Masakra mbi Valbonë edhe me vendim gjykate

Gjykata Administrative në Tiranë rrëzoi dje kërkesën e 27 banorëve të Luginës së Valbonës dhe Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata “Toka”) për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-it në Valbonë.
Rrëzimi i kërkesës i hap rrugë vazhdimit të punimeve, të nisura rreth një vit më parë nga dy kompani koncesionare, të cilat kanë marrë miratimin e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës.
Gjithashtu, Gjykata e Apelit vendosi shqyrtimin në themel të çështjes, duke nisur nga seanca e ardhshme, e cila u caktua nga gjykata për datën 14 qershor.
Vendimi i gjykatës i ka lënë të pakënaqur banorët e Luginës së Valbonës. Përfaqësuesi i tyre ligjor në këtë proces deklaroi në përfundim të seancës gjyqësore se vendimi do të ankimohet në Gjykatën Administrative të Apelit.
Muajin e kaluar, 27 banorë të Luginës së Valbonës, që i përkasin fshatrave Rragam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, të mbështetur nga Shoqata për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Shoqata “Toka”) dorëzuan në Gjykatën Administrative të Tiranës padinë për kundërshtimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës. Pas kësaj, gjykata vendosi pezullimin e përkohshëm të punimeve.
Kërkesa në Gjykatën Administrative ishte hapi më i fundit i banorëve të Luginës së Valbonës, në përpjekjen thuajse dyvjeçare për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar.
Përmes kësaj padie, banorët kërkuan që gjykata të deklarojë pavlefshmërinë absolute të kontratës koncesionare, si dhe të lejeve të ndërtimit, lejeve mjedisore, si dhe lejeve për përdorimin e rezervave ujore. Dy kompanitë koncesionare kanë nisur përpjekjet për marrjen e koncesioneve për ndërtimin e HEC-eve në Luginën e Valbonës që para vitit 2000.
Sipas banorëve të Valbonës dhe Shoqatës “Toka” janë konstatuar një numër shkeljesh proceduriale dhe materiale nga Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe Këshilli i Basenit Ujor “Drin-Buna”.
Në fillim të këtij viti, Ministria e Energjetikës dhe Industrisë refuzoi kërkesën e Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare për dhënien e kopjes së kontratës koncesionare të lidhur me Shoqërinë “Gener 2” shpk, si dhe dosjen e plotë me dokumentacionin e Shoqërisë “TPLAN” shpk, shoqëri këto që po ndërtojnë hidrocentrale në Luginën e Valbonës.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit e ka quajtur refuzimin për dhënien e këtij dokumentacioni si shkelje të ligjit për të drejtën e informimit dhe ka urdhëruar Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë për të vënë në dispozicion të shoqatës dokumentacionin e kërkuar prej saj, gjë që nuk është zbatuar deri tani.
Me moton “Mos ma prek Valbonën”, prej gati dy vitesh, banorët vendas dhe shoqata “Toka”, të përkrahur nga WWF dhe organizata të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare të mjedisit dhe shoqërisë civile, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndaluar këtë projekt, që krijon sipas tyre një seri dëmesh të pariparueshme, si në mjedisin natyror të Luginës së Valbonës, ashtu edhe në mirëqenien dhe jetën e komunitetit që jeton përgjatë Luginës së Valbonës.
Qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion një numër të madh lejesh për ndërtimin e hiodrocentraleve në shtretërit e lumejve të egër të vendit dhe në brendësi të zonave të mbrojtura natyrore, gjë që eshtë shoqëruar me reagime në rritje nga ana e komuniteve lokale dhe shoqatave mjedisore.

Artikulli paraprakRepresioni nga shteti, investitorët e huaj “ia mbathin” nga Shqipëria
Artikulli tjetërShëndetësia falas, 230 milionë euro për Vilmën