“Shëndetësia falas” dhe e vërteta me Qendrën e Sterilizimit

Demokrati Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me aktualitetin politik në vend, ndërsa nuk kurseu sulmet për Kryeministrin Edi Rama. Me anë të një statusi në faqen e tij të Facebook, Shehu pohoi se dje Rama mashtroi me disa foto që publikoi për publikun, që kishin të bënin me instrumentet e Qendrës së Sterilizimit. “Teatralitet për të maskuar dështimin e ‘shëndetësisë falas’! Dje z. Rama kërkoi të ‘trukojë’ kolapsin e politikave të tij shëndetësore me disa foto e imazhe të Qendrës së Sterilizimit dhe instrumenteve kirurgjikale. Së pari, Qendra e Sterilizimit pranë QSUT është ndërtuar e tillë moderne para mandatit të z. Rama dhe do të ishte shumë më rentabël të vihej në funksionim jo nëpërmjet një lloj ‘koncesioni’, por nëpërmjet kualifikimit të disa specialistëve shqiptarë duke ngelur publike. Dhënia e saj privatit së bashku me një marrëveshje pagesash ndaj tij prej deri në 100 M euro në 10 vite për të gjithë vendin, koston shumë, dëmton vendimmarrjen e çdo spitali, si dhe krijon një monopol privat absolut në treg. Së bashku me disa ‘koncesione’ të tjera të tilla si ai i check up, laboratorëve etj., sistemit tonë të varfër shëndetësor i janë ‘rrëmbyer’ fonde të mëdha, duke përkeqësuar në dramaticitet gjendjen e tij. Në këtë mënyrë qytetarët po paguajnë gjithmonë më shumë për një shërbim shëndetësor shumë larg standardeve, duke u rrezikuar shëndeti i tyre. Kjo është shëndetësia ‘falas’ që tashmë edhe Rilindja nuk po e përmend”, shprehet ai.

Artikulli paraprakAlitalia në grevë, pezullohen 60% e fluturimeve, 5 me Shqipërinë
Artikulli tjetërRoma eliminohet nga kupa