Selami: Basha nuk është vonë të dorëhiqet

Në takimet me demokratët e Beratit, Kuçovës, Urës Vajgurore dhe Poliçanit, Eduard Selami është ndeshur me shqetësimin e strukturave për përçarjen e partisë. Por Selami ka theksuar se pikërisht në këto momente vota për të është akti i parë i bashkimit të Partisë Demokratike dhe rikthimit i saj si forcë bashkëkohore.
“Nëse vërtet doni bashkim, më votoni mua dhe të bashkuar jeni. Kjo është një arsye më shumë. Unë shoh një shans real që së bashku të firmosim një kontratë, sepse ky model që ofroi është model bashkëkohor dhe i provuar. Nuk ka asnjë rast në historinë time publike që kam thënë diçka e s’e kam bërë”, tha Selami.
Kandidati për kreun e Partisë Demokratike është shfaqur optimist nga mbështetja që ka marrë në bashkëbisedimet me demokratët, veçanërisht gjatë ditëve të fundit kur ata patën mundësinë ta njohin nga afër Selamin dhe vizionin e tij.
“Dorëheqja do të ishte një veprim që do t’i shërbente atij vetë, por dhe PD. Do i hapte rrugë një procesi të lirë. Prapë nuk është vonë të dorëhiqet, pasi kandidatin përballë e ka shumë të mirë dhe do ta lërë partinë në dorë të mirë dhe të sigurtë”, tha Selami.
Selami tha se Basha është lider i dështuar dhe që braktis premtimet.
“Diferenca më e madhe është mes të thënës dhe të bërës. Kur e dëgjon zotin Basha, thua lum si unë, por kur e sheh në PD thua mjerë si ne. Nuk mund të qahesh, i njeh nga pikëpamja teorike si funksionon një demokraci bashkëkohore. Por 4 vite më vonë jemi më larg se kurrë. Pse? Sepse ai nuk i zbatoi ato që premtoi”, tha Selami.
Selami kërkoi sërish publikimin e listave të anëtarësisë, kjo për t’i dhënë besim garës, ndërsa thotë se një praktikë e tillë ndiqet në forcat politike bashkëkohore si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në partinë CDU të Merkel.
“Hajde ta bëjmë sa më të mirë garën, që listat tona duhet të jenë transparente. Listat e votuesve të PD duhet të bëhen publike. Nuk janë bërë. Ne duhet t’i lëmë qytetarët, votuesit tanë dhe ata që s’janë anëtarë partie ta shikojnë se çfarë po ndodh këtu. Nuk jemi ne parti ilegale. Demokratët janë krenarë që janë pjesë e PD”, u shpreh Selami, i cili gjithashtu i kërkoi kandidatit tjetër për kryetar, Lulzim Bashës, që të pranonte debatin e hapur për mediat dhe qytetarët ashtu siç kishte premtuar në fillim të garës.
“Unë e pata fjalën e zotit Basha që këto do të ishin takime të hapura dhe të ishim të dy përballë jush dhe të shpalosnim platformën tonë dhe t’i bënim pyetje njëri-tjetrit edhe me mediat këtu dhe gjithkush të marrë atë që i takon, ballë për ballë.  Z. Basha iu largua debatit. Unë mendoj që kjo nuk është e drejtë dhe i bëj thirrje se akoma ka kohë. Hajde, prej këtej e tutje t’i bëjmë debatet të hapura përpara kamerave, ta shikojmë se ku kemi gabuar. T’ia them në sy se ku e humbi besimin tim”, tha Selami.
Selami u tha demokratëve se problemi i zotit Basha është se mendon më shumë të ruajë karrigen e tij si kryetar se sa për rimëkëmbjen e demokratëve.
“Në mënyrë fare të natyrshme ngrihet një pyetje: Kush është qëllimi dhe interesi kryesor i z. Basha? Rimëkëmbja e Partisë Demokratike apo mbajtja dhe ruajtja e postit të kryetarit? Kam frikë se është një pyetje që në mënyrë të sinqertë z. Basha nuk i përgjigjet dot”, theksoi ai, ndërsa siguroi demokratët se merr pjesë në këtë garë për t’i ngjallur shpresën dhe për t’u rikthyer më të fuqishëm se asnjëherë më parë.
“Jam këtu për t’ju ngjallur edhe një herë shpresën dhe besimin që së bashku do të rikthehemi fuqishëm, edhe më fuqishëm se sa në kohët tona më të mira. Të gjithë jemi krenarë që në historinë tonë kurrkush nuk ka bërë më shumë se ne. Rrëzuam diktaturën më të egër së bashku me qytetarët shqiptarë dhe e futëm Shqipërinë në rrugën e Europës, në rrugën e shtetit ligjor, në rrugën e lirisë së institucionalizuar dhe në rrugën e demokracisë. Këto janë fakte”, tha Selami.

Artikulli paraprakUKT, 680 milionë lekë dëm buxhetit nga largimet masive nga puna
Artikulli tjetërBetejat që do të ringrenë PD