Të dielën në Kavajë, nga e hëna në gjithë Shqipërinë

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje një pjesë të planit të mosbindjes civile që do të nisë nga e diela në Kavajë. Basha tha se zgjedhje në Kavajë pa opozitën nuk do të ketë, ndërsa mosbindja civile nga Kavaja do të shtrihet të hënën në të gjithë Shqipërinë. “Qytetarët nuk do të kthehen pas. Opozita nuk i tradhton dhe nuk do t’i tradhtojë. E keqja do të mposhtet! E mira, do të fitojë!”, tha Basha.
Një mbledhje e kryetarit të PD me të gjithë kryetarët e degëve ka planifikuar edhe planin e protestës dhe të mosbindjes civile që do të shtrihet nga Kavaja në të gjithë Shqipërinë. Megjithëse nuk janë dhënë detaje të hollësishme në këtë takim, pritet që në Kavajë të arrihet një bashkim popullor për t’i dhënë një mësim bandës në pushtet që zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
“Sot, ne do të planifikojmë në detaje, bashkimin më të madh të shqiptarëve, të dielën e ardhshme, në Kavajë, më 7 maj, për të çliruar Kavajën me forcën e bashkimit, nga krimi, droga dhe zgjedhjet fasadë.
Prej ditës së hënë e tutje, do ta shtrijmë anembanë Shqipërisë mosbindjen civile dhe lëvizjen e madhe popullore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kulmuar më 18 qershor.
Nuk e di se si i ke bërë planet Edi Rama e se ku po të çon mushka e kupolës kriminale ku ke hipur, nga e cila refuzon të zbrezësh duke i zënë rrugën një populli të tërë. Por, të jap fjalën. Çfarëdo të kesh planifikuar më 18 qershor, nuk do të qeverisësh dot asnjë orë të vetme pas 18 qershorit.
Asnjë orë të vetme! Asnjë orë të vetme!
Lëvizja popullore e bashkuar është totalisht e vendosur për Republikën e re, ndaj ke vetëm një rrugë, bëhu pjesë e zgjidhjes ose shporru bashkë me republikën e vjetër. Qytetarët nuk do të kthehen pas. Opozita nuk i tradhton dhe nuk do t’i tradhtojë. E keqja do të mposhtet! E mira, do të fitojë!”, tha Basha.

Basha-Ramës: Ke 48 ditë afat

Basha i është përgjigjur ultimatumit të dhënë dy ditë më parë nga Rama se opozita ka 48 orë afat për t’u ulur në bisedime. Basha i është kundërpërgjigjur me një ultimatum edhe më të fortë, duke deklaruar se nga dita e djeshme janë 48 ditë afat për Ramën për t’u larguar, pasi pas 18 qershorit ai nuk do të mund të qeverisë asnjë ditë të vetme.
“Ky grusht njerëzish dhe kapoja e tij, dje na paskan dhënë një ultimatum se kemi 48 orë për t’u bërë edhe ne pjesë e fasadës, pjesë e alibisë, pjesë e teatrit të kukullave. 48 orë që opozita të bëhet alibia e teatrit të kukullave që do të vazhdojë vjedhjen dhe batërdisjen e shqiptarëve, që asgjë të mos ndryshojë, që kriminelët të vazhdojnë të jenë në Parlament, në krye të bashkive, drejtorë të administratës, që ligji të shkelet me të dyja këmbët, që pasuritë të vazhdojnë të grabiten dhe që opozita të jetë fasada e kësaj shfaqjeje të shëmtuar. Përgjigjja ime është kjo: Ke 48 ditë para se të shpallim luftën totale për asgjësimin e republikës së vjetër!”, tha Basha.
Kryetari i opozitës paralajmëroi se mosbindja civile do të përshkallëzohet në të gjithë vendin.
Mosbindja civile, bashkimi i shqiptarëve në çdo formë dhe mjet paqësor e demokratik, i cili do të përshkallëzohet duke nisur më datën 7, në çlirimin e Kavajës, kryeqytetit të lirisë dhe demokracisë, nga vjedhja, krimi dhe droga; Mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar më 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë jo krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta.
Ndaj, harroje se mund të trembësh apo blesh Partinë Demokratike apo këtë bashkim të madh qytetar apo aleatët tanë.

Topi, Blushi dhe Bojaxhi, mercenarë të Ramës

“Sot në KQZ, në atë palo KQZ, që bën ato palo deklarata, që është diskredituar si një instrument partizan antiligjor, antikushtetues, është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor.
Është koalicioni i 2015-ës, edhe ai nuk është i plotë. I ka lënë rrugës disa bishta, nuk i morën dot me vete. Në udhëtim e sipër, në pazar e sipër, njëri ha ngjalën, tjetri ha peshkun. Dikujt i ngeli hala, dikujt i ngeli bishti, kështu që nuk i morën dot të gjithë me vete.
Disa u kanë rënë nga kamioni. Janë mërzitur disa që kanë rënë nga kamioni i pazarit të peshkut. Nuk kanë çfarë të bëjnë, kanë ngelur rrugës. Por, fakti është që ka ngelur një subjekt zgjedhor, mos harroni. Një subjekt zgjedhor. Këta ishin koalicioni i qeverisë së 2015-ës. Dhe tani për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, pretendojnë se janë 17 subjekte zgjedhore.
Koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës, koalicioni i krimit me në krye Edi Ramën, me Ilir Metën, me mercenarët e tyre si, Bamir Topi, si Ben Blushi, si Gjergj Bojaxhi, janë një dhe vetëm një.
Shqiptarët do t’i refuzojnë me mosbindje civile. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, me asnjë mënyrë.
Nuk ka për të pasur më monizëm në Shqipëri. Edhe Ramiz Alia, përpara se ta detyronin studentët liberatorë të dhjetorit, intelektualët dhe qytetarët, me Lëvizjen e Dhjetorit, donte të kishte Partinë e Punës, Frontin Demokratik. Kur nuk ia doli dot Ramizi, nuk do ia dalësh dot ti Ramë, hiqe nga mendja.
Hiqe nga mendja se do të të lejojmë ta marrësh prapë Shqipërinë peng e të përgatisësh këtu në këtë shesh të lirisë, paradat e 1 Majit, paradat e mjerimit, paradat e mashtrimit. Harroje!”.

Premtoi 300 mijë vende, janë 300 mijë të ikur në azil

“Njeriu që premtoi 300 mijë vende pune, sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik dhe në kërkim të një jete më të mirë në Gjermani, Europë Perëndimore dhe në SHBA”, tha Basha.
Dita e 73 e protestës popullore ka koinçiduar me 1 Majin, Ditën e Punëtorëve. Kjo ka bërë që takimi i djeshëm të kishte në qendër të diskutimit me qytetarët problemin e madh të shqiptarëve, punësimin. Basha ka kujtuar se si 1 Maji nga një ditë proteste u kthye në një dite feste nga regjimi doktatorial. “1 Maji, është një datë e historisë komuniste. Këtu ku jemi ne, baballarët tanë dhe më të rriturit mes nesh, bënin paradë me lule letre përpara diktatorit, që rrinte pak a shumë para kësaj fasade.
Çdo 1 Maj, duke brohoritur për mirëqenien që nuk e kishim, për kushtet e mira të jetës që nuk i kishim, për kushtet e mira të banimit që nuk i kishim, për lirinë individuale që mungonte totalisht, për shëndetin që e kishim të fundit në Europë.
Këtu pra, një popull i tërë i skllavëruar nga një diktaturë mizore, ideologjike, që shpenzonte 30% të buxhetit për 30 vite me radhë për të ndërtuar bunkerë, ndërkohë që fëmijët e shqiptarëve vdisnin nga uria me përqindjen më të lartë të vdekjeve foshnjore në Europë, këtu pra, një popull i tërë, i skllavëruar maj për maj, çdo 1 Maj i bindej ritualit të skllavërimit dhe të mashtrimit, para diktaturës dhe para byrosë politike.
Ndaj, 1 Maji nuk ka si të jetë festë, nuk ka si të jetë festë as për popuj të tjerë që kanë njohur zgjedhën, fatkeqësinë dhe mjerimin e komunizmit, por për ne shqiptarët që komunizmi na hodhi për nga prodhimi i brendshëm dhe mirëqenies, në mes të Afrikës Ekuatoriale, 1 Maji është dita për të kujtuar se deri ku mund të poshtërohet një popull. Deri ku, mund të poshtërohet, një baba, një nënë para fëmijëve të vet, nga një regjim i cili ka humbur çdo ndjenjë realiteti, çdo ndjenjë dhembshurie, çdo ndjenjë përgjegjësie, para fateve të popullit të vet.
Kujtojeni ju që keni qenë 1 Maj për 1 Maj, të detyruar të parakalonit këtu ose të rreshtoheshit në trotuare, ju e ata që detyroheshin ta ndiqnin me radio e me televizoret bardhezi, parakalimin e 1 Majit. Shfaqje e shëmtuar, makabre, e një popullli që festonte mjerimin e vet, që festonte izolimin e vet, që festonte poshtërimin e vet. Mbajeni mend, sepse ky në fakt ishte një mëkat i përbashkët, jo i barabartë, por i përbashkët”, tha Basha.

Paradat e 1 Majit për të zvarritur popullin

Basha i ka bërë një thirrje shqiptarëve që të ngrihen dhe të mos lejojnë që të vijë sërish një ditë kur një tirani krimi t’i zvarrisë sërish në të njëjtin bulevard si në kohën e diktaturës. Ai deklaroi se kurrë opozita nuk do të falë zgjedhjet dhe pluralizmin në duart e një kupole krimi.
“Mëkati dhe mëkatarët e parë ishin ata që i imponuan vendit për 50 vite me radhë, diktaturën. Por bashkëmëkatarë ishin dhe ata shqiptarë, që nuk guxuan të ngrihen, por pranuan me kokën ulur fatin e rezervuar nga xhahilët, injorantët, nga analfabetët, nga tradhtarët, që i imponuan Shqipërisë për 50 vite me radhë, sistemin më gjakatar dhe më mjerues që njohu Europa komuniste.
Kush e harron historinë, është i destinuar ta përsërisë.
Ndaj sot, është dita për të parë njëri-tjetrin në sy, të djathtë e të majtë, e për të thënë, a jemi gati t’i themi ‘JO’ zgjedhës së re, që po përgatisin bijtë politikë dhe ideologjikë të byrosë politike, që deri para 27 vitesh rreshtohej në atë tribunë, ndërkohë që populli zvarritej në paradë.
Sepse, nëse s’jeni gati për këtë, duhet të bëhemi gati të pranojmë edhe një diktaturë tjetër, një tirani të krimit, të drogës, të korrupsionit, të barkderrave oligarkë dhe krimit të organizuar me në krye Edi Ramën, që dëshiron që prej datës 18 qershor, ta shuajë edhe formalisht pluralizmin.
Këto janë dy zgjedhje, o njëra, o tjetra. Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i madh qytetar, e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ftesa ime, ndaj çdo shqiptari të ndershëm, që nuk dëshiron të zvarritet në këtë bulevard si para 27 vitesh, para oligarkisë, krimit dhe pushtetit të inkriminuar të Rilindjes, është të ngrihemi e t’i shporrim, me forcën e bashkimit popullor”, tha Basha.
Për kryetarin e opozitës, mashtrimi dhe propaganda janë dy armët e forta të Ramës ashtu si kanë qenë edhe në kohën e diktaturës. “Mashtrimi dhe propaganda ishin veçoritë e atij regjimi, mashtrimi dhe propaganda janë arma më e fuqishme e Edi Ramës. Mashtrimet që ai prodhon, media e kapur dhe e zotëruar nga zhaget e korrupsionit, e drogës, i shumëfishon ditë për ditë. Dhe sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas tij 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite nga zyrat e punës.
Rrenë e sofistikuar i duket atij, të paktën pra, afërsisht 80 mijë vetë qenkan futur në punë nga zyrat e punës këto vite. Rrena më e turpshme, më e pamoralshme”, tha Basha.

Shifrat e BB dhe mashtrimi i Ramës

Cilat janë shifrat që provojnë mashtrimin e Ramës me papunësinë? Janë ato të BB dhe drejtoreshës së kësaj banke. “Fakti tjetër është i botuar nga Banka Botërore, nga Elen Goldshtajn, një mikeshë e kryeministrit, e cila ka firmosur qindra milionë euro, kredi, që ky i ka bërë rrush e kumbulla, i ka vjedhur, i ka shpërdoruar dhe abuzuar.
Kjo Elen Goldshtajn, mikeshë e kryeministrit, shkruan në raport se në gjashtë vitet e fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vende pune. Në gjithë Ballkanin Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci, Bosnje.
Por, në Shqipëri e Bosnje, nuk janë krijuar vende pune, por janë humbur vende pune. 2,4%, vende pune më pak në Shqipëri, 5% më pak në Bosnje.
Pra, vetë mikesha e tij në Bankën Botërore konfimon atë që çdo shqiptar e di fare mirë, e di fare mirë nga fati i vet apo i familjarëve të vet se: në Shqipëri me Edi Ramën, ekonomia u shkatërrua, vende të reja pune nuk u krijuan, por vendet ekzistuese të punës u asgjësuan nga Rilindja, nga krimi, nga korrupsioni. Ky është fakt, kjo është e vërtetë dhe këtë 1 Maj dhe çdo 1 Maj, në vend që të zvarritemi në bulevardin e gënjeshtrave, ne kemi ndërtuar këtu sheshin e lirisë, sheshin e të vërtetës, ku të vërtetat do t’i themi ashtu siç janë”, tha Basha.

PS, “rahmet pastë” nuk ekziston më, ka vdekur

Basha ka denoncuar mënyrën se si trajtohen punëtorët në Shqipëri. Ata që punojnë detyrohen në kushte skllavërie të punojnë 6 ditë në javë, ndërsa paga e rritur e qeverisë është vetëm për t’i qëndruar si barrë tek koka bizneseve se sa për të rritur realisht pagat e punëtorëve, të cilët paguhen shumë më pak nga ajo që deklarohet.
“Dhe e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë nën Edi Ramën është se, Edi Rama me taksat e larta, me arrogancën dhe arbitraritetin e taksidarëve, me rritjen e çmimit të energjisë dhe të naftës, me pasigurinë totale juridike dhe shkatërrimin e rendit për shkak të krimit në pushtet dhe pushtetit të inkriminuar, e rrënoi ekonominë shqiptare. Ju e dini këtë, shqiptarët e dinë këtë, punëdhënësi i madh e di këtë, punëdhënësi i mesëm e di këtë, biznesi i vogël i vetëpunësuar e di këtë. Shqiptarët anembanë e dinë që në këto 4 vite Shqipëria pati një recesion total të ekonomisë që vërtetohet edhe nga shifrat kyçe që tregojnë mirëqenien e njerëzve, rënien e fuqisë blerëse, rënien e investimeve të huaja, rënien në pikiatë të investimeve në tërësi, rritjen e borxhit të keq dhe mbi të gjitha largimin masiv të shqiptarëve.
Ndërmarrjet e mëdha e në veçanti investitorët e huaj po shikojnë se ku të largohen e si të largohen sa më parë. Biznesi i vogël është në gjendje të paprecedentë në 27 vite, nga terrori i taksave dhe presioni dhe e gjitha kjo shfryhet tek vendet e punës.
Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj. Njësoj si paraardhësit e tyre, pagën këta e rrisin me dekret, por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat.
Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset, sa është paga e tyre reale, kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë dhe merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale dhe punonin 6 ditë në javë. Punonin 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe merrnin një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian.
Sepse, edhe në Afrikë ka paga më të larta. Por Edi Rama dhe e ashtuquajtura Parti Socialiste që nuk ekziston më, ‘Rahmet pastë!’, ‘U prehtë në paqe!’, por rilindja e inkriminuar, nuk do t’ia di as për punonjësit, as për pagat e tyre, as për të drejtat e tyre, as për të papunësuarit, as për të punësuarit që janë vepra e tyre”, tha Basha.

2.8 miliardë euro të vjedhura në katër vjet

Rilindja e Edi Ramës ka vetëm një mision, misioni u ka dalë në shesh nga të dhënat zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit: 2.8 miliardë euro kanë vjedhur në 4 vite. 2.8 miliardë euro të buxhetit të shtetit, taksave të shqiptarëve me tendera, me koncesione, me abuzime, i kanë vjedhur në 4 vite.
Ky është misioni i vërtetë i rilindjes, i kësaj makinerie, i këtij mekanzimi që mban në këmbë komplotin politik dhe ekonomik kundër shqiptarëve, që mundëson vjedhjen, zhvatjen e përditshme të shqiptarëve që ka shkatërruar ekonominë tonë, që ka mbyllur dyert e bizneseve të vogla, që ka mbyllur dyert e fabrikave dhe vendeve të tjera që prodhonin punësim dhe që ka orientuar të gjithë resurset drejt krimit, drejt drogës, drejt koncesioneve fasadë që janë skemat e rilindjes për të vjedhur akoma më shumë nga xhepat e shqiptarëve.
E vetmja pengesë për të, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. I vetmi kërcënim për të ndaluar këtë batërdisje, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën dhe për bashibozukët që e rrethojnë, është një betejë ekonomike, është një betejë për resurset, është një betejë për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncesionet, mbi pasuritë e shqiptarëve, është një betejë për të vazhduar të pasurohen e të vetëmbrohen nga ligji dhe drejtësia.
Mos harroni, në 4 vite ndërsa shqiptarët zhyteshin në mjerim, ndërsa shqiptarët nxirreshin nga vendet e punës që mbylleshin për shkak të rilindjes, ndërsa shqiptarët merrnin rrugët e emigracionit, një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën janë pasuruar në mënyrë marramendëse.
Ky grusht njerëzish, përbëhet nga ministra dhe pushtetarë, përbëhet nga oligarkë dhe kriminelë.
Dhe është ky grusht njerëzish, ky grusht njerëzish që do me çdo kusht të mbajë kontrollin dhe pushtetin përmes zgjedhjeve të manipuluara të 18 qershorit.

Sa është fatura e shkarkimeve nga puna?

E shkelën ligjin, duke nxjerrë nga puna mijëra punonjës publikë të trajnuar me lekët e shqiptarëve, të trajnuar me lekët e europianëve dhe amerikanëve, e shkelën ligjin për t’i nxjerrë nga puna dhe sot janë prapë shqiptarët që do të paguajnë nga taksat e tyre 40 milionë deri në 70 milionë euro fatura, për të mbuluar padrejtësitë e Edi Ramës, për të paguar padrejtësitë e tyre, që nga njëra anë nxorën nga puna nëpunësit, duke i lënë në mes të katër rrugëve dhe nga ana tjetër, faturën për këtë paligjësi ia japin shqiptarëve.
E njëjta paligjësi edhe sot.
Nuk ka zgjedhje më 18 qershor edhe për faktin e thjeshtë, se edhe formalisht këta i dogjën afatet. Listat i dorëzuan 24 orë me vonesë.
Ky me të vërtetë nuk është një kriter themelor, por është një kriter ligjor; o ka ligj o s’ka ligj. Nëse ka ligj, këta e kanë shkelur ligjin. Asnjë parti, asnjë kandidat për deputet nuk është regjistruar sipas ligjit. Këto mund të jenë zgjedhjet e pazarit të peshkut, por kurrsesi jo, zgjedhjet e shqiptarëve. Edhe formalisht, edhe ligjërisht janë të pavlefshme.

70 milionë dollarë për largimet nga puna

Paraditen e 1 majit në sheshin e lirisë u bashkuan qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të cilët biseduan me kreun e demokratëve, Lulzim Basha për fenomenin e largimit të padrejtë nga puna dhe faturën e rëndë që kjo ka krijuar, faturë që rëndon edhe më shumë buxhetin e dërrmuar të shqiptarëve.
Drita Lamaj tregoi se mënyra se si e pushuan nga vendi i punës ishte diskriminuese, pasi me rëndësi nuk ishte eksperienca e punës dhe meritokracia, por prejardhja krahinore dhe përkatësia partiake.
Drejtoresha e gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës, Monada Mushketa pas një eksperience 20-vjeçare në arsim dhe pas arritjes së rezultateve të shkëlqyera për nxënësit e shkollës së saj, dha dorëheqjen nga posti i drejtoreshës. Mësuesja tregoi se ajo dhe kolegët e saj, të cilët mbetën pa punë për arsye që nuk lidhen fare me mësuesinë dhe profesionalizmin, mbeten mes katër rrugëve, pasi askush nuk i mundëson atyre transferimin në një shkollë tjetër.
Mushketa theksoi se shkarkimet bëhen në mënyrë selektive dhe mësuesit që largohen, nuk testohen apo vlerësohen paraprakisht.
Një tjetër mësues nga Durrësi, Veledin Rama, i shkarkuar nga puna dhe i zëvendësuar me një mësues me teser partie, falënderoi ata të cilët sakrifikojnë nga koha dhe mundi i tyre për të mbajtur në këmbë çadrën e protestës.
Këtë aksion e shoh si pengesën e fundit ndaj vendosjes së sistemit monist, tha Veledini duke i drejtuar thirrjen çdo qytetari shqiptar, ndaj gjithë ata që janë ngritur kundër diktaturës, duhet të qëndrojnë deri në fund të kësaj lëvizjeje, që qytetarë të gjithë Shqipërisë po e mbajnë me kaq sakrificë.
Eda Grimci me profesion avokate, tregoi eksperiencën e saj sallave të gjyqeve. Qytetarët pushohen nga puna pa arsyetim dhe enden sallave gjyqësore për të fituar të drejtën e tyre. Kjo e drejtë, si tregon avokatja, zvarritet edhe pas vendimeve të formës së prerë të gjykatave, të cilat vendosin për dëmshpërmblim monetar të të pushuarit nga puna. Këto para u merren shqiptarëve nga buxheti i tyre, nga taksat e qytetarëve shqiptarë.
Numri i të larguarve nga puna përbën rreth 30-40% të gjithë administratës. Këta enden me vendime gjykatash nëpër duar, të cilat ende nuk janë zbatuar. Vetëm për vitin 2015–2016 në Gjykatën Administrative janë regjistruar mbi 5400 raste të reja të largimeve nga puna. 70 milionë dollarë të shpenzuara nga buxheti i shqiptarëve vetëm për dëmshpërblim, tha Grimci.
Gladiola Bardhoshi tregoi se si në katër vite u largua dy herë padrejtësisht nga puna për arsye politike. E reja tha se pasi e larguan për herë të dytë vendosi të shkonte për azil dhe protestën e 18 shkurtit në Tiranë e ndoqi nga përtej kufijve. Pas fjalëve të thëna këtu në këtë çadër dhe shpresës në to, vendosa të kthehem, tha Bardhoshi, vendosa dhe t’i them kryeministrit se ky vend na përket të gjithëve ne.
Qytetarët, të cilët denoncuan pushimin e tyre nga puna padrejtësisht, theksuan edhe faktin se çdo shqiptar që paguan taksa dhe tatime, sot paguan nga dy punonjës për çdo post në administratën shtetërore ku ka pasur parregullsi në largime nga puna. Taksapaguesit shqiptarë paguajnë një herë ushtarin e Rilindjes të vënë në punë për shkak të ngjyrës vjollcë që i ka teseri i partisë dhe një herë dëmshpërblimin që qeveria e Rilindjes i paguan qytetarëve që i ka larguar pa të drejtë nga vendi i punës.
Lulzim Basha i tha qytetarëve se Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë në kohën kur qytetarët brohorisnin për lirinë dhe mirëqenien që nuk kishin, të shtypur nga një diktaturë mizore që shpenzonte 30% të buxhetit të shtetit për të ndërtuar bunkerë.
“1 Maji është dita për të kujtuar se deri ku mund të poshtërohet një popull. Deri ku, mund të poshtërohet, një baba, një nënë para fëmijëve të vet, nga një regjim, i cili ka humbur çdo ndjenjë realiteti, çdo ndjenjë dhembshurie, çdo ndjenjë përgjegjësie, para fateve të popullit të vet.
E shkelën ligjin, duke nxjerrë nga puna mijëra punonjës publikë të trajnuar me lekët e shqiptarëve, të trajnuar me lekët e europianëve dhe amerikanëve, e shkelën ligjin për t’i nxjerrë nga puna dhe sot janë prapë shqiptarët që do të paguajnë nga taksat e tyre 40 milionë deri në 70 milionë euro fatura, për të mbuluar padrejtësitë e Edi Ramës, për të paguar padrejtësitë e tyre, që nga njëra anë nxorën nga puna nëpunësit, duke i lënë në mes të katër rrugëve dhe nga ana tjetër, faturën për këtë paligjësi ia japin shqiptarëve”, tha Basha.
Basha theksoi se kush e harron historinë është i destinuar ta përsërisë. Kjo lëvizje popullore, ky bashkim i madh qytetar, e ka bërë zgjedhjen e saj dhe ftesa ime, ndaj çdo shqiptari të ndershëm, që nuk dëshiron të zvarritet në këtë bulevard si para 27 vitesh, para oligarkisë, krimit dhe pushtetit të inkriminuar të Rilindjes, është të ngrihemi e t’i shporrim, me forcën e bashkimit popullor, deklaroi Basha.
Basha tha se dy instrumentet e diktaturës, propaganda dhe mashtrimi, janë arma e vetme e Kryeministrit, propagandë, e cila e nxjerr edhe më zbuluar realitetin e shqiptarëve.
“Sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas kryeministrit 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite nga zyrat e punës. Pra, afërsisht 80 mijë vetë qenkan futur në punë nga zyrat e punës këto vite. Gënjeshtra më e turpshme, më e pamoralshme, e njeriut që premtoi 300 mijë vende pune e sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik. Ky është fakt.
Fakti tjetër është i botuar nga Banka Botërore, nga Elen Goldshtajn, një mikeshë e kryeministrit, e cila ka firmosur qindra milionë euro kredi, që kryeministri i ka vjedhur, i ka shpërdoruar dhe abuzuar. Raporti shkruan se në gjashtë vitet e fundit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vende pune. Në gjithë Ballkanin Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci, Bosnje. Vetëm në Shqipëri e Bosnje nuk janë krijuar vende pune, por janë humbur vende pune. 2,4%, vende pune më pak në Shqipëri, 5% më pak në Bosnje”.
Ky raport, konfimon atë që çdo shqiptar e di fare mirë, e di; në Shqipëri me Edi Ramën, ekonomia u shkatërrua, vende të reja pune nuk u krijuan, por vendet ekzistuese të punës u asgjësuan nga Rilindja, nga krimi, nga korrupsioni.
Lulzim Basha tha se qeveria me dekrete tenton të fshehë pas fasadave problemet e shqiptarëve.
“Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj. Por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë aspak sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia, jo dekreti. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat. Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset femra, sa është paga e tyre reale, kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë. Ato merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale e shqiptarëve që punojnë 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian”.
Lulzim Basha i tha qytetarëve se e vetmja pengesë e Edi Ramës për të ruajtur pozicionin e tij dhe klientëve të tij, janë zgjedhjet e lira ndaj kërkon t’i kapë ato me çdo kusht.
“Kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën është një betejë ekonomike, është një betejë për burime, është një betejë për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncesionet, mbi pasuritë e shqiptarëve. Ndaj mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar më 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta”, deklaroi Lulzim Basha.

Artikulli paraprakSHBA: Zgjedhjet të garantojnë pjesëmarrjen e opozitës
Artikulli tjetërMe njërën dorë në revani, me tjetrën në bakllava