8 koncesionet e reja të Ramës me vlerë 157 miliardë lekë në 2018

Një grusht i fuqishëm koncesionesh pritet të jepen nga qeveria në nisje të vitit 2018. Janë plot 8 koncesione shifrat e tyre secila kapin qindra miliona euro. Këto konçesione kanë një destinacion të vetëm ashtu si edhe të mëparshmet që janë dhënë nga Rama në katër vitet që shkuan, të pasurojnë xhepat e tij dhe të klientëve të tij.
Qeveria ka deklaruar se do të shtrijë më tej politikën e partneritetit publik-privat. E në fakt në buxhetin e vitit 2018 janë parashikuar 8 kontrata të reja, nga të cilat 1 në sektorin e arsimit, 1 në sektorin e shëndetësisë dhe 6 në sektorin e transporteve. Në total, për vitin 2018 parashikohet të lidhen kontrata PPP në vlerë rreth 156,7 miliardë lekë, raporton portal ekonomik Scan. Këto kontrata do të jenë të shtrira në vite, çka bën që vlera e tyre të jetë e lartë.
Referuar tabelës shoqëruese të projektbuxhetit 2018, gjatë vitit 2018 në sektorin e arsimit është parashikuar kontrata për ndërtimin e shkollave në arsimin parauniversitar në Bashkinë e Tiranës me vlerë 6,440,000,000 lekë. Në sektorin e shëndetësisë, është parashikuar lidhja e kontratës për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Spitalit Rajonal të Fierit, me vlerë 9,598,120,000 lekë.
Në sektorin e transporteve është parashikuar lidhja e kontratave për Ndërtimin dhe Operimin e aksit Tiranë-Thumanë-Vorë me vlerë 34,307,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë 8,652,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Kashar-Rrogozhinë me vlerë 41,580,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Milot-Balldren me vlerë 14,280,000,000 lekë, për Ndërtimin dhe Operimin e Rrugës Orikum-Himarë me vlerë 17,808,000,000 lekë dhe Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës së Arbrit me vlerë 24,052,000,000 lekë.
Lista e Kontratave Koncesionare/PPP aktive ekzistuese është rreth 504,8 miliardë lekë. Në total, lista e kontratave ekzistuese dhe e kontratave të parashikuara për vitin 2018 arrin vlerën rreth 661,6 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave ka vendosur ndërkohë shfuqizimin e vendimit që pezullonte përkohësisht procedurat e prokurimit publik. Vendimi i datës 5 korrik 2017, kërkonte që të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre të mos hapnin më tendera apo koncesione publike deri në një njoftim të dytë.
Nga rregulli përjashtoheshin kontratat e nënshkruara para hyrjes në fuqi të vendimit, prokurimet për blerjet me vlerë të vogël. Ndërsa prokurimet me vlera të mëdha në raste të veçanta dhe për nevoja urgjente mund të nisnin procedurën vetëm me miratimin e Kryeministrit. Vendimi i atëhershëm u pa si një mjet për të kontrolluar shpenzimet dhe tenderimet abuzive në një moment tranzitor në krijimin e qeverisë së re, kur 7 portofole ministrore ishin nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe 4 nën drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Artikulli paraprakShqipëria rrezikohet të përfshihet nga kriza e thellë energjetike
Artikulli tjetërEkspertët-qeverisë: Goditje vdekjeprurëse mjekësisë