Shqipëria me pensionin më të ulët në rajon

Pensioni mesatar në vendin tonë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 86 euro. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 14,873 lekë më 2016, ndërsa në fshat ishte 8,556 lekë. Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë ose 86 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar edhe më tej këtë diferencë. Nivelin më të lartë të pensionit mesatar e ka Mali i Zi me 323 euro, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnja, me 178 euro, raporton “Monitor”. Edhe pse ekonomia e vendit është futur në një trend rritës me një ritëm më të lartë se rajoni dy vitet e fundit, mbrojtja e shtresave më vulnerabël lë shumë për të dëshiruar. Pensionistët shqiptarë shihet të jenë shumë të keqpaguar në raport me fqinjët tanë, por të marrim në konsideratë se skemat mbrojtëse ndaj tyre nuk funksionojnë si në rajon. Në këndvështrimin e integrimit në BE për sa i përket nivelit të jetesës për pensionistët, Shqipëria paraqitet shumë poshtë vendeve të rajonit, teksa ato të BE duken të pakapshme. Pensioni mesatar i një gjermani i kalon të 41 mijë eurot në vit, në Itali mbi 27 mijë euro, në Norvegji 58 mijë euro, në Poloni 11 mijë euro etj. Por perspektiva e pensionistëve shqiptarë duket shumë e zbehtë për shkak se, numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi, përkundrejt plakjes me ritme të shpejta. Reduktimi i forcës së punës do të vërë në vështirësi arkën e shtetit për të ardhurat e pensioneve dhe rritja e numrit të pensionistëve do të rrisë pagesat.

Dështimi me reformën e pensioneve
Reforma e pensioneve që qeveria ndërmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve. Tri vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë. Kjo e ka detyruar qeverinë që të rrisë subvencionin nga paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë skemën, edhe pse pensionet për të moshuarit thuajse nuk janë rritur fare prej gati tre vjetësh, por vetëm sa janë indeksuar. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në 6 vitet e fundit numri i pensionistëve në Shqipëri është rritur me 12.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po plaken dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi skemën e pensioneve. Sipas ISSH, vitin e kaluar shpenzimet totale të sigurimeve shoqërore arritën në 109 miliardë lekë. Të dhënat historike tregojnë se në vetëm 6 vjet fatura e pensioneve është rritur me mbi 43 për qind, një ritëm dukshëm më i lartë se sa ai i të ardhurave që shteti mbledh nga kontributet. Të dhënat tregojnë se, vitin e kaluar qeveria derdhi 29 miliardë lekë për të subvencionuar pensionet dhe krahasuar me fundin e 2014-ës subvencionet janë rritur me gati 0.65 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar. Por plakja e popullsisë nuk është problemi i vetëm. Skema e pensioneve dëmtohet edhe nga një fenomen tjetër, ai i pagave të ulëta, veçanërisht në sektorin privat. Ndonëse numri i kontribuesve është rritur vit pas viti, efekti tek të ardhurat e skemës ka qenë i ulët. Kjo pasi shumica e kontribuesve paguajnë sigurime mbi bazën e pagës minimale. Tre vjet më parë, qeveria miratoi një reformë tërësore të sistemit të pensioneve. Por reforma nuk i ka dhënë zgjidhje problemeve kryesore të skemës, që vuan papunësinë e lartë, informalitetin dhe pagat e ulëta. Tashmë skema ka edhe një kërcënim tjetër, plakjen e popullsisë.

Artikulli paraprakNjë revolucion i paparë, progresi
Artikulli tjetër2 tonë drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi