Roma eliminohet nga kupa

Lazio dhe Thomas Strakosha presin biletën e parë për në finalen e Kupës së Italisë. Bardhekaltrit u mposhtën 3-2 në derbin e kthimit me Romën dhe me rezultat të përgjithshëm 3-4 kualifikohen për në sfidën e fundit të kompeticionit, ku do të përballen me fituesin e çiftit Juventus–Napoli. Skuadra e Simone Inzaghit i shuajti shpresat e verdhekuqve për një përmbysje të madhe që në pjesën e parë, kur Milinkoviç–Saviç fare pranë portës shtyu drejt rrjetës një top të kthyer nga portieri Alisson.
Vetëm 5 minuta zgjati ky avantazh i parë për Lazion, pasi El Sharaawy, përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes bardhekaltër për golin e 1-1. 10 minuta nga starti i pjesës së dytë, Ciro Immobile, i nisur nga pozicioni i rregullt që nga mesfusha, nuk gaboi përballë Alisson, për t’i dhënë goditjen përfundimtare Romës. Në të 66-ën Muhamed Salah me intuitën e tij ndoqi aksionin e El Sharaawy-t, që u ndal nga shtylla, për ta detyruar Strakoshën që ta nxirrte për herë të dytë topin nga rrjeta.
Në të 90-ën Strakosha nuk arrin të kontrollojë goditjen e Nainggolan, me Salah që ndjek aksionin dhe pasi shmang portierin shqiptar shënon të tretin të verdhekuqtë, por që nuk e shmangu eliminimin, pasi Romës i nevojiteshin edhe dy gola të tjerë për të siguruar finalen.

Artikulli paraprak“Shëndetësia falas” dhe e vërteta me Qendrën e Sterilizimit
Artikulli tjetërStrakosha: Suksesin ia dedikoj familjes