Mazhoranca përdor forcën e numrave për Presidentin

“Reuters”

Partia Socialiste e Shqipërisë përdori forcën e numrave në Parlament për të vendosur për zgjedhjen e presidentit në seancën e së premtes, duke e lënë politikën të polarizuar, pas 2 muajsh bojkoti të opozitës.
Presidenti i ri Ilir Meta ka shërbyer dy herë si Kryeministër i socialistëve para se të largohej për të krijuar një parti të re, që në tetë vitet e fundit ka luajtur një rol vendimtar për të dyja partitë kryesore.
Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj e kanë akuzuar kryeministrin Rama si hipokrit, që i dha presidencën një njeriu që dikur e ka akuzuar si “simbol të çdo shkatërrimi të ndodhur në Shqipëri”.
48-vjeçari Meta, pohoi se ishte bojkoti i opozitës që e shtyu atë ta pranonte këtë pozicion. “Ne duhet të përpiqemi të gjejmë konsensus që Shqipëria të mos bëhet si Maqedonia”, u shpreh ai, duke iu referuar protestave të dhunshme në parlamentin e vendit fqinjë të enjten në mbrëmje.
Kushtetuta shqiptare kërkon që presidenti të zgjidhet nga Parlamenti me 3/5 e votave. Meta mori votat e 87 deputetëve dhe dy kundër, duke e kaluar kufirin me dy vota. Opozita, mungesa e së cilës në Kuvend ka stopuar Reformën në Drejtësi që do të ndihmojë Shqipërinë të nisë negociatat me Bashkimin Europian, është duke kërkuar formimin e një qeverie ekspertësh teknikë.
Ajo thotë se, qeveria aktuale është e korruptuar dhe ka vjedhur zgjedhjet e fundit lokale. E vendosur në një çadër pranë ndërtesës së Kryeministrisë, deputetët opozitarë janë duke kërcënuar gjithashtu me protestë në qendër të qytetit në zgjedhjet lokale të Kavajës në 7 maj dhe bojkot parlamentar në zgjedhjet e 18 qershorit.
Meta dhe Rama kanë patur një kohë jo të lehtë bashkëqeverisjeje që nga zgjedhjet e qershorit 2013, me partinë e Metës që në atë kohë ishte duke vepruar si një kritik i ashpër për punën e qeverisë. Analisti Blendi Fevziu tha se, Meta e donte presidencën për të dhënë imazhin e një figure unifikuese tek vendet e ndara anëtare të NATO-s.
“Rama kështu e ka larguar Metën, rivalin e tij për postin kryeministror jashtë skenës dhe aktivitetit politik në 5 vitet e ardhshme. Ai tashmë ka vetëm një rival, liderin e Partisë Demokratike”, shkruan Fevziu.
Në koalicion me ish-Kryeministrin Sali Berisha, Meta u dorëhoq, sepse u akuzua për korrupsion nga Gjykata e Lartë, pasi një nga ministrat e tij e akuzoi për ndërhyrje në tender dhe koncesione. Katër mbështetës të Partisë Socialiste u vranë nga forcat e sigurisë pas një proteste të zhvilluar nga Rama kundër korrupsionit të zhvilluar nga Meta, në janar të vitit 2011.

Artikulli paraprakSa i zhvilluar është projekti bërthamor i Koresë së Veriut?
Artikulli tjetërListat e mazhorancës jashtë afateve në KQZ