Shqipëria, larg tërheqjes së investitorëve të huaj

Edhe pse ka një legjislacion të miratuar, Shqipëria ende nuk ka arritur të tërheqë investitorë të huaj në zonat e lira ekonomike. Një nga problemet më të mëdha për zhvillimin e tyre mbetet çështja e së drejtës së pronës. Vendi ynë shihet si një rast përjashtimor, pasi ligji përcakton se çështja e pronësisë (kur ngrihet në tokë private) duhet të zgjidhet mes pronarëve të tokës dhe zhvilluesit të zonës. Kjo gjë i step deri diku investitorët e huaj që, për shkak të problematikës që ka Shqipëria në rastet e pronësisë, nuk kërkojnë të marrin përsipër rreziqe. Serbia dhe Maqedonia janë dy vendet pioniere në zhvillimin e këtyre zonave, që vlerësohen si tejet të rëndësishme për tërheqjen e investimeve të huaja. Në Paris u mbajt konferenca e nivelit të lartë mbi konkurrueshmërinë në rajonin e Europës Juglindore. Samiti u fokusua në tri shtylla kryesore: reformat për të tërhequr investimet e huaja dhe përmirësimi i konkurrueshmërisë në Europën Juglindore, përmirësimi i qeverisjes për një klimë më të mirë biznesi, si dhe orientimi i investimeve drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Një nga studimet e paraqitura në samit ishte edhe ai mbi zhvillimin e zonave ekonomike dhe oferta e rajonit të Ballkanit, i pari i këtij lloji. Në të, ndër të tjera, merren në konsideratë edhe përvojat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia). Studimi tregon se të gjitha këto vende kanë zhvilluar një rrjet zonash të lira ekonomike, në një sipërfaqe prej më shumë se 3,500 hektarësh. Rritja e ndjeshme erdhi si një përgjigje për amortizimin e krizës së pas vitit 2008 dhe për të nxitur Investimet e Huaja Direkte. Maqedonia dhe Serbia janë pioniere të zhvillimit të këtyre instrumenteve dhe suksesi i arritur prej tyre bëri që këto zona të zgjeroheshin më tej. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova janë më mbrapa. Ato së fundmi kanë prezantuar legjislacionin e ri dhe janë në fazën e përcaktimit të territoreve. Si rezultat, në rajonin e Ballkanit, numri i Zonave të Lira Ekonomike nga 24 që ishte në vitin 2012 është rritur në 40 në vitin 2016. Këto zona në Ballkanin Perëndimor nisën të zhvilloheshin në fillim të viteve ‘90 dhe u ngritën kryesisht me qëllim që të shërbenin si zona të lira tregtare. Ato kanë për qëllim që të stimulojnë tregtinë pasi ofrojnë përjashtime doganore dhe reduktime taksash. Ato nuk e vënë theksin te tërheqja e investimeve në sektorin e prodhimit, por lejojnë zhvillimin e çdo lloj aktiviteti tregtar (përfshirë edhe kompanitë ndërkombëtare tregtare dhe ato financiare) për të gjetur në zonat. Sa i përket statusit të pronësisë, studimi vë re se në Shqipëri, ato shihen si një miksim i statusit privat dhe i Partneritetit Publik Privat. Organi rregullator është Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë. Ato mund të zhvillohen si në toka private, ashtu edhe në publike dhe zonat përcaktohen nga ministria me tender. Investitori, sipas ligjit shqiptar, duhet të zhvillojë si financimin, edhe zonën.
Në momentin e hartimit të këtij studimi, dy zonat ekonomike në Shqipëri, Kopliku dhe Spitalla, kanë qenë në proces tenderimi (por për të dyja nuk ka asnjë zhvillim). Në Ballkanin Perëndimor, thuhet në studimin e OECD-së, zonat e lira ekonomike ofrojnë një gamë të gjerë inçentivash fiskale dhe jofiskale. Shqipëria parashikon të ofrojë përjashtime nga detyrimet doganore dhe TVSH-ja, në momentin kur këto zona të jenë tërësisht operative. Programi i OECD-së për rajonin e Europës Juglindore mbështet këto vende drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, tërheqjes së investimeve dhe nxitjes së punësimit përmes reformave që nxisin konkurrueshmërinë.

Avantazhet e Ballkanit

Në studim thuhet se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë bërë një destinacion i rëndësishëm i investimeve të huaja të reja, për shkak të kostos së ulët të punës, sidomos për industrinë europiane të makinave. Me një pagë bruto mesatare rreth 40-60% më të ulët se në ekonomitë e zhvilluara të BE-së, vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë bërë tërheqëse për krahun e lirë të punës. Nga ana tjetër, këto zona ofrojnë edhe stimuj fiskalë. Rajoni ofron taksën për tatimin mbi fitimin, rreth 50% më të ulët se mesatarja e BE28, duke filluar nga 9% në Malin e Zi, 15% në Shqipëri dhe po kaq edhe në Serbi. Këto vende dallohen edhe për çmimet e ulëta të energjisë, një faktor i rëndësishëm ky për investitorët, veçanërisht për ata të sektorit të automobilave, si brenda dhe jashtë zonave ekonomike. Shumica e ekonomive rajonale kanë edhe avantazhin e çmimeve të ulëta të energjisë për banesat. Këtu dallim bën Serbia, e cila zbaton çmime rreth 44% më të ulëta se në 28 vendet e BE-së, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina. Në Bashkimin Europian, vende që janë të konkurrueshme dhe të ngjashme me ato të Ballkanit janë Bullgaria dhe Rumania. Sa u përket tarifave për konsumin e gazit, rajoni nuk ka avantazhe konkurruese pasi çmimet janë të ngjashme me ato mesatare të BE-së. Të gjitha këto kontribuojnë në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte. Megjithatë, rajoni ka edhe shumë probleme që ndikojnë te vendimmarrja e investitorëve, siç është e drejta e pronësisë, kjo më së shumti e dallueshme në Shqipëri. Nga ana tjetër, si Shqipëria edhe Kosova kanë kosto të tjera shtesë, siç është cilësia e infrastrukturës apo edhe siguria e furnizimit me energji.

Një model i suksesshëm në Ballkan, por Shqipëria bën përjashtim

Zonat e veçanta ekonomike janë bërë një instrument i përdorur gjerësisht për tërheqjen e investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimi i tyre është rritur ndjeshëm veçanërisht në periudhën e pas krizës. Numri i zonave është katërfishuar në tetë vitet e fundit, thuhet në raportin e OECD-së. Disa nga vendet e rajonit zgjeruan rrjetet ekzistuese të këtyre zonave e disa të tjera i krijuan ato për herë të parë. Zonat, për shkak të stimujve që ofrojnë, janë bërë një element kyç në rritjen e konkurrencës mes vendeve të rajonit për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte. Pikërisht për këtë arsye u hartua edhe ky studim. Në të ngrihet pyetja nëse zonat ekonomike kanë qenë një mjet efikas për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte. Analiza thekson se vetëm ky vëzhgim nuk është i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se ato kanë qenë vërtet të tilla, pasi mund të kenë ndikuar edhe faktorë të tjerë si përmirësimi i klimës së investimeve, konkurrencës së jashtme, dinamikave të industrisë dhe faktorëve të tjerë që ndoshta nuk kanë aspak të bëjnë me rrjetin e këtyre zonave. “Ndaj është e nevojshme që të bëhen analiza të tjera për të parë ndikimin e investimeve në këto zona, përmes statistikave dhe treguesve”, thuhet në raport. Qëllimi kryesor i krijimit të këtyre zonave ka qenë tërheqja e investimeve, veçanërisht atyre direkte të huaja, të orientuara drejt eksportit, për të krijuar vende pune, si dhe për të ofruar avantazhe fiskale dhe jofiskale. Kjo është arsyeja se përse në të gjithë Ballkanin Perëndimor këto rrjete janë vendosur kryesisht në vende strategjike, pranë qyteteve të mëdha, korridoreve të transportit dhe kufijve. Gjithashtu, zonat e veçanta ekonomike dallohen për veçantitë e tyre sa nga njëri vend në tjetrin. Nga të centralizuara dhe në pronësi të shtetit në Maqedoni, te Partneriteti Publik Privat i centralizuar në Serbi, te tërësisht nën zotërimin e privatit në Bosnje–Hercegovinë dhe në Mal të Zi, si dhe të formës së kombinuar në Shqipëri dhe Kosovë. Në aspektin e inçentivave, Maqedonia është shteti që ka gamën më të gjerë të avantazheve qofshin fiskale apo jo, duke përfshirë këtu subvencionime, kushte të favorshme qiramarrjeje, garanci shtetërore apo edhe përjashtime nga taksat. Në Serbi dhe në Bosnje–Hercegovinë, inçentivat bazohen kryesisht mbi likuiditetin, janë doganore dhe në lidhje me Taksën mbi Vlerën e Shtuar. Edhe Serbia iu ofron investitorëve një gamë të gjerë subvencionesh në lidhje me krahun e punës, si jashtë ashtu edhe brenda zonës. Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kufizime në lidhje me ndihmën që mund të ofrojë shteti, ato janë pak më shumë bujare, sesa vendet e BE-së. Një pikë e veçantë që theksohet në studim është fakti i ndikimit që këto zona kanë në tërheqjen e kapitalit njerëzor dhe atij fizik, pasi varen nga inçentivat dhe kjo mund të jetë ndonjëherë dëmtuese. Të dhënat tregojnë se në Maqedoni dhe në Serbi, pjesa më e madhe e këtyre zonave janë aktive dhe kanë pasur kontribut domethënës në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte në sektorin prodhues. Gjatë pesë viteve të fundit, investimi total i zonave të lira ekonomike përbënte rreth 45% të totalit të IHD-ve në sektorin prodhues të Maqedonisë dhe rreth 80% në Serbi, te kjo e fundit, zona dominohej nga Fiat-Chrysler. Ashtu si në Europën Qendrore dhe në atë Lindore, sektori i automobilave udhëhoqi rigjallërimin e IHD-ve. Mbi 90% e investimeve në këto zona të lira ekonomike kanë pasur si aktivitet automobilizmin, duke filluar nga prodhimi i pjesëve të vogla të makinave e deri te makinat në formën e tyre të plotë. Prodhuesit e makinave u tërhoqën shumë nga krahu i kualifikuar i punës dhe afërsia me tregun e BE-së. Nga ana tjetër, këto zona ofronin stimuj tërheqës në lidhje me eksportet, gjë e cila ndikonte në koston e ulët të punës. Studimi tregon se zonat e veçanta ekonomike, që nga krijimi i tyre në rajonin e Ballkanit, kanë tërhequr rreth 400 kompani të huaja me një investim në total prej 2.5 miliardë eurosh. Ato kanë gjeneruar më shumë se 22,000 vende pune në Serbi, 6,800 në Maqedoni dhe rreth 1,700 në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këto investime kanë më pak se një dekadë, megjithatë ka disa prova që vërtetojnë se kanë pasur njëfarë ndikimi në arsim, trajnim dhe infrastrukturë. Nga ana tjetër, kanë pasur ndikim të kufizuar në transferimin e teknologjisë te prodhuesit vendas, tek integrimi i furnizuesve lokalë në operacionet e biznesit të investitorëve të huaj.

Tenderi për zonën ekonomike të Spitallës

Tenderi për dhënien me koncesion të zonës zhvillimore ekonomike të Spitallës në Durrës nuk ka dështuar për herën e katërt. Dy oferta janë paraqitur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Mësohet se ofertën më të më madhe e ka dhënë kompania Edil Al-IT me seli në Tiranë. Kjo firmë kërkon të zhvillojë këtë zonë me një investim rreth 89 milionë eurosh, ndërsa synon të hapë 12 mijë vende të reja pune. Zarfi i dytë është ai i kompanisë Pelikan sh.p.k. Investimi i firmës nga Durrësi është për 10 vite, deri më 2027-n dhe ka një vlerë prej 38.9 milionë eurosh. Pelikan sh.p.k. thotë se do të hapë 2,500 vende të reja pune. Objekti i kontratës është ndërtimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe operimi i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, në Spitallë, Durrës, për një periudhë 99-vjeçare. Zona shtrihet në afërsi me Portin e Durrësit, më të madhin dhe më të rëndësishmin në Shqipëri, pranë qytetit të dytë për nga zhvillimi ekonomik në Shqipëri, Durrësit, vetëm 30 km larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 37 km nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Në kriteret e përzgjedhjes së fituesit, propozimi teknik për ndërtimin e zonës vlerësohet me 25 pikë, ndikimi mjedisor 10 pikë, ndikimi social 15 pikë, koha e përfundimit të investimit 10 pikë dhe kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit) me 40 pikë. Përpjekjet fillestare në vitin 2015 për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit dështuan pasi kompanitë kineze, “Zhejiang Haiteng Investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co” shfaqën mangësi.

Ndikimi direkt i zonave

Duke qenë se Shqipëria nuk ka zona ekonomike të zhvilluara, ndikimi në ekonomi vlerësohet zero. Por, ndryshe ndodh me vendet e tjera. Që nga krijimi i tyre, Bosnjë–Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë tërhequr më shumë se 400 kompani dhe kanë grumbulluar 2.5 miliardë euro investime. Serbia ka qenë më “agresive” dhe si rrjedhim ka tërhequr edhe pjesën më të madhe të Investimeve të Huaja Direkte. Vetëm në vitin 2015, ajo arriti të grumbullojë 2.2 miliardë euro, nga të cilat 1 miliard ishin investim i Fiat Automobiles Serbia’s (FAS) në Kragujevac. Maqedonia vjen e dyta, me një total prej 207 milionë eurosh Investime të Huaja Direkte në zonat e lira ekonomike për periudhën 2011-2015. Duke qenë se pjesa më e madhe e kompanive janë nënkontraktore të ndërkombëtareve, i gjithë produkti është tërësisht i orientuar drejt eksportit. Si rrjedhim, këto zona kanë ndikimin e tyre te totali i eksporteve, duke filluar nga 6.4% në Bosnje–Hercegovinë, në 17.6% në Serbi, në 36.4% në Maqedoni (në vitin 2015). Duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve janë të orientuara nga prodhimi, ndikimi tek eksportet e këtij sektori është i lartë: 6.8%, 24.2% dhe 45%, përkatësisht në Bosnje–Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni. Duke qenë se Maqedonia dhe Serbia zotërojnë të gjithë industrinë e prodhimit të makinerive në rajon, investimet në zonat ekonomike në këto dy ekonomi kanë ndikuar në përmirësimin e strukturës së kompozimit të eksporteve drejt produkteve me vlerë të lartë të shtuar. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë me punësimin. Kompanitë që janë aktive në zonat e lira ekonomike kanë gjeneruar më shumë se 22,000 vende pune në Serbi, 6,800 në Maqedoni dhe 1,700 në Bosnje–Hercegovinë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërFMN e raportoi borxhin e 2016-s, 1.7 pikë përqindje më të lartë se qeveria