Shqipëria, në mesin e vendeve me shpenzimet më të larta për policinë

Banka Botërore, në një studim të ditëve të fundit “Financat publike dhe sektori i sigurisë” gjeti se Shqipëria ka shpenzime të larta në rang global për policinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Banka ka marrë në analizë periudhën 1988–2000, ku Shqipëria renditet e teta në mesin e 82 vendeve të marra në analizë. Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet buxhetore të Shqipërisë për policinë ishin rreth 1.8% e PBB, teksa mesatarja globale ishte 1%.
Banka vë në dukje se vende të ndryshme si Shqipëria, Meksika, Afrika e Jugut dhe Uganda, kanë ngritur task-forca të posaçme për t’iu përgjigjur problemeve specifike të krimit, siç është dhuna gjinore, korrupsioni ose krimet e drogës.
Megjithëse këta shembuj tregojnë një tendencë pozitive, Banka ka vënë re se, këta mekanizma koordinues në strukturat e policisë jo domosdoshmërisht kanë siguruar drejtësinë penale.
Banka këshillon se një sistem i koordinuar mirë mund të sjellë më shumë përfitime, kundrejt koordinimit të dobët që rrit fragmentimin, shton kostot dhe kohën, zvogëlon llogaridhënien dhe krijon barriera për qasje në shërbime.
Banka sugjeron se lufta efektshme e përdorimit të drogës dhe trafikimit kërkon koordinim midis institucioneve të ndryshme përtej sektorit të drejtësisë.
Në veçanti, agjencitë publike dhe madje edhe privatet nga shëndetësia, arsimi dhe shërbimet sociale duhet të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të trajtuar aspektet shumëplanëshe të përdorimit të drogës dhe trafikimit.

Artikulli paraprakDilema “mish apo peshk” për sigurinë ushqimore
Artikulli tjetërNoka: Pse po fshihet Rama?