Investitorët britanikë s’kanë opinion pozitiv për klimën e biznesit në Shqipëri

Investitorët britanikë shprehen të gatshëm për të investuar në Shqipëri, por shqetësim për ta mbetet stabiliteti politik si dhe tregu i vogël. Biznesmenë të këtij vendi kanë nisur një tur vizitash në vendin tonë, ku turizmin dhe tregun energjetik e shohin me interes të veçantë. Për Ora News ata shprehen se, duhet punuar më shumë për ta bërë më të njohur vendin te investitorët e huaj.
Shqipëria nuk ka një opinion pozitiv tek investitorët e huaj. Gjatë një vizite të zhvilluar në vendin tonë parlamentarët britanikë dhe përfaqësues të investitorëve të këtij vendi kanë fajësuar politikën për këtë situatë. Nei Budd, investitor britanik, deklaron se Shqipëria ka probleme edhe me konkurrencën krahasuar me vendet e rajonit.
Budd: Konkretisht ka ligje të mira, për shembull për energjinë e rinovueshme, por vendi nuk ka opinion pozitiv përsa i përket stabilitetit politik dhe klimës së të bërit biznes. Të gjithë ne jemi njerëz që marrim vendime në bazë të eksperiencave. Megjithatë Shqipëria shihet një treg alternativ. Budd: Interes ka për disa sektorë të veçantë, sepse është një vend në rritje. Nëse zgjidhet investimi i duhur në vendin e duhur, atëherë fitimi është i sigurt. Psh energjia diellore është zhvilluar ndjeshëm në Britani.

Problem mbetet dhe reklamimi i vendit. Budd: Pra u them investitorëve në Britani pse të mos investoni në Shqipëri? Ata e shohin me pikëpyetje dhe unë i them mendoni se po shkoni në Itali, vetëm ktheni pak djathtas, sepse klima është e njëjtë. Sipas investitorëve britanikë, edhe tregu i vogël është një problem çka ndikon në investime. Përfaqësuesit e Parlamentit britanik dhe investitorët do zhvillojnë një tur takimesh me krerët e politikës shqiptare për të diskutuar mbi alternativat e financimit.

Artikulli paraprakMurinjo i vë fajin Pogbasë
Artikulli tjetërShehu: 2830 familje lihen pa bukë, u hiqet ndihma ekonomike