Rruga, e vetmja rrugë

Fabian TOPOLLAJ

Diskutimet për rrezikun e degradimit të demokracisë, tingëllojnë patetike vetëm në vendet që janë në zgrip të regjimeve autoritare. Në të gjitha shtetet me demokraci të konsoliduar, diskursi politik e ka në qendër të vëmendjes zbatimin rigoroz të vlerave të këtij sistemi dhe sidomos rolin e popullit në vendimmarrje. Kandidati fitues i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar një hetim për mundësinë e falsifikimit të disa milionë votave në zgjedhjet e shtetit më demokratik të botës, ndërsa në Rusinë putiniste askush nuk reagon as me rastin e burgosjes së kandidatit të vetëm të mbetur të opozitës për të rivalizuar në zgjedhje kastën në pushtet.
Po ne, shqiptarët që krenohemi se përpara 26 vitesh përmbysëm regjimin më të egër diktatorial në Europë, në ç’gjendje i kemi sot të drejtat tona, a kemi arritur gjatë kësaj kohe të forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës apo ndoshta duhet të pyesim veten nëse po rrëshkasim në një formë regjimi autoritar, ku popullit i ka mbetur vetëm titulli, sepse ai nuk lejohet dhe nuk merr më asnjë vendim?
Mjafton të përmendet një fakt i gjithpranuar, siç është rasti i kriminalizimit të menjëhershëm të jetës politike dhe shtetërore në këto 4 vitet e fundit, për të kuptuar se sistemi është deformuar rëndë me problematika që nuk kanë ekzistuar më parë. Si ka mundësi që individë, të cilët njihen nga komunitetet e tyre për trafikantë dhe kryesues të klaneve mafioze në vend, sigurojnë mbështetje të po këtyre komuniteteve dhe promovohen në postet më të larta shtetërore? Ata shfaqen të gjithë menjëherë, zonat e tyre të influencës kthehen në territore të zhvillimit të veprimtarive mafioze, si kultivimi i drogës apo riciklimi i mbetjeve etj., ndërsa të afërm të tyre fitojnë miliona euro nga tendera, koncesione dhe leje të tjera abuzive.
Në këtë situatë, të kërkosh zgjidhje nga ligji dhe autoriteti i shtetit, është njësoj si të shpresosh në ndërgjegjen e vetë këtyre njerëzve, të cilët pasi krijuan një sistem që prodhonte shumë para për pushtet, nuk i investojnë ato para për të ruajtur të drejtat e fituara në mënyrë abuzive, por në emër të një thirrjeje puritane, tërhiqen për t’i hapur rrugë shtetit të së drejtës, themelimi i të cilit do të ndëshkonte së pari ata vetë dhe përfitimet e tyre abuzive. Kjo shpjegon pse ideatorit të kësaj skeme, Edi Ramës, nuk i krijon problem politik ekspozimi publik i Elvis Rroshit apo Arben Ndokës në aktivitete të partisë së tij, që dhe pasi u damkosën publikisht si trafikantë njerëzish dhe droge, përsëri qëndrojnë në krye të Partisë Socialiste të zonave të tyre. Ata janë investimi katër vjeçar i projektit Rama për të krijuar anembanë vendit modele politikanësh që nëpërmjet parave të pista, por dhe të dhënave të tyre personale si njerëz të fortë, sigurojnë me metoda jopolitike pushtetin e pasuesve të ish-nomenklaturës komuniste në Shqipëri.
Një mendje dritëshkurtër do ta zgjidhte problematikën duke ju përgjigjur me të njëjtën monedhë, sipas parimit plumbi del me plumb. Nga njëra anë qëllimi i opozitës është marrja e pushtetit, nga ana tjetër banditët kanë aftësinë për të krijuar kundërshtarë brenda llojit, të cilët janë gjithmonë të gatshëm për të shërbyer në krahun tjetër të politikës dhe kësisoj të rrisin shanset e opozitës. Nëse duhet vlerësuar për diçka lideri i PD në këto 4 vite tejet të vështira për të, është pikërisht se ai kurrë nuk zgjodhi rrugën e shkurtër, që mund t’i përshpejtonte kohën e ardhjes në qeverisje, por përfundimisht do të shkatërronte demokracinë dhe pluralizmin për ta zëvendësuar atë me një sistem bandash që do të luftonin për pushtet.
Në këto kushte, çdo demokraci funksionale ofron të njëjtat mjete për një betejë të suksesshme opozitare dhe triumf të vullnetit popullor mbi atë të një kaste të caktuar njerëzish në pushtet. Informimi dhe sensibilizimi i publikut do të qe garancia e fundit të këtij pushteti dhe mundësisë për ndryshim. Dështimet e qeverisjes janë spektakolare, faktet e inkriminimit të saj janë të kudondodhura, skandalet qeveritare janë më të shpeshta se ditët e perëndisë, por përsëri kjo betejë duket e vështirë. Qeverisja që ka mundësi të blejë gjithçka nuk do të kursehej kur bëhet fjalë për median dhe pronarët e saj. E kësisoj në editoriale dhe analiza gazetareske reformat e dështuara i shiten publikut si ilaçi çudibërës, kanabizimi si një fenomen jo domosdoshmërisht negativ, aferat korruptive serviren si ide novatore dhe kasetat e montuara duan të na bindin se qeveritarët janë pa pushim në krye të detyrës.
Sigurisht që propaganda dhe manipulimi nuk mund të errësojë mendiet e të gjithë votuesve kur tryeza e tyre varfërohet, krimi i kërcënon përditë e më shumë dhe korrupsioni ju merr para djerse sa herë paraqiten në zyrat e shtetit. Vota dhe vullneti i shumicës së votuesve nuk janë vetëm pikënisja e demokracisë, por dhe garancia kryesore se ajo me të vërtetë funksionon. Dhe në këtë rast e gjithë shpresa për ndryshim do të bazohej ditën e zgjedhjeve. Ditën kur populli thirret përpara kutive të votimit që të ushtrojë sovranitetin e tij dhe me forcën e votës të ndëshkojë të keqen për t’i hapur rrugë progresit.
Por ironikisht, sot 4 muaj përpara zgjedhjeve, ndërsa çdokush e pranon se krimi ka kapur shtetin, industritë e mafies kontrollojnë territorin, administrata nuk ofron shërbime publike, por poste pune të një sistemi gjigant që grabit qytetarët, të gjithë jemi koshientë se populli nuk lejohet të flasë me zërin e vullnetit të tij as ditën e zgjedhjeve. Kriminelët në funksione shtetërore dhe fitimet e nxjerra nga droga apo koncesionet qindra milionëshe përdoren në formë investimi për të manipuluar dhe blerë zgjedhjet, si e vetmja mundësi që ky sistem kriminal të sigurojë vazhdimësinë e tij. Pushteti krijon mundësi për shumë para, një pjesë e të cilave shpenzohen për të marrë përsëri pushtet dhe anasjelltas. Një binom ky që ka treguar se funksionon më së miri dhe mund të nënshtrojë dhe votën e qytetarëve. Të gjitha zgjedhjet e organizuara nga qeveria e sotme janë provë e këtij mekanizmi që ka aftësinë të deformojë vullnetin popullor dhe bashkë me të, të gjunjëzojë demokracinë.
E nëse një grup pinjollësh të ish-nomenklaturës komuniste në pushtet, në bashkëpunim me një grup banditësh dhe pronarësh mediash në Shqipëri na qenkan bërë bashkë në fillim të shekullit të 21-të‎, vërtet ja paskan hedhur demokracisë duke ja shterur të gjitha instrumentet që ajo i siguron popullit për të imponuar vullnetin e tij sovran? Sigurisht që jo. Demokracia i ka dhënë popujve të gjitha pushtetet, e bashkë me to dhe të gjitha mjetet demokratike që ata të mund t’i ushtrojnë efektivisht pushtetet e tyre. Ata kanë para e klientë, media dhe propagandë, kriminelë dhe trafiqe, pushtet dhe forcën e tij, por përsëri populli ka të drejtën të marrë vendimet.
Dhe në qoftë se mundësitë e tjera që ofron demokracia kanë shterur, atëherë pa drojë mund të thuhet se ka ardhur dita që qytetarët të ngrihen për të rifituar të drejtat e tyre, të rebelohen dhe të qëndrojnë qoftë dhe fizikisht derisa të bëhen sërish vendimmarrës. Sheshet dhe rrugët kanë mbetur hapësira e vetme e demokracisë në Shqipërinë e sotme, të tjerat janë uzurpuar. Ndaj duhet t’i shfrytëzojmë sa nuk është vonë, për të mos u penduar kur të na i zënë dhe këto hapësira të mbetura lirie.
Lufta e vetme që zhvillojnë popujt e botës moderne është e drejta për të marrë vendime, mundësia për të ushtruar liritë njerëzore dhe garancia për të jetuar në një sistem demokratik. Kjo është lufta në të cilën janë thirrur shqiptarët e sotëm dhe ajo fitohet vetëm nëpërmjet protestave masive, të pandalshme dhe mbarë popullore. Rruga e vetme që i ka mbetur demokracisë shqiptare, është rruga, rrugë tjetër nuk ka.

Artikulli paraprakGjyqtari me 1.7 milionë euro që firmosi lirimin e bandës
Artikulli tjetërProvokimet e një kufome politike