse ata ishin dëbuar nga Italia, ata ishin rikthyer sërish në këtë zonë, ku jetonin në një shtëpi-fermë, mes Ternit dhe Spoleto-s. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, atyre trafikantëve iu gjetën 20 gram kokainë, e më pas pranë një stalle derrash u gjetën edhe 60 gr të tjera kokainë.
Po ashtu, mësohet se një prej të arrestuarve ishte përfshirë më herët në një përplasje me armë në qendër të Ternit, pas konflikteve për kontrollin e shitjes së kokainës.

Artikulli paraprakDënimi i Sajmirit
Artikulli tjetërSkandal me uniformat, policët 20 mijë lekë për t’i rregulluar