Shpenzimet e shqiptarëve të varur nga ushqimet

Shqipëria u rendit e katërta në mesin e vende të BE dhe atyre kandidate për ritmet e larta të rritjes së çmimeve në muajin shtator. Sipas metodologjisë së Eurostat, inflacioni në Shqipëri për muajin shtator arriti në 2.7 për qind, ndërsa sipas treguesit kombëtar rritja e çmimeve ka qenë vetëm 1.6 për qind.
Sipas variantit të Eurostat rritja më e madhe e çmimeve prej 6,7% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,0%, “Shërbimi arsimor” me 1,5%, “Pije alkolike dhe duhan” me 1,0%, etj.
Ndërsa çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën përkatësisht me nga 1,7%. Në muajin shtator 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5%.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve prej 0,8% e grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” krahasuar me muajin paraardhës.
Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta–perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë llogaritë kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

 

Artikulli paraprakZaza bind Venturën për kombëtaren
Artikulli tjetërParashikimi i zymtë i Bankës Botërore për Shqipërinë