Rritet qëndresa për zgjedhje të lira nga sheshi i lirisë

Në bashkëbisedimin e djeshëm në sheshin e lirisë u fol me të ftuar, por edhe të rinj e qytetarë të thjeshtë për censurën e fjalës së lirë. Gazetarët Alfred Lela, Alida Tota dhe Basir Çollaku ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën e tyre profesionale, përvojën dhe pasojat personale që kanë pasur në kushtet e presionit qeveritar ndaj medias.
Për Alfred Lelën, sot qeveria është e vetakuzuar. “Ju kujtoj një shprehje të Kryeministrit Rama: punë ka, por nuk ka profesionistë. Tani më lini t’ju prezantoj me një profesionist. Unë jam i tillë dhe jam i papunë”. Por Lela theksoi se qytetarët janë bashkuar në atë shesh, jo për punë po për liri.
Gazetari i kronikës së zezë, Basir Çollaku, i anatemuar pas publikimit të informacionit mbi implikimin e makinës private së ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri në trafik droge, foli për pritshmëritë e protestuesve dhe mundësinë që ajo të prodhojë liri për qytetarët, por edhe për mediat. “Ky organizim është një formë e medias së lirë të munguar tashmë dhe falënderojmë kryetarin e PD Basha për këtë nismë”.
Alida Tota e etiketoi “town hall-in” e mundësuar nga kjo protestë popullore si burimin e mundshëm të rikthimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut. “Ju keni nisur marshin e lirisë dhe një minirevolucion mediatik, të cilit i jeni bashkuar dhe ju (qytetarët). Ka pasur tentativë për ta denigruar dhe lidhur ngushtësisht me politikën këtë lëvizje, e cila realisht është popullore, e sigurisht që do të udhëhiqet nga një lider. Unë kam parë nga afër censurimin dhe një formë të re skllavërimi që i bëhet mediave dhe gazetarëve. Sigurisht që ka lidhje me dinjitetin, por këtu nuk jemi për të luftuar për veten. Ne jemi pushteti i katërt dhe nuk mund të kontrollohemi apo censurohemi nga pushteti i qeverisë”.
Një ndërhyrje spontane ishte ajo e aktores Suela Konjari, e cila u shpreh e nderuar për pjesëmarrjen dhe i kujtoi kujtdo se vrasja e frikës sjell edhe zërin për të kërkuar të drejtat dhe liritë qytetare. “Ndryshe janë emocionet e skenës, këto janë emocione njerëzore të vërteta. Sulmohem prej dy ditësh në portale, blogje, por, për të gjithë strucët që më kërcënojnë me mesazh, dua t’u them: Unë e vrava frikën kur isha 29 vjeç dhe me barkun tek goja pasi isha shtatzënë, shkoja në çdo protestë të Qytetit Studenti”. Me vargjet e poetit Ali Podrimja, aktorja Konjari shprehu përjetimin e saj – “Toka ime digjet në çdo cep të shpirtit tim, ndaj unë jam këtu ndaj jam me ju dhe do të jem me ju”.

Artikulli paraprakEdhe Biba i KQZ në listën e soroistëve
Artikulli tjetërKapet agjenti i Tahirit i infiltruar në sheshin e protestës