Një revolucion i paparë, progresi

Joel Mokyr

Cili është shpjegimi për përmirësimin marramendës të kushteve të jetesës që kemi asistuar në këto dy shekujt e fundit? Kur nis e arsyetohet lidhur me origjinën e rritjes ekonomike moderne, për ta thënë me fjalët e nobelistit për Ekonominë të vitit 1988 Robert Lucas, “bëhet e vështirë të mendohet për tjetër”. E nëse ky është mendimi i një eksperti botëror të cikleve ekonomike, atëherë çfarë duhet të mendojnë historianët e ekonomisë? Literatura lidhur me argumentin është shumë e gjerë dhe në shikim të parë, nuk duket ka mbetur gjë për t’i shtuar një argumenti tashmë kaq të shqyrtuar. Megjithatë, ka edhe një aspekt kurioz, domethënë që deri më sot kultura – e nënkuptuar me këtë term tërësia e bindjeve, e preferencave dhe e vlerave të një shoqërie, përfshi orientimet sociale, morale dhe fenë – ka luajtur një roj tejet të papërfillshëm në debat. Deri më tani pjesën e luanit e ka bërë gjithmonë ekonomia, ndoshta pse ekspertët e sektorit, të cilëve u detyrohet pjesa më e madhe e punës historike lidhur me argumentin në dekadat e fundit, e kanë shpërfillur gjithmonë idenë e përfshirjes së kulturës në çfarëdo shpjegimi me natyrë historike. Por gjatë viteve të fundit është asistuar në një ndryshim tendence dhe tani duket se ka ardhur momenti i duhur për të pyetur nëse në kulturën europiane përpara vitit 1750 ka pasur praktikisht diçka të veçantë që ka shkaktuar progresin e madh shkencor e teknologjik nga ku ka filluar “Pasurimi i Madh” (emër që dikush ka dashur t’i japë prosperitetit të pamatë të erës moderne). Por para së gjithash duhet përcaktuar se për çfarë aspektesh të kulturës po flasim dhe për çfarë kulture. Kështu, për të filluar që të hedhim dritë mbi çështjen në fjalë duhet gjetur përkufizimi i saj, një operacion tejet i madh sa të mund ta kryejë një studiues i vetëm. Për këtë arsye, kohët e fundit shumë ekonomistë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre mbi elitat intelektuale dhe mbi besimin e tyre tek ato që shkrimtarët e shekullit XVIII e quanin “filozofi natyrore” (shkenca) dhe “arte të dobishme” (teknologjia). Njerëz që zbuluan energjinë e avullit, vaksinën kundër lisë, briketin dhe ndriçimin me gaz i përkisnin një niveli shumë të kulturuar e të arsimuar të shoqërisë dhe qenë – pothuajse pa përjashtim – njerëz që lexonin shumë dhe larmishëm, që qëndronin në kontakt konstant me njëri-tjetrin për të shkëmbyer ato që i quanin “dije të dobishme”.
Sot kujtojmë akoma emrat e disa prej këtyre “shoqërive intelektuale” dhe vendet ku mblidheshin: Lunar Society e Birmingham dhe Shoqëria e Chapter Coffee House të Londrës janë ndër shembujt më të famshëm. Kjo gjeneratë brilante e re mendimtarësh kishte arritur të konceptonte idenë se nga një kuptim më i madh i fenomeneve natyrore mund të nxirrej një përmirësim i kushteve të jetesës të qenies njerëzore: një mendim që neve sot na duket krejtësisht normal – për të mos thënë banal – por që më 1600 (viti në të cilin Francis Bacon e formuloi i pari) ishte akoma një risi kontradiktore. Qe kështu që përpjekjet e përbashkëta të shkencëtarëve, matematikanëve, inxhinierëve dhe artizanëve përfunduan duke pasur një sukses deri më të lartë nga shpresat, aq sa ngritja e nivelit të jetesës dhe e disponueshmërisë së komfortit material që bota ka përfituar duke filluar nga Revolucioni Industrial konsiderohet me të drejtë si ngjarja më e rëndësishme ekonomike e historisë njerëzore. Pra, si kemi arritur deri këtu? Për të gjetur një përgjigje para së gjithash duhet të konstatohet se qenia njerëzore do të quhej gjenetikisht e programuar për të nderuar dijet e paraardhësve të saj dhe të ndjehej inferiore përballë dijeve të së kaluarës. Pavarësisht se bëhet fjalë për besim tek Talmudi (një prej teksteve të shenjta të hebraizmit), Kurani, Konfuci, Aristoteli apo Galeni, historia jonë duket e mbizotëruar nga bindja se e “vërteta” u është zbuluar atyre të ardhur përpara nesh dhe se dija e vërtetë mund të gjendet vetëm duke shqyrtuar shkrimet e së kaluarës dhe duke i “viviseksionuar” derisa të shfaqet “domethënia e vërtetë” e tyre.
Epoka e skepticizmit Por në shekullin XVI kjo bindje pësoi një goditje fatale. Është e vërtetë se më 1580 një profesor Oksfordi mund ta shikonte veten ende të gjobitur 5 shilinga pse kish u kish thënë nxënësve diçka që kundërshtonte autoritetin e Aristotelit, por Oksfordi ishte një realitet i prapambetur: në atë kohë rregulli klasik ishte vënë tashmë fuqishëm nën akuzë nga fronte të ndryshme. Nëse bota intelektuale e shekullit XV kishte jetuar nën hijen e mësimit klasik, ajo e XVI dhe e të mëpasmeve gjeneroi “rebelë të parespektueshëm” si Paracelsius, Harvey, Ramus, Brahe dhe Boyle, që të pajisur me vëzhgimet e tyre eksperimentale, i flakën tej tekstet klasike të Fizikës e të Mjekësisë duke preferuar ato që për sytë e tyre qenë prova logjike dhe bindëse. Në tekstin e tij novator “De Magnete” (1600) shkencëtari anglez William Gilbert arriti që të pohojë se nuk do të humbiste më kohë me “citimin e grekëve dhe të lashtëve të tjerë” për mbështetjen e tezave të tij, duke qenë se gabimet që kishte ndeshur tek autorë klasikë si Plini dhe Ptolemeu qenë të përhapura “si barishtet e këqija helmuese në një kopsht në lulëzim”. Për më tepër, normat për të përcaktuar të vërtetën dhe falsen nuk ndryshuan nga sot nesër: aksioma sipas së cilës “Aristoteli (ose Bibla) thotë kështu, prandaj duhet të jetë e vërtetë” nuk konsiderohej më e vlefshme nga pjesa më e mirë e intelektualëve, por mendjet më konservatore bënë një rezistencë të fuqishme, duke nisur kështu betejën e famshme midis “antikëve” dhe modernëve” që karakterizoi fuqimisht atë epokë dhe përfundoi me fitoren dërrmuese të të dytëve. Tekstet e mëdha klasike e ruajtën vendin e tyre në kurrikulat universitare, por humbën çfarëdolloj autoriteti në fusha si kuptimi i natyrës. Dhe sapo gjenerata e re e mendimtarëve ia hoqi monopolin e dijes Aristotelit, Ptolemeut dhe Galenit dhe hapi epokën e Nullius in verba (“Mos u beso fjalëve të askujt”, motoja zyrtare e Royal Society), lindi modernizmi. Me pak fjalë, mund të thuhet se pikënisja e progresit ka qenë skepticizmi.
Tregu i ideve Por shfaqet një pikëpyetje e re: pse e gjitha kjo ndodhi në Europën e pesëqindës dhe jo, të themi, në Kinë apo në Perandorinë Osmane? Disa faktorë mund të jenë udhëtimet zbuluese të ndërmarra në atë shekull nga fuqitë europiane dhe mundësitë e reja për të vëzhguar fenomene të panjohura për dijen klasike (për shembulll, shpikja e mikroskopit, e teleskopit dhe e pompës me boshllëk), që krijuan një mospërputhje konjitive e destinuar nga ana e saj të gjeneronte dyshime të reja. E njëjta mospërputhje prodhoi Reformën Protestante, shembull tjetër i rebelimit dhe i mendimit kritik ndaj diçkaje që deri më atëherë perceptohej si e shenjtë. Por ka më tepër. Sipas ekonomisë, idetë novatore janë stimuluar nga forcat e kërkesës dhe ofertës, përveçse nga bindjet kulturore të një shoqërie. Nga këtu filozofët dhe ekonomistët kanë propozuar konceptin e “tregut të ideve”, që do të bazohej mbi bindjen dhe influencën: të gjithë intelektualët e epokës, nga Luteri tek Koperniku, nga Spinoza tek Newton, do të konceptonin ide të reja dhe për pasojë, do të kërkonin t’i “shisnin” në mjediset respektive duke përdorur provat, logjikën, retorikën, analizën matematike dhe rezultatet eksperimentale. Dukshëm që bëhet fjalë për një shitje metaforike, pa asnjë përfshirje të parasë, por benefitet që pasonin qenë realë: nga fama lindën ofertat e patronazhit dhe intelektualët më të njohur u përkrahën dhe u financuan nga sovranë, aristokratë dhe borgjezë të pasur. Disa prej shkencëtarëve më të mëdhenj të epokës qenë mjekë që punonin për mercenantët e tyre. Biologu i famshëm italian Francesco Redi ishte mjek i oborrit të familjes Medici, si edhe sekretar e mbikëqyrës i farmacisë dhe i fonderisë së tyre. Leibniz qe këshilltar i më shumë se një mbreti. Të tjerë, midis të cilëve Isaac Newton kur ishte i ri, kërkuan punë të sigurta në universitete, ku katedrat në fakt funksiononin si patronazh. Nganjëherë, në rastet e “famës së intelektit” si Galileo, Newton, Huygens e Leibniz, e gjitha kjo nuk nënkuptonte vetëm mbështetje ekonomike, por edhe akses në figurat më të mëdha autoritare dhe për pasojë, status social, prestigj dhe autoritet.
Republika e Letrave Një motiv tjetër që e bëri Europën përpara vitit 1750 terren pjellor për lindjen e ideve të tjera qe predispozita e saj pothuajse unike për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë raport midis dimensionit dhe konkurrencës që është në themelin e çdo “tregu” të suksesshëm. Ekonomia na mëson se tregu tenton të jetë më produktiv, më kreativ dhe më i besueshëm kur është konkurrues, por për të krijuar konkurrencë të vërtetë duhet një numër i mirë pjesëmarrësish. Por ndërkohë ekzistojnë ekonomitë e shkallës: njësitë e mëdha që dominojnë tregjet respektivë janë në gjendje të arrijnë rezultate të pamundura për njësitë më të vogla. “Tregu i ideve” u përball me të njëjtën dilemë: nevojën e një konkurrence të shëndetshme nga lindte gjithsesi një mjedis që do të mund t’ia dilte të arrinte kurrë një ekonomi shkalle. Tani, mendoni situatën politike të Europës në fillimin e erës moderne: kontinenti ishte i copëzuar në një pafundësi entitetesh politike me përmasa të vogla e të mesme, një gjendje e gjërave që as përpjekjet e Perandorit Karli V të Perandorisë Romake nuk qenë në gjendje ta ndryshonin. Deri edhe vendet më të mëdha, si Franca dhe Spanja, qenë të ndara në brendësi të tyre në rajone, qytete dhe grupe interesi në konkurrencë reciproke. Pastaj, Gjermania dhe Italia qenë në fakt të përbëra nga një konstelacion shtetuçësh të pavarur. Gjithë kësaj i shërbente si ndihmës konkurrenca fetare, qysh kur Kisha Katolike kishte humbur monopolin e saj. Pavarësisht këtij copëzimi, që çoi në konflikte të panumërt e të përgjakshëm, pati edhe efekte pozitive. Në vitin 1742, David Hume shkroi: “Asgjë nuk është më e favorshme për zhvillimin e arsimit dhe kulturës së mirë sesa një numër i mirë shtetesh të pavarura dhe kufitare, të ndërlidhur nga lidhje tregtare dhe politike. Shpirti i emulacionit që shfaqet natyrshëm në rrethana të tilla… është një motor përmirësimi i natyrshëm”. Në një mjedis kaq kompetitiv, entitetet e veçanta politike hasnin vështirësi për t’i shtypur idetë e reja, deri ato më heterodokse apo heretike. Shumë shtete e provuan njëlloj me persekutime e me censurë dhe disa intelektualë fatkeqë (midis rasteve më të famshme Michele Serveto, i djegur në turrën e druve nga kalvinistët dhe Giordano Bruno, i djegur gjallë nga inkuizioni katolik) e paguan me jetë, por bëhej fjalë për masa të destinuara të dështonin në të ardhmen. Duke u spostuar vazhdimisht dhe duke i botuar shkrimet e tyre jashtë vendit, intelektualët novatorë mund ta shfrytëzonin në avantazhin e tyre rivalitetet e pushteteve politike: autorë jashtëzakonisht subversivë si mjeku zviceran Paracelsius dhe filozofi e edukatori Giovanni Amos Comenio u transferuan shumë herë nga njëri cep i Europës tek tjetri.
Midis viteve 1500 e 1700 forcat reaksionare qenë ende të fuqishme dhe përcaktuese, por të destinuara që të dështonin prej mungesës së koordinimit, në pikën që përpjekjet e tyre mund të konsiderohen të përfunduara qysh rreth vitit 1650. Në fund fitorja i shkoi shpirtit të ri të tolerancës intelektuale religjioze. Megjithatë, pikërisht për shkak të copëzimit, ekzistonte rreziku që kreativiteti të përfundonte për t’u ndeshur me problemet e lidhura me “numrat”: lexuesit potencialë që do të mund të vlerësonin punimet e Njutonit, Dekartit apo Vezalit në çdo vend apo rajon të veçantë qenë thjesht shumë pak sa t’ia vlente barra qiranë të shkruaje vetëm për ta. Një studiues i shekullit XVI apo XVII që donte të krijonte një reputacion duhej domosdoshmërisht t’i drejtohej një publiku europian, jo atij anglez, francez apo flamand. Prandaj ajo që u shfaq në Europën e epokës së parë moderne qe një komunitet intelektual, i integruar dhe mbikombëtar prapa të cilit idetë e reja përhapeshin, diskutoheshin, vlerësohen apo refuzoheshin vetëm mbi bazën e vlefshmërisë së tyre. Një koncept i ri i shpallur në Londër do të diskutohej shpejt në Edimburg, Paris, Amsterdam, Madrid, Napoli e Stokholm. Me pak fjalë, Europa posedonte më të mirën e të dyja situatave: qenë avantazhet e copëzimit, por pa u dashur që veprat e reja të hiqnin dorë nga një publik me përmasa kontinentale. Komuniteti intelektual që nisi të formojë këtë “treg” e quajti vetveten “Republikë e Letrave” dhe “qytetarë” komponentët e saj.
Ajo që bëri të mundur të gjithë këtë qe një gjithprani faktorësh antikë dhe më pak antikë. Rrënjët mesjetare të situatës futeshin në komunitetet intelektuale mbikombëtare të lindura të gjirin e Kishës Katolike (vetë latinishtja mbeti gjuha e përbashkët e studiuesve gjatë gjithë periudhës). Natyrisht që shtypi e bëri më ekonomik aksesin ndaj veprave të shkruara dhe ripërkufizoi parametrat e komunikimit intelektual. Por me rëndësi të barabartë qenë shkëmbimet epistolare, të favorizuar nga rritja e madhe e komunikacioneve dhe nga përhapja e një sistemi postar, patjetër i kushtueshëm, i ngadaltë dhe jo i besueshëm, por jo më pak i domosdoshëm. Nga shqyrtimi i këtyre letërkëmbimeve (shumë prej të cilëve kanë arritur deri tek ne) shfaqet mirë rrjeti i ngushtë i komunikimit midis intelektualëve europianë: Republika e Letrave ishte një komunitet “virtual”, që lidhte njerëz që njiheshin me njëri-tjetrin vetëm prej famës dhe reputacionit intelektual. Ishte një sistem i ngadalët, por që funksiononte dhe njerëzit e kohës qenë plotësisht të vetëdijshëm për domethënien e tij: në mes të shekullit XVIII, duke reflektuar për të kaluarën Volteri shkroi se, “…Ishte krijuar, pothuajse pa e kuptuar askush, pavarësisht luftërave dhe diferencave fetare, një Republikë e Letrave… Falë saj, të gjitha shkencat dhe artet merrnin asistencë reciproke… Studiuesit e vërtetë të secilës fushë të dijes i lidhën fijet e kësaj shoqërie të gjerë intelektesh, kudo e përhapur dhe kudo e pavarur… Dhe një institucion i tillë ekziston akoma dhe është një prej ngushëllimeve të mëdha ndaj të këqijave që politika dhe ambicia kanë përhapur në faqe të Tokës”.
Meta – idetë Një prej çelësave të suksesit të Republikës së Letrave qe natyra e saj ndërkombëtare, që i mundësonte çdo studiuesi që kishte nevojë të dilte jashtë shtetit të gjente mikpritje pranë atij që i njihte famën dhe e vlerësonte. Hobbes e shkroi “Leviatanin” në Paris, Locke e shkroi “Letrën për tolerancën” e tij në Amsterdam dhe Pierre Bayle, botuesi francez i “Lajmeve nga Republika e Letrave”, punonte në sigurinë e garantuar nga qyteti i Rotterdam. Me pak fjalë, qe pikërisht Republika e Letrave ajo që siguroi funksionin e “tregut të ideve”, edhe pse do të kishte qenë e gabuar të mbështetej se kjo çoi në triumfin automatik të “ideve më të mira” (Europa tentoi më kot që të mundte sëmundjet infektive dhe të kontrollonte elektricitetin deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, thjesht sa për të dhënë një shembull). Megjithatë, qenë sukseset në “tregun e progresit” që admirohen akoma sot: më 1650 modeli kozmologjik ptolemeas (që e vendoste Tokën në qendër të universit) ishte braktisur krejtësisht; zbulimi i atmosferës tokësore dhe ai i boshllëkut bënë të mundur makinat me avull; bashkimi i gjeografisë dhe matematikës çoi në konceptin që, duke krahasuar orën në një pikë të çfarëdoshme të globit me atë të një pike të caktuar, mund të llogaritej gjerësia gjeografike.
Ky zbulim i fundit i stimuloi sahatçinjtë që të tentojnë të ndërtojnë një kronometër që të mundësonte të kryheshin këto matje, vepër e realizuar në fund nga John Harrison. Por triumfet më të mëdha në fushën e arsyes ka mundësi që qenë meta–idetë, domethënë jo idetë lidhur me çështje specifike shkencore, por ato mbi lidhur me “si”-në dhe “pse”-në duhej bërë filozofi natyrore. “Pse”-ja qe menjëherë e qartë aq sa më 1664, duke i bërë jehonë paraardhësit të tij Francis Bacon, Robert Boyle mund të shkruante: “Sikur parimet e vërteta të kësaj shkence pjellore (fiziologjisë) të ishin plotësisht të njohura, të shqyrtuara dhe të zbatuara, në botë do të verifikohej një ndryshim aq universal e fitimprurës saqë është e vështirë ta imagjinosh”. Në shtatëqindën, pionierët e teknologjisë e kuptuan se kishin nevojë për mbështetjen e shkencëtarëve dhe rreth mesit të shekullit protagonistët e Revolucionit Industrial, të tillë si John Smeaton, Josiah Wedgwood e James Watt, i kërkonin pareshtur këshillit e studiuesve pararojë në fusha të ndryshme të shkencës.
Ndryshimet që prekën “si”-në qenë po aq themelorë falë triumfit të metodës eksperimentale, domethënë kuptimit se sistemi më i mirë për të verifikuar një hipotezë qenë të dhënat e nxjerra nga një eksperiment dhe jo autoriteti i Aristotelit. Shkenca eksperimentale kërkoi një saktësi më të madhe si në instrumentet, ashtu edhe në materialet e përdorura, krijimin e një terminologjie standard, të njësive matëse universale dhe një komunikim të qartë e të detajuar që të mundësonte riprodhimin dhe verifikimin e çdo eksperimenti. Vetë kërkimi u bë gjithnjë e më shumë formal dhe matematikor: qe Galileo Galilei ai që bëri pohimin e famshëm sipas të cilit Libri i Natyrës është i shkruar me gjuhën e matematikës. Qysh në mes të shekullit XVII ishte e pamundur t’i dedikoheshe fizikës pa poseduar një përgatitje të qëndrueshme matematikore. Dhe atje ku nuk mund të arrinte analiza matematike, arrinte vëzhgimi i drejtpërdrejtë: mund të shikoheshin, numëroheshin, katalogoheshin dhe klasifikoheshin realitete të çdo lloji, nga bimët tek planetet, me shpresën se do të shfaqeshin rregulla dhe skema që do të ndihmonin të kuptohej më mirë funksionimi i natyrës. Në këto fusha i dalluan astronomë dhe natyralistë të famshëm si Flamsteed dhe Linneu.
Për ta përmbyllur, kjo tezë është kundër materializmit historik, domethënë idesë se motori i progresit është ai i nevojave materiale. Ato që drejtojnë historinë janë idetë, jo më pak sesa kushte materiale drejtojnë ndryshimet intelektuale. Gjithsesi, ajo që është e qartë është se historia e rritjes ekonomike në epokën moderne do të rrëfehet, shpjegohet dhe interpretohet në mënyra të ndryshme. Gjë që edhe një herë akoma demonstron të gjithë dobishmërinë e një “tregu të ideve” që funksionon mirë.

(Joel Mokyr është titullar i Katedrës “Robert H. Strotz” të Artit e Shkencave dhe docent i Ekonomisë pranë Northwestern University të Illinois)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakKLSH: Dëmi nga Aluizni dhe Hipotekat 21 mln USD
Artikulli tjetërShqipëria me pensionin më të ulët në rajon