Shqipëria rrezikohet të përfshihet nga kriza e thellë energjetike

Thatësira e tejzgjatur e këtij viti dhe vijimi i saj edhe për vitin që vjen është vlerësuar rreziku më i madh që kërcënon stabilitetin fiskal dhe ekonomik të vendit për vitin 2018 sipas vlerësimit të Ministrisë së Financave. Qeveria ka relatuar për Kuvendin se, situata hidrike problematike e vitit 2017 ka kushtëzuar rënien e prodhimit të energjisë në vend, nuk mund t’i sigurojë OSHEE sh.a sasinë e nevojshme të energjisë, duke e detyruar këtë të fundit që t’i drejtohet importit të energjisë me çmimin e tregut, logjikisht më i shtrenjtë se sa ai i prodhimit vendas. Për pasojë, brishtësia e sektorit të Energjisë nga situata meteorologjike në vend, përbën faktorin kryesor të riskut. Qeveria sqaron se në rastet e një situate ndjeshëm negative, ky vulnerabilitet efektiv shkakton një efekt domino në të gjithë operatorët e sektorit, me një ndikim të ndjeshëm në situatën financiare të secilës prej kompanive, duke vënë kësisoj në pikëpyetje ecurinë e masave të ndërmarra në kuadër të reformës për rimëkëmbjen energjetike.
Situata e pafavorshme financiare e OSHEE sh.a gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, kushtëzuar nga kushtet e vështira klimaterike të thatësirës së tejzgjatur, mund të rishfaqet gjatë vitit 2018, shprehet Ministria e Financave. Për rrjedhojë, pozicioni i pafavorshëm financiar i OSHEE sh.a ndikon edhe në situatën e kompanive të tjera të sektorit, sidomos të KESH sh.a, përmes pamundësisë së arkëtimit të detyrimeve të kësaj të fundit nga OSHEE sh.a. Përvoja ka treguar se, mungesa e prodhimit vendas të energjisë ka prodhuar rreziqe fiskale që në fund kanë kontribuar në rritjen e përgjithshme të borxhit publik dhe janë bërë shkak për futjen në kaos detyrimesh të të gjithë sistemit energjetik. Kriza e prodhimit të energjisë ka një efekt kaskadë që në finale e ngadalëson ekonominë. Fillimisht, deficiti tregtar i vendit do të thellohet edhe më shumë nga dalja jashtë e vendit e një sasie jo të zakonshme valute për importet. Ndërsa institucionet që merren me monitorimin e zhvillimeve ekonomike kanë nisur të japin sinjalet për efektet negative të energjisë. Rritja ekonomike në aspektin e krizës energjetike ngadalësohet nga fluksi më i pakët i investimeve publike, të cilat sipas ekspertëve, janë një indikator i rëndësishëm në faktorët e rritjes. Shkurtimi i planit të investimeve nga OSHEE dhe rialokimi i fondeve kontigjencë në buxhet përkthehet në më pak punë për bizneset, të cilat tre vitet e fundit i kanë pasur një burim të madh financimi fondet e OSHEE-së me të cilat janë organizuar qindra tenderë për rikonstruksionin e linjave dhe nënstacioneve në të gjithë vendin.

Artikulli paraprakBetim para Azem Hajdarit!
Artikulli tjetër8 koncesionet e reja të Ramës me vlerë 157 miliardë lekë në 2018