Sa i zhvilluar është projekti bërthamor i Koresë së Veriut?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump paralajmëroi ditën e enjte se një konflikt madhor me Korenë e Veriut mund të jetë në horizont, edhe pse deklaroi se do të preferonte ta zgjidhte situatën në rrugë diplomatike, gjë që e sheh si tepër të vështirë. Teksa fliste për “Reuters” nga Zyra Ovale, Trump përshkroi ato që i konsideron si tensione në ngritje ndërmjet Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm bërthamor që vendi përfaqëson.
“Ka shanse reale që të hyjmë në një konflikt madhor me Korenë e Veriut. Patjetër”, tha presidenti. “Do të na pëlqente shumë ideja ta zgjidhnim situatën në rrugë diplomatike, por kjo është tepër e vështirë”. Trump foli sinqerisht dhe me maturi për liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke thënë se shpresonte që diktatori i ri të vepronte në mënyrë racionale. Presidenti madje u përpoq të shfaqte një lloj dhembshurie për të.
“Ai është vetëm 27 vjeç. I ati i tij vdiq dhe mori në dorë pushtetin. Mund të themi çfarë të duam, por kjo nuk është e thjeshtë, veçanërisht në atë moshë”, shpjegoi Trump. “Nuk jam aspak duke e justifikuar, thjesht dua të them se është diçka shumë e vështirë për t’u bërë. Megjithatë, qoftë apo jo racional lideri i Koresë së Veriut, ne do të na duhet të veprojmë. Shpresoj vërtet të tregohet racional”.
Trump shtoi edhe se ishte i bindur për angazhimin e presidentit kinez, Xi Jinping dhe përpjekjet e tij për të mbajtur nën kontroll Korenë e Veriut. Të dy liderët u takuan në Florida në fillim të muajit për të diskutuar situatën në gadishullin korean. “Unë besoj se po përpiqet të bëjë më të mirën. Ai pa dyshim nuk do të shohë as trazira dhe as viktima të pafajshme”, tha Trump për “Reuters”, duke iu referuar presidentit kinez. “Ai është një politikan dhe njeri shumë i mirë dhe unë pata mundësinë ta njoh. Megjithatë, ai do më shumë Kinën dhe popullin kinez. Jam i sigurt që kërkon të bëjë të pamundurën, por mund të mos ketë mundësi”.
Ndërkohë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kanë përshkruar çështjen e Koresë së Veriut si kërcënim “urgjent” ndaj sigurisë kombëtare dhe si “prioritet kryesor të politikës së jashtme”. Ata thanë se administrata e Trump është fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje ekonomike dhe diplomatike. Ekspertët thonë se veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara mund të çojnë drejt një kundërpërgjigjeje të papritur nga Veriu, gjë që do të shkaktonte viktima të shumta në Japoni dhe Korenë e Jugut.
Trump tha ditën e enjte se kërkon të bashkëpunojë ngushtë me Kinën dhe aleatët e tjerë për të ruajtur paqen në rajon, duke këmbëngulur se nuk do të marrë asnjë vendim drastik pa u konsultuar me ta. “Problemi im është që kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë personale me presidentin Xi”, tha presidenti amerikan. “Këtë e ndjej vërtet dhe me siguri do të kërkoja të flisja fillimisht me të, përpara se të merrja një vendim”.

Sa i zhvilluar është vërtet programi bërthamor?
Projekti bërthamor i Koresë së Veriut kohët e fundit është kthyer në një shqetësim të madh për komunitetin ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen me çdo mënyrë t’i japin fund testimeve dhe vazhdimësisë së programit. Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për ta frenuar atë, Penjani momentalisht vazhdon të zhvillojë teste bërthamore. Pyetja është: a ka vërtet bombë bërthamore Korea e Veriut? Teknikisht, po. Korea e Veriu ka zhvilluar disa testime me bomba bërthamore. Megjithatë, për të lëshuar një sulm bërthamor kundër fqinjëve, ka nevojë të paktën të ndërtojë një kokë bërthamore mjaftueshëm të vogël për t’u futur në raketë. Korea e Veriut nga ana e saj pretendon se i ka zvogëluar me sukses kokat bërthamore për raketa, por kjo mbetet ende për t’u verifikuar dhe disa ekspertë kanë hedhur dyshime për këtë pretendim.

Pluton apo uranium?
Një tjetër pyetje që po mundon ekspertët është se cili është materiali bazë i përdorur për testet bërthamore të zhvilluara deri tani. Analistët besojnë se dy testimet e para kanë qenë me bazë plutoni, por ende është e paqartë nëse është përdorur plutoni edhe për testimet e mëparshme të saj apo kanë zhvilluar edhe uraniumin. Një testim i suksesshëm me uranium të pasuruar do të përbënte një hap domethënës përpara për programin bërthamor të Koresë së Veriut. Burimet e plutonit për Korenë e Veriut nuk janë të shumtë, por nëse arrin të pasurojë aq sa duhet uraniumin, mund të krijojë arsenal të pafund bërthamor. Gjithashtu, pasurimi i plutonit duhet bërë për sasi të mëdha, pra në centrale bërthamore të mëdha dhe lehtësisht të identifikueshme me satelit, ndërsa pasurimi i uraniumit është një aktivitet që mund të zhvillohet më lehtë në fshehtësi.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakMesazhi tjetër nga SHBA
Artikulli tjetërMazhoranca përdor forcën e numrave për Presidentin