2 tonë drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi

2 tonë kanabis është sekuestruar nga roja bregdetare greke ditën e djeshme në Kythera. Mësohet se droga vinte nga Shqipëria dhe është zbuluar në hapësirën detare në afërsi të ishullit Kythera.
Autoritetet greke njoftuan se kanë sekuestruar afro 2 tonë marijuanë shqiptare në një jaht me flamur që kishte destinacion ishujt e detit Egje. Roja bregdetare saktësoi se jahti u kontrollua në ishullin Kythera, në hyrje të detit Egje. Kjo është një ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapura në Greqi.
Në një deklaratë, roja bregdetare sqaroi se, “jahti ishte nisur nga një port italian dhe e kishte marrë drogën në Shqipëri, një vend prodhues i madh i marijuanës”. Dy anëtarët e ekuipazhit, një shqiptar dhe një italian, u arrestuan. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Ndërsa jahti u sekuestrua.
Trafiku i drogës nga Shqipëria është kthyer në një problem shqetësues për autoritetet greke. Para pak kohësh ministri grek, ministri i Rendit Publik, Nikos Toskas e ka quajtur Shqipërinë, problemin kryesor të drogës për Greqinë. “Droga është një problem i madh dhe ky problem quhet Shqipëri. Në gjashtë muajt e fundit kemi kapur rreth 10 tonë kanabis që kalon nga kufiri shqiptar. Kjo është një situatë e papranueshme për një vend sovran, për një vend që dëshiron të quhet serioz, por që ka një problem të madh me kultivimin e drogës”, u shpreh ministri grek.

Artikulli paraprakShqipëria me pensionin më të ulët në rajon
Artikulli tjetërFront kundër drogës e politikës së drogës