UKT, 680 milionë lekë dëm buxhetit nga largimet masive nga puna

Kompania publike Ujësjellës-Kanalizime Tiranë është bërë pjesë e një tjetër auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku është konstatuar se vetëm nga largimet e padrejta nga puna në harkun e një viti është shkaktuar një dëm prej 68 milionë lekësh. Kjo vlen vetëm për ato çështje që kanë përfituar të drejtën për dëmshpërblim nga ana e gjykatave, të cilat numërohen në rreth 33 ndërkohë që situata pritet të rëndohet po të kemi parasysh që në gjykim mbeten akoma në vijim 178 çështje.

Ristrukturimi

Në dhjetor të vitit 2015 nga ana e UKT sh.a u mor një iniciativë ristrukturimi për kompaninë, e cila herë pas here ishte akuzuar se kishte punësime militantësh dhe funksione të dubluara. Sipas KLSH, Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve, me Vendimin nr. 25, datë 09.12.2015 ka miratuar ndryshimin e strukturës dhe shkurtimin e numrit të punonjësve nga 1300 punonjës, në 864 punonjës. Pas këtij vendimi në muajin dhjetor të vitit 2015, janë larguar nga puna 436 punonjës, me objekt “zgjidhje e marrëdhënieve të punës për shkak të shkurtimit të vendit të punës apo suprimimit të vendit të punës”, e cila nga UKT SHA, është konsideruar si zgjidhje kolektive e marrëdhënieve të punës, pasi në bazë të nenit 148 të Kodit të Punës, për një periudhë 90 ditore ka pasur mbi 30 pushime nga puna, duke vepruar në kundërshtim me nenet 143 dhe 148 të Kodit të Punës si dhe Vendimit Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 19, datë 15.11.2007.

Proceset gjyqësore

Por reagimi i të larguarve nga puna duket se ka qenë i menjëhershëm dhe rezulton se vetëm gjatë vitit 2016 janë hapur 211 procese gjyqësore me objekt “Dëmshpërblim page” dhe punonjësit kanë marrë nga UKT shumën 46.7 milionë lekë pa vendim gjykate vetëm në bazë të të drejtës që u jep Kodi i Punës. “Ndërkohë që deri në datën 31.03.2017, kanë përfunduar 33 procese gjyqësore në të gjitha shkallët e gjykimit dhe është likuiduar shuma prej 21,407,129 lekë, dhe janë në vazhdim edhe 178 çështje gjyqësore, për të cilat pritet gjykimi nga Gjykata e Apelit, të cilat do të rëndojnë dhe do të japin efekte negative në rezultatin ekonomiko-financiar të UKT. Vlera e detyrimeve gjyqësore të likuiduara nga UKT SHA, për periudhën e auditimit është 68,187,604 lekë, vetëm si pasojë e largimit të punonjësve padrejtësisht nga puna”, vlerëson Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për të parandaluar rëndimin e situatës dhe ekspozimin e financave të UKT ndaj dëmshpërblimeve në rritje, KLSH ka rekomanduar që kompania të ndërpresë praktikat e ristrukturimit dhe ndërhyrjes në organikën e shoqërisë. Kjo pasi deri më tani shumica e çështjeve gjyqësorë që kanë në objekt largimin e padrejtë nga puna kanë rezultuar të humbura për UKT.

Artikulli paraprak300 milionë euro detyrime të fshehura
Artikulli tjetërSelami: Basha nuk është vonë të dorëhiqet