KLSH: Niveli i borxhit të qeverisë në nivel alarmant

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shfaqur shqetësim për nivelin e broxhit publik të vendit dhe mundësitë e ekonomisë sonë për ta përballuar atë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe FMN-së, ky tregues ishte në nivelin 72.7% për qind për vitin 2016 dhe pritshmëritë janë për zbritje të tij në 69.1% për vitin 2017, por të dhënat përfudimtare ende nuk janë publikuar.
Në raportin për vitin 2017, KLSH është përpjekur t’i japë përgjigje pyetjes: “A sigurohet me ekonomicitet borxhi publik dhe a përdoret me eficiencë ai?”
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton në raport se, pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, treguesit e përdorur për menaxhimin e borxhit publik, nuk përmbushin kërkesat e standardeve të pranuara në lidhje me vlerësimin e qëndrueshmërisë, kostos së borxhit dhe menaxhimin e tij me ekonomicitet dhe eficiensë. Rezultatet e treguesve përgjegjës për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe kostos së borxhit publik si: Borxh i Jashtëm/ Eksporte, Borxh i Jashtëm/ Rezervave Valutore dhe Indikatori i Hendekut Primar Afatshkurtër, tregojnë se aftësia ripaguese e ekonomisë sonë kundrejt borxhit publik, është në rënie. Këto rezultate lidhen drejtpërdrejtë me koston që përballon shteti për shlyerjen e interesave dhe principalit. Mos zbërthimi i strategjive afatmesme të menaxhimit të borxhit publik në plane konkrete veprimi dhe strategji alternative, nuk i mundësojnë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë diversifikimin e risqeve për të arritur në një menaxhim eficient të borxhit publik.

Qeveria ka marrë zotimin për të vijuar konsolidimin fiskal vitin e ardhshëm. E thënë ndryshe të ulë nivelin e borxhit deri në 68.8%. Por për një pjesë të ekspertëve, kjo jo vetëm nuk do të ndodhë, por përkundrazi. Borxhi pritet të rritet nga programi 1 miliard euro i Partneritet Publik Privat, pasi projektet do të paguhen nga shteti shqiptar, duke u shtrirë në kohë, si me rrugën e Arbrit (pak dotë më parë u nënshkrua kontrata). Por këto detyrime nuk dokumentohen tek treguesi i borxhit, duke qenë në vetvete një borxh i fshehur.

Artikulli paraprakShehu: 2830 familje lihen pa bukë, u hiqet ndihma ekonomike
Artikulli tjetërMësueses i bie suvaja e tavanit në kokë në shkollën e rikonstruktuar nga Veliaj