Alitalia në grevë, pezullohen 60% e fluturimeve, 5 me Shqipërinë

Greva e sindikatave në Itali ka “paralizuar” thuajse tërësisht transportin ajror. Në grevë janë edhe punonjësit e transportit publik në Milano. Alitalia ndërkohë është në grevë 24 orëshe, pasi punonjësit kundërshtojnë planin e shkurtimeve. Ky plan parashikon shkurtimin e 2000 vendeve të punës, si dhe shkurtimin e pagave nga 20% deri në 30%. Kompania ajrore është në vështirësi serioze prej kohësh dhe humbjet financiare përllogariten në më shumë se 1 milion euro në ditë, deri më tani nuk ka pasur ende asnjë plan serioz për të dalë nga kriza. Plani i shkurtimeve vjen si një zgjidhje e përkohshme, për të shtyrë sadopak në kohë kolapsin financiar të kompanisë. Vetë Alitalia ka lajmëruar se nga greva 24-orëshe do të preken 60% e fluturimeve të datës 5 prill, si ato kombëtare ashtu edhe ato ndërkombëtare, duke nënvizuar gjithashtu se, 92% e pasagjerëve janë të siguruar, duke i rimbursuar biletën apo duke i mundësuar fluturimin nëpërmjet linjave të tjera ajrore. Nga aeroporti “Nënë Tereza” ndërkohë, njoftohet se janë anuluar tri fluturime në mbërritje, ai i orës 17.25 nga aeroporti “Fiumicino” i Romës, ai i orës 22.55 nga aeroporti i Barit, si dhe ai i orës 23.25 nga aeroporti “Fiumicino”. I anuluar rezulton të jetë edhe fluturimi në nisje i orës 18.15 për në Romë, si dhe ai i orës 23.45 për në Bari.

Artikulli paraprakRënia e interesave, bonot 12-mujore zbresin sërish poshtë 2%
Artikulli tjetër“Shëndetësia falas” dhe e vërteta me Qendrën e Sterilizimit