Shëndetësia falas, 230 milionë euro për Vilmën

Në vitin 2013, Edi Rama do të premtonte shëndetësi falas për të gjithë, një premtim që sot e kësaj dite ka rezultuar një mashtrim i radhës, në listën e atyre premtimeve që bëri për të marrë pushtetin. Duhet thënë se shëndetësia gjatë katër viteve të Ramës ka marrë një pjesë jo të vogël të buxhetit. Në krye të saj, do të vihej Ilir Beqaj, një njeri që përgjatë katër viteve sa mbajti postin e ministrit do të kthehej në simbolin e korrupsionit të qeverisë Rama. Vetëm nga kjo ministri janë dhënë mbi 400 milionë euro koncesione, ku më shumë se 230 milionë prej tyre i ka marrë një kliente e qeverisë, që quhet Vilma Nushi. Sot gjendja në spitalet tona është e mjerueshme dhe politikat e Ramës s’kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë thelluar hendekun e atyre që s’mund të paguajnë. Kjo është pjesa më e dukshme, sepse Vilma Nushi ka ndërhyrë në thuajse çdo tender të zhvilluar në shëndetësi. Shumica e medikamenteve dhe pajisjeve që furnizojnë spitalet tona duhet patjetër të kalojnë nëpërmjet duarve të saj. Duket sikur kemi të bëjmë me një vjedhje dhe abuzim të shfrenuar që përqendrohet vetëm në duart e një njeriu. Shifra që përmendet, pra ajo e 230 milionë eurove me dy koncesione do të ishte e mjaftueshme për të ngritur të paktën 10 spitale të rinj për çdo qark të vendit, me përmasat e një hoteli luksoz, ku të afroheshin jo check up falas, por të gjithë shërbimet që i duhen pacientëve me kushtet bashkëkohore.

Tenderi i check up

Në tetorin e vitit 2014, zonja Nushi do të shpallej fituese e një tenderi shumëmilionësh që do e kishin zili dhe oligarkët rusë. 120 milionë euro për 10 vjet nga koncesioni për kontrollin e popullsisë. Një vlerë kjo e barabartë sa vlera e disa spitaleve luksoze që mund të kryenin shërbime të tilla në të gjithë vendin. Në lidhje me këtë tender Prokuroria një vit më vonë hapi hetimet. Akuza ka të bëjë që me fillesat e këtij koncesioni; tenderimin e tij dhe abuzimin e hapur të jashtëligjshëm që është bërë me procedurat favorizuese ndaj përfitueses Vilma Nushi, kliente personale e kryeministrit Rama. “Koncesioni i check up-it i është dhënë kompanisë që e ka pasur ofertën 25 për qind më të lartë sesa oferta e grupit të kompanive, e cila nuk e fitoi. 18.5 milionë është dëmi ekonomik vetëm në procesin e tenderimin”, thuhet në dosje vetëm për mënyrën sesi është dhënë ky koncesion. Përveç mënyrës abuzive të tenderimit, po hetohet edhe për implementimin e këtij shërbimi. Është vërtetuar se janë paguar afro 1.5 milion euro, për shërbime të pamarra. Që nga muaji mars i vitit 2015-të kur nisi ky shërbim dhe deri në dhjetor të vitit 2016 kompania e Vilma Nushit duhej të bënte kontrollin e afro 365 mijë qytetarëve, por shërbimi sipas shifrave zyrtare, është marrë vetëm nga 244,420 pacientë. Pa u futur në vërtetësinë e shërbimit edhe për rreth 250 mijë qytetarët e deklaruar, skandali qëndron te fakti se kompania ka marrë paratë, edhe për rreth 120 mijë check up-e që nuk i ka kryer. Por Beqaj nuk është ndalur me kaq. Ai po hetohet edhe lidhur me vendimin flagrant korruptiv për zgjerimin e fashës së personave që kryejnë check up-in nga 45–65 që ishte sipas kontratës fillestare duke e çuar në 35–75 vjeç. Ky ndryshim u bë jo vetëm për të mbuluar dështimin total të check up–it, por edhe për të rritur fondet shtetërore, për kompaninë e mikeshës së kryeministrit. Bëhet fjalë për 50 milionë euro plus, për 10 vitet e ardhshme, si për habinë e të gjithëve, po atë vit pra, në dhjetorin e vitit 2015 Rama do të niste një fushatë të ethshme kundër prokurorëve dhe gjykatësve me reformën e tij në drejtësi.

Tenderi i laboratorëve, vjedhje e buxhetit, por dhe rritje faturave të shërbimit

Por hyrja e 2017-ës do të ishte sërish një vit i begatë për kompaninë e Vilma Nushit, e cila këtë herë do të fitonte një koncesion, atë të laboratorëve ose 80 për qind në rang vendi të këtij shërbimi. Në fillim u fol për 65 milionë euro që do i jepeshin kompanisë, por më pas u shtuan dhe 25 milionë euro dhe shuma shkoi në 100. Kjo realizohej nëpërmjet një kompanie tjetër të hapur jo në emër të saj, por të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, një kompani e cila deklarohet me 137 mijë humbje vjetore. Në fakt, koncesioni është një aferë e pastër korrupsioni dhe termat me të cilat është dhënë i shkojnë për shtat një kompanie me humbje. Kjo sepse marrëveshja parashikon që me nisjen e punës, fitimi ndahet në 45 për qind të klientit, 20 për qind të shtetit dhe 35 për qind që mbetet për investime. Për çdokënd që ka njohuritë më minimale në ekonomi, kjo do të thotë që këtë punë mund ta bëjë dhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi. Ndërtesat janë, paratë janë marrë me kredi, klientela e garantuar dhe 45 për qind të fitimit janë të pastra në xhep. Po t’i shtosh këtu dhe 35 për qind të tjera, që me demek janë për investime shkon në 80 për qind. Pra, një person fizik që ka një numër NIPT-i që hapet me 200 lekë të vjetra në QKR. Është si të thuash të ngrysesh fukara dhe gdhihesh milioner, pa pasur asnjë qindrakë në xhep. Ose më qartë, pronari dhe investitori që në këtë rast është shteti të mjaftohet me 20 për qind të fitimit, ndërsa “hyzmetqari” që është koncesionari të marrë pjesën tjetër prej 80%. Kjo lloj teorie ekonomike nuk mund të ndodhë në asnjë sistem, qoftë në ekonomi tregu apo të centralizuar. Janë 18 laboratorët publikë spitalorë, që përbëjnë 80% të tregut aktual, të cilët do të privatizohen. Me gjithë ndërtesat, pajisjet, reagentet, gjithçka.

Koncesioni i dyshimtë i sterilizimit, emigranti nga Italia fiton 100 milionë euro

Sterilizimi i pajisjeve mjekësore i kushton buxhetit të shtetit 71 milionë euro pa TVSH, për 10 vitet e ardhshme dhe vlera totale shkon në 100 milionë euro. Vitin e shkuar media publikoi një hetim për procedurat e fitimit të këtij koncesioni, nga “Investital llc”, “Servizi Italia spa”, “U.Jet srl” dhe “Tecnosanimed Investital” që del kompania kryesore në këtë sipërmarrje, është e regjistruar në Kosovë me pronar biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili përpara se të shpallej fitues u shfaq edhe publikisht në shoqëri të ngushtë me Ilir Beqajn dhe Edi Ramën, veçanërisht në kohën kur ishin në opozitë. Pas investigimit në fjalë rezultoi se Rrapaj nuk ka asnjë eksperiencë në fushën e shërbimeve mjekësore; kompania e tij në Itali, vepronte në fushën e “artizanaleve” dhe ishte aq e fuqishme saqë kishte të deklaruar vetëm një punonjës dhe një kapital qesharak. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013, Rrapaj u kthye në Shqipëri dhe ndërtoi një marrëdhënie të ngushtë me ish-ministrin Beqaj. Ai e prezantoi atë, edhe me ortakët e tij italianë. Rrapaj mori pjesë në një aktivitet të qeverisë në nëntor të 2013-ës dhe më pas, ish-ministri Beqaj udhëtoi për në Perugia në dhjetor të 2013-ës, ku u takuan sërish. Beqaj udhëtoi dhe disa herë të tjera për në Perugia dhe firmosi disa marrëveshje me institucionet vendore, gjithmonë në prani të klientit rishtar Rrapaj.

Hemodializën me vlerë 86 milionë euro e fiton pronari i kioskës nga Berati

Kontrata për shërbimin e hemodializës u dha me kohëzgjatje prej 10 vjet, me një vlerë të përgjithshme prej 63.5 milionë euro pa TVSH ose 86 milionë dollarë. Qëllim i saj ishte dhënia e shërbimit të hemodializës në Tiranë, rindërtimi i hapësirave mjekësore në Vlorë e Shkodër dhe krijimi i tri qendrave shëndetësore në Lezhë, Korçë dhe Elbasan, sipas standardeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë hapi procedurën për tenderin e hemodializës, në maj të vitit 2015. Sipas një tjetër investigimi, kompania përfaqësuese e bashkimit të kompanive që fituan tenderin, “Evita shpk”, është një kompani e cila vepron në fushën e farmaceutikës. Sipas dokumenteve publike, “Evita”, e themeluar në maj të vitit 2013, u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej qinda eurosh (736 euro) në një kapital, prej 221,735 mijë euro vetëm gjatë vitit 2015. Pronarja e kompanisë “Evita”, Majlinda Fetiu, nuk ka asnjë shkollim në farmaceutikë apo ndonjë profesion tjetër në fushën e shëndetësisë; ajo është kushërira e administratorit të një spitali privat në Tiranë. Administrator i “Evitës” është një ish-nëpunës i të njëjtit spital dhe “Evita” kishte adresë zyrtare katin e dytë të ndërtesës së spitalit. “Evita” e fitoi tenderin e hemodializës në konkurrim me tetë ofertues, edhe pse ishte kompania e dytë me ofertën më të lartë. Është e paqartë se cilat kritere e kthyen kompaninë “Evita” në të preferuarën e qeverisë. Ajo nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në dhënien e shërbimit të hemodializës.

Ngritja e nuses së djalit të Gogo Nushit

Por kush është gruaja, e cila po thith në mënyrë të përbindshme buxhetin e shtetit? As më shumë e as s’më pak ajo është bashkëshortja e njërit prej djemve të Gogo Nushit, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe një mbështetëse e kahershme e rilindjes së Edi Ramës dhe financuese e fushatave të saj. Deri në vitin 2013 ajo zotëronte një kompani, e cila merrej kryesisht me shpërndarjen e duhanit dhe të mallrave kozmetike. Natyrisht që edhe deri në atë kohë njihej në fushën e biznesit, por pas vitit 2013 pati një hov të madh të biznesit kryesisht me fondet që kanë të bëjnë me buxhetin e shtetit. Kështu, sipas të dhënave figuron se deri në vjeshtën e vitit 2014 qeveria dhe të gjitha insitucionet e saj blenë të gjitha materialet kancelarike tek firma e saj. Dhe nuk bëhet fjalë për pak institucione: Kompania “Marketing & Distribution” shpk furnizoi me mjete kancelarie Policinë e Shtetit; Këshillin e Ministrave; Ministrinë e Punëve të Brendshme; Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës; Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Ekonomisë; Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve; Shërbimin Sekret; INSTAT; Qendrën Kombëtare të Regjistrimit; Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”; Drejtorinë e Burgjeve; Gardën e Republikës; Drejtorinë e Krimit të Organizuar, njësitë ushtarake e plot të tjera.

Nushi nuk ndalet, fiton dhe tenderin 10 milionë euro të ortopedisë

Vilma Nushi ka fituar më shumë se 100 tendera në vit, rreth 11 miliardë lekë të vjetra pa llogaritur 120 milionë eurot e check up-it. Ky është rezultati i një hulumtimi të imtësishëm në thuajse 3 vjet e gjysmë qeverisje të Edi Ramës dhe ish-ministrit të tij të Shëndetësisë, Ilir Beqajt. Vilma Nushi ka marrë thuajse 128 milionë euro gjatë qeverisjes së socialistëve. Në ka një kompani që ka rezultuar më e suksesshmja në tenderat e shëndetësisë është pikërisht “Trimed” SHPK, me të cilën operon kryesisht sipërmarrësja Vilma Nushi në prokurime. Dhe mesa duket, mesatarja e tenderave të fituar në një vit të çon në konkluzionin se është me të vërtetë kompania e preferuar e procesit të kalimit të parave nga shteti drejt privatit. E fokusuar në mbledhjen e parave publike me tendera, të mëdhenj, të vegjël, Nushi ka fituar plot 11 miliardë lekë në furnizimin me ilaçe të spitaleve anembanë vendit, tenderin e ortopedisë dhe pajisjeve mjekësore. Një pjesë të tenderave Nushi i ka fituar në bashkëpunim me kompaninë “Medicamenta”.

Artikulli paraprakMasakra mbi Valbonë edhe me vendim gjykate
Artikulli tjetërNdalohet shprehja e bindjeve politike në publik për nëpunësit