Shehu: 2830 familje lihen pa bukë, u hiqet ndihma ekonomike

 

Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka reaguar në Facebook në lidhje me numrin e familjarëve të përjashtuar nga ndihma ekonomike në këtë qark. Shehu thekson se, qeveria ka përjashtuar nga Përkrahja Ekonomike 2830 familje nga 3572 që e përfitonin atë.
“E vetmja rrugëdalje që po u jepet qytetarëve është të braktisin vendin, atë që tentoi të bëjë edhe Ramiz Alia më 1991-shin.
Sot më konfirmuan se në Qarkun e Gjirokastrës numri i familjeve të përjashtuara nga Ndihma Ekonomike është shumë më i lartë se sa u deklarua para pak ditësh:
Janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në Memaliaj 591 familje nga 711 që e përfitonin, në Gjirokastër 1264 nga 1718, në Përmet 411 nga 455, në Tepelenë 370 nga 408, në Këlcyrë 150 nga 230 etj. Në tërësi në të gjithë Qarkun janë përjashtuar nga Përkrahja Ekonomike 2830 familje nga 3572 që e përfitonin atë.
Pra rreth 80% të familjeve përjashtohen në një ditë nga Përkrahja Ekonomike në të gjithë atë Qark.

Dhe e gjithë kjo bëhet mbi bazën e “reformimit” të sektorit social në mënyrë të centralizuar, pra direkt nga Qeveria.
Dhe kjo kryhet kur varfëria në atë Qark është rritur me 35% në dy vite, kur papunësia rritet, kur nuk ka asnjë investim në infrastrukturën bujqësore e të përgjithshme aty, kur arbitrariteti shtetëror mbi qytetarët është në kulmet,
Kjo realizohet kur rrëzohet edhe projektligji për statusin e minatorit.
Kam një pyetje për këtë Qeveri, çfarë duhet të bëjnë njerëzit për të jetuar tashmë?!
Siç duket përgjigja është: të ikin sa shpejt, ashtu siç po ikin këto vite nga vendi!”, shprehet Shehu.

Artikulli paraprakInvestitorët britanikë s’kanë opinion pozitiv për klimën e biznesit në Shqipëri
Artikulli tjetërKLSH: Niveli i borxhit të qeverisë në nivel alarmant