Rritja e borxhit të jashtëm

I gjithë borxhi i jashtëm i ekonomisë së vendit (publik dhe privat) u rrit gjatë vitit 2015 me 702 milionë euro ose 9.2 për qind. Banka e Shqipërisë, duke raportuar për zhvillimin e borxhin të jashtëm bruto, njoftoi se në fund të tremujorit të katërt të vitit 2015 vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 7,630 milionë euro. Vetëm gjatë tremujorit të fundit, stoku i borxhit u rrit me rreth 238 milionë euro, ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të katërt të vitit 2014, stoku është rritur me 702 milionë euro. Autoriteti Qendror Bankar raporton se, rreth 79% e stokut të borxhit të jashtëm është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar. Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 43% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (22%). Sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i qeverisë së përgjithshme. Në fund të periudhës, borxhi i jashtëm i këtij sektori ishte rreth 3,293 milionë euro ose rreth 24% më i lartë ndaj një viti më parë.

Artikulli paraprakZhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro
Artikulli tjetërStatusi i gruas është përkeqësuar nga varfëria, papunësia e inkriminimi