SHBA e Britania, paqartësi për Sirinë dhe rolin e Rusisë

Patrick Wintour
Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë ditën e dielë se janë duke shqyrtuar mundësinë e implementimit të sanksioneve të reja ekonomike kundër qeverisë siriane dhe mbështetësve të saj në kundërpërgjigje të bombardimeve të vazhdueshme të Alepos, por nuk arritën të gjenin konsensusin politik për të ndërmarrë veprime ushtarake, përfshirë edhe vendosjen e një zone ku nuk lejohen bombardimet.
Në fund të bisedës katër orëshe në Londër ndërmjet vendeve që mbështesin opozitën siriane, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, u detyrua të deklaronte se, “mungon oreksi politik, për ta thënë me fjalë të tjera” ndërmjet vendeve perëndimore për të hyrë në luftë me Sirinë.
Johnson tha se po diskutohet mbi mbështetjen për caktimin e zonës ku nuk lejohen bombardimet, por nuk ka mbështetje për propozimin si nga Shtëpia e Bardhë dhe as Downing Street, për shkak të frikës se kjo mund të sillte një kundërsulm nga Rusia dhe thellim të mëtejshëm të konfliktit. Figura të ndryshme të opozitës siriane po përpiqen të bindin Hillary Clintonin që të mbajë një qëndrim më të egër, nëse bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara muajin tjetër.
John Kerry, sekretari amerikan i Shtetit tha se, Perëndimi do të intensifikojë më shumë sanksionet ekonomike, po nuk ka specifikuar Rusinë si pjesë e tyre. “Po shqyrtojmë sanksione të tjera dhe po sigurohemi që Presidenti Barack Obama të mos heqë asnjë nga opsionet nga tavolina”, tha Kerry. Kuptohet se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një figurë kyçe e sanksioneve të BE-së, është e gatshme të ndërmarrë veprime më të egra, por e ka të vështirë të bindë aleatët e koalicionit të saj.
Johnson tha se Perëndimi po shqyrton propozime të reja po shtoi: “Nuk do të pretendoj se në këto propozime ka ndonjë zgjidhje magjike për luftën e përgjakshme, sepse përgjigjja e vërtetë ndodhet tek ata që janë duke e kryer dhe ata janë regjimi sirian në bashkëpunim me rusët dhe iranianët”.
“Asnjë nga mundësitë nuk është hequr nga tavolina, por nuk ka dyshime se e ashtuquajtura ndërhyrje ushtarake është tmerrësisht e vështirë për t’u arritur. Për ta thënë më thjeshtë, mungon oreksi politik nga shumica e kryeqyteteve europiane dhe në Perëndim për këtë lloj zgjidhjeje për momentin. Kështu, do të na duhet të punojmë me mjetet që kemi për momentin dhe ato janë vetëm mjete diplomatike”.
“Mendoj se arma më e fuqishme që kemi në këto çaste është aftësia jonë për ta bërë Presidentin Vladimir Putin dhe rusët që të ndjejnë pasojat e veprimeve që po kryejnë”, vazhdoi Johnson. Johnson dhe Kerry konfirmuan edhe një herë se, kanë rënë dakord që të nisin një raund të ri sanksionesh ekonomike kundër regjimit sirian dhe mbështetësve të tyre.
Johnson e përshkroi si tepër të rëndësishëm edhe vendimin e Francës për të refuzuar një vizitë të Presidentit Putin në Paris për të diskutuar çështjen e Sirisë, gjë që e detyruan Presidentin rus të tërhiqte vizitën e tij. “Ata po fillojnë të ndjejnë presionin dhe është thelbësore që këtë presion të vazhdojmë ta rrisim”, tha Jonhson.
“Ka shumë masa që jemi duke propozuar të ndërmarrin së bashku me sanksionet e reja mbi regjimin sirian dhe mbështetësve të tyre, masa që do t’i përgjigjeshin krimeve të luftës përpara Gjykatës Kriminale Ndërkombëtare. Këto masa do të arrijnë shumë shpejt të prekin përgjegjësit e krimeve të luftës dhe ata duhet ta mendojnë mirë këtë”.
Johnson tha se është tepër e dyshimtë që qeveria e Assadit dhe aleati i saj Rusia të arrijnë të rimarrin në dorë kontrollin e qytetit të Alepos apo të fitojnë luftën, duke i bërë thirrje Rusisë dhe Iranit që të shfaqin lidershipin e nevojshëm për t’i dhënë fund konfliktit. “Është në dorën e tyre të shfaqin mëshirë për njerëzit e pafajshëm të qytetit dhe të miratojnë një armëpushim”, shtoi Johnson.
Mungesa e ideve të reja ka pak gjasa të arrijë të frenojë Rusinë apo Presidentin sirian, Bashar al-Assad, nga qëllimi i tyre për të vazhduar sulmet kundër qytetit të Alepos. Johnson tha përpara komitetit të zgjedhur të çështjeve të jashtme se sanksionet ekonomike të imponuara kundër Rusisë për shkak të veprimeve agresive në Ukrainë e kanë goditur rëndë, por pranoi se është vështirë të kuptohet nëse ekonomia ruse ka pasur vështirësi për shkak të sanksioneve apo për shkak të rënies së çmimeve të naftës.
Kerry është shfaqur veçanërisht i dobët politikisht duke deklaruar javën e kaluar se kontaktet me Rusinë për çështjen e Sirisë janë duke u prishur për shkak të shkeljes së armëpushimit nga ana e rusëve, por më pas rifilloi të njëjtat bisedime ditën e shtunë në Lausanne së bashku me Turqinë, Iranin, Irakun, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Duket se Rusia e ka përjashtuar Francën dhe Britaninë e Madhe nga këto biseda për të shfaqur publikisht se Grupi i Mbështetjes Ndërkombëtare të Sirisë tashmë është prishur.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakGrindjet rreth rolit të FMN
Artikulli tjetërPutin: Asnjë ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA