Betim para Azem Hajdarit!

Përurimi i memorialit të Azemit në vendlindjen e tij kishte një simbolikë të fortë politike. Një betim tek simboli i përmbysjes së diktaturës komuniste për të përmbysur sot diktaturën e krimit. Kanë kaluar 27 vite nga dhjetori ’90 dhe vendin e shpresë së madhe e ka zëvendësuar zhgënjimi i madh ku vendi qeveriset në koalicion me klanet ordineve të mafias së drogës.
Opozita është shpresa njësoj si atëhere dhe vendimet nuk do të jenë të lehta.
Kryetari i PD, Basha dhe ish-Kryeministri Berisha shprehën para shtatores së Azem Hajdarit se me të njëjtën forcë që tribuni i lirisë dhe demokracisë ngriti gjithë rininë shqiptare e më pas gjithë shqiptarët kundër regjimit, PD do të vijojë deri në fund betejën për t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve. Basha paralelizoi idealet e Azem Hajdarit si frymëzim për Partinë Demokratike, e cila sot në gjurmët e idealeve të tij në çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e klikës në pushtet. “Ata që ngrihen dhe përballen për kombin, lirinë dhe dinjitetin e bashkëqytetarëve të tyre, mbeten të pavdekshëm në altarin e lirisë dhe frymëzim për brezat. I tillë është Azem Hajdari. Sot në këto ditë të erreta ku krimi është bërë njësh me qeverinë, Azem Hajdari është frymëzim për çdo shqiptar, për çdo të ri, për t’u ngritur dhe përballur me të keqen, për të luftuar dhe fituar për një Shqipëri të drejtë, të ndershme e të begatë”, tha Basha.
Tropoja u ngrit në këmbë dje, për të pritur djalin e saj, tribunin që ajo rriti në trojet e saj. Azem Hajdari u përjetësua dje në vendlindjen e tij. Një shtatore madhështore 5 metra e lartë, e punuar me mjeshtëri nga skulptori i njohur Isa Baliaj nga sot lartëson imazhin e Azem Hajdarit në siluetën e pamjen e tij të vendosur drejt betejës për të ndërtuar Shqipërinë e shqiptarëve, Shqipërinë si gjithë Europa. Një zotim, të cilin dje para tij e shprehu vendosmërisht kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Berisha, vajza e tij Rudina Hajdari, e gjithë përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Dje, demokratët u bashkuan në Tropojë për të përuruar shtatoren madhështore të Azem Hajdarit. Shtatorja është e vendosur në sheshin kryesor të qytetit në një sipërfaqe prej 7 mijë metra katrorë. Në ceremoninë e përurimit të shtatores, ishin të pranishëm kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-lideri historik Sali Berisha, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deputetë demokratë, pesonalitete dhe të afërm të familjes Hajdari.
Shqipëria e krimit, e drogës, korrupsionit dhe mjerimit, thërret Azem Hajdarin dhe forcën e qëndresës së tij për të mposhtur edhe njëherë ashtu si 27 vite më parë regjimin famëkeq hoxhist. Një tjetër regjim është instaluar në vend, njëlloj i rrezikshëm dhe nënshtrues si ai hoxhist. Krimi i organizuar ka marrë frenat e shtetit dhe drejton çdo sektor në vend, duke shkelur njerëzit e thjeshtë, duke i lënë pa bukë, pa punë e pa nder, e duke i larguar masivisht jashtë kufijve të vendit. Sot, shqiptarët janë në luftë për mbijetesë, ndërsa pushteti majmet me paratë e drogës dhe krimit, duke shkatërruar çdo aset publik.
Në fjalën e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha se duke i prirë betejës së madhe dhe heroike për lirinë e të gjithëve, Azemi Hajdari ka fituar përjetësinë. “Demokratët janë dhe do të jenë përherë mirënjohës dhe krenarë me prijësin e tyre të orëve të para, me tribunin e tyre të pavdekshëm. Si heroi i demokracisë Azemi i përket gjithë Shqipërisë, i përket gjithë kombit. Sa më shumë shkon koha, Azem Hajdari fiton përmasat e një figure politike të papërsëritshme, që afron, që bashkon, që frymëzon me shembullin dhe veprën e tij. Shqiptarët i detyrohen shumë me mirënjohje dhe nderim për gjithçka bëri e dha për lirinë e të gjithëve ne. Duke i prirë betejës së madhe fisnike dhe heroike për lirinë e të gjithëve, Azemi fitoi përjetësinë. Ky është fati i luftëtarëve të lirisë. Kjo përmendore që ngrihet sot në nderim të tij është vetëm njëra prej përmendoreve në mbarë vendin, në mbarë kombin”, tha Basha. Kreu i opozitës Lulzim Basha, e ka cilësuar figurën e Azem Hajdarit, si frymëzim për çdo shqiptar dhe shqiptare për t’i bërë ballë dhe për t’i thënë stop të keqes që ka kapur vendin. Pas përurimit të shtatores së Azem Hadarit në Bajram Curri, kreu i PD-së, Basha ka shkruar në Facebook, se Tribuni i Demokracisë, vijon të jetë pikë frymëzimi për shqiptarët për të luftuar çdo të keqe.
Rudina Hajdari e prekur, por dhe e vendosur njëkohësisht foli për të njëjtin zotim që ajo bashkë me Partinë Demokratike do të çojnë përpara në realizimin e ëndrrës së Azem Hajdarit për Shqipërinë e shqiptarëve dhe Shqipërinë europiane.
“Ky bashkim idealesh dhe perspektive europiane na bën më të fortë dhe roli ynë në rajon do të jetë gjithnjë e më i madh! E frymëzuar nga idealet demokratike për të cilat luftoi dhe ja përkushtoi jetën Azem Hajdari dhe e mbështetur nga të gjithë shqiptarët e mi që më zgjodhën deputete për t’u ulur në karrigen ku ishte ulur babai im, zotohem se do të qëndroj gjithmonë në ballë të përpjekjeve për të mbrojtur dhe mbështetur interesin e kombit tim dhe shqiptarëve kudo”, tha Rudina Hajdari.
Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, tha se duhet të luftojnë për të bërë realitet ëndrrën e Azem Hajdarit për një Shqipëri europiane, në një situatë të vështirë ku sipas tij, tashmë ndodhet Shqipëria për shkak të krimit dhe drogës. “Ndaj dhe sot, ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën shqiptarët të mos marrin dot vendimet e tyre, bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe, për t’u ndarë nga çdo e keqe që nuk meritojmë, për të ecur të sigurtë drejt hapësirave europiane që ne meritojmë”, është shprehur Berisha.
Nga ana e saj, kryetarja e LSI Kryemadhi vlerësoi se, Azem Hajdari nuk u tremb kurrë nga pengesat dhe nuk hoqi kurrë dorë nga betejat. “Rruga drejt demokracisë ka pengesat e veta dhe Azemi ishte një nga ata që i kapërcente ato. Herë me lehtësi, herë me vështirësi. Por ai nuk u tremb kurrë nga pengesat”, u shpreh ajo.

A.Shahini

Artikulli paraprakAfera ruse e uraniumit që prek Obamën dhe Hillarin
Artikulli tjetërShqipëria rrezikohet të përfshihet nga kriza e thellë energjetike