Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro

Programi i qeverisë shqiptare për rimëkëmbje ekonomike mori një goditje tjetër dje (11 prill), pasi Instituti i Statistikave deklaroi se vlerësimi paraprak për rritjen ekonomike 2015 rezulton vetëm 2.6 për qind, nga mbi 3 për qind që pati parashikuar qeveria në janar 2015.
Instituti i Statistikave njoftoi se, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt të vitit 2015 u rrit me 2.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, i ushqyer nga rritja në sektorin e ndërtimit, (konkretisht hidrocentrali i Devollit), ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë patën ecuri të keqe, përfshirë bujqësinë, e cila pësoi rënie neto prej 0.9 për qind.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është aktualisht 10.3 miliardë euro. Ngadalësimi i ritmit të rritjes nga 3, në 2.6 për qind, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, përbën një diferencë prej 40 milionë eurosh më pak.

Parashikimi doli huq
Qeveria shqiptare i kryen planifikimet e veta në bazë të një dokumenti të titulluar “Kuadri Makroekonomik e Fiskal”. Dokumenti i miratuar në janar 2015, parashikonte rritje ekonomike në masën 3 për qind për këtë vit dhe rritje ekonomike 4 për qind për vitin 2016. Por rimëkëmbja ekonomike nuk shkoi siç shpresohet dhe parashikimi i ri i kryer në janar të këtij viti, flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind në vitin 2015 dhe 3.4 për qind në vitin 2016.

Rritje e pashëndetshme
Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara dje tregojnë se, rritja ekonomike e vitit të kaluar është shkaktuar para së gjithash nga sektori i ndërtimit, ku zgjedhjet për pushtetin vendor dhe investimet paraelektorale të qeverisë patën një rol kyç, krahas një projekti masiv ndërtimi në jug të vendit i njohur si Hidrocentrali i Devollit.
Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri u zhvilluan në qershor 2015, dhe u paraprinë nga një fushatë ndryshimesh në fasadat e qendrave të qyteteve kryesore të njohura si Rilindja Urbane. Kjo valë shpenzimesh publike solli një rritje të pazakontë dhe të papritur në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Sektorit të Ndërtimit, i cili u rrit me 25 për qind në tremujorin e dytë dhe me 17 për qind në tremujorin e tretë. Sektori i ndërtimit përfitoi gjithashtu edhe nga hidrocentrali i Devollit, një projekt qindramilionësh aktualisht në ndërtim. Për rrjedhojë, rritja ekonomike, aq e paktë sa qe në vitin 2015, konsiderohet e pashëndetshme për shkak se është e bazuar në ngjarje kalimtare.

Rënia dramatike e bujqësisë
Sektori i bujqësisë pësoi një rënie prej 0.9 për qind gjatë vitit 2015, rënia e parë e këtij sektori në shumë vite. Sipas INSTAT, bujqësia ka shënuar rënie të vazhdueshme për pesë tremujorë radhazi dhe në tremujorin e fundit 2015, rënia ka qenë edhe më e lartë.
Shkaku kryesor i rënies së bujqësisë vlerësohet, se lidhet me përmbytjet masive që përfshinë disa zona të vendit në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, përfshirë dëmet e shkaktuara në Ultësirën Perëndimore nga dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë e Seman.

Marsi mbyllet me 1.8 miliardë lekë më pak në buxhet
Prej vitesh performanca e ulët e pushtetit vendor ka ndikuar negativisht në fondet e buxhetit të shtetit si në të ardhura, ashtu edhe në shpenzime. Referuar të dhënave paraprake të treguesve fiskale të 3 ¬mujorit të parë të vitit, të siguruara ekskluzivisht nga TV SCAN, rezulton, se të ardhurat në muajin Mars kapin vlerën e 92.5 miliardë lekë, nga 94.4 miliardë lekë, ose 1.8 miliardë lekë më pak se ishte planifikimi. Por duke parë këto tregues, vërehet se zëri që ka ndikuar negativisht me një mosrealizim prej 2.3 miliardë lekë është ai i të ardhurave nga pushteti vendor. Për këtë zë ne muajin Mars ishin planifikuar 4.5 miliardë lekë, ndërkohë që janë realizuar vetëm 2.2 miliardë lekë. Gjithashtu me vlera negative janë dhe të ardhurat jo tatimore me 2.3 miliardë lekë më pak dhe të ardhurat nga istitucionet buxhetore me 2.7 miliardë lekë më pak. Por duke parë me kujdës koto tregues, të bie në sy performanca pozitive e administratës fiskale, ku të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë mbi pritshmëritë e qeverisë. Kështu të ardhurat nga tatimet dhe doganat rezultojnë të jenë 66.6 miliardë lekë, nga 64.4 miliardë lekë që ishte plani i fillim vitit për muajin Mars, ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë. Sipas këtyre statistikave, shpenzimet buxhetore gjatë muajit Mars ka vazhduar trendin e dy muajve të parë duke mos u realizuar. Nga 92.9 miliardë lekë që ishte plani, janë realizuar vetëm 82.2 miliardë lekë, ose 10.7 miliardë lekë më pak. Ndërsa në Mars llogaritet një sufiçit buxhetor prej 10.3 miliardë lekë.

Artikulli paraprakGuroret e pakontrolluara kërcënojnë malin e Tomorrit
Artikulli tjetërRritja e borxhit të jashtëm