Rreziku që i vjen liqenit të Ohrit nga Pogradeci

Liqeni i Ohrit cilësohet si më i vjetri në Europë dhe me një biodiversitet të rrallë që e klasifikon ndër më të veçantët dhe një pasuri për botën.
Ministria e Mjedisit, aktualisht ka nxjerrë për konsultim draftin që lidhet me Planin e Menaxhimit të qytetit të Pogradecit dhe peizazhit të tij për një afat 10-vjeçar 2017-2027.
Një ndër pikat ku vihet theksi janë pikërisht kërcënimet që i kanosen liqenit të Ohrit i klasifikuar si pjesë e Trashëgimisë Botërore. Konkretisht i pari në listë renditet risku i ndotjes së ujit të liqenit dhe burimeve të tij ujore.
Sot ujërat që hyjnë në këtë liqen nuk janë të trajtuara tërësisht, duke e lënë të hapur mundësinë e ndotjes kjo edhe për shkak të sistemeve septike që nuk funksionojnë siç duhet.
Kontaminimi nga aktivitetet përreth cilësohet si një risk tjetër potencial, i lidhur me digën e mbeturinave në Memlisht, rreth 30 mijë tonë mbetje nga aktiviteti minerar si dhe ujërat që rrjedhin nëpër minierat pa aktivitet të kësaj zone dhe që më pas i bashkohen liqenit.
Pogradeci nuk ka një sistem të menaxhimit të mbetjeve, që është edhe ky një risk i shtuar dhe ku një pjesë e mirë mund të përfundojnë në Liqenin e Ohrit.

Zhvillimi Urban
Në dokumentin zyrtar për menaxhimin pohohet se zhvillimi urban pa kriter, me ndërtime ku planifikimi ka munguar kërcënojnë realisht liqenin e Ohrit. Në shumë raste, ndërtimet në buzë të liqenit kanë shfytyruar vijën e tij natyrale. Hotelet sidomos në Tushemisht dhe Pogradec po e transformojnë zonën që po dominohet nga modernia. Ky modernizim po kërcënon formatin me të cilin Pogradeci është promovuar në aspektin turistik, duke e kthyer në diçka të zakonshme.

Degradimi i zonave historike
Risku i tretë që mund t’i kanoset kësaj zone lidhet me neglizhimin e natyrës, zonave turistike dhe siteve arkeologjike të saj. Por mbi të gjitha ekziston risku i menaxhimit të keq. Rasti tipik është fshati Lin, ku shumë nga shtëpitë karakteristike janë në gjendje shumë të dobët dhe kërkojnë restaurim. E njëjta situatë shfaqet edhe me shumë ndërtesa historike të qytetit të Pogradecit që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Një ndër rastet flagrante të grabitjes në Muzeun e Pogradecit ka bërë që të mungojë të paktën gjysma e pasurive që kishte.
Pas paraqitjes së risqeve, plani i menaxhimit jep disa nga ndërhyrjet e nevojshme që duhet të kryhen si dhe masat më emergjente për të ruajtur Pogradecin dhe Liqenin e Ohrit në hartën e Trashëgimisë Botërore.
Plani vendos afate të caktuara për secilën masë që nisin nga viti 2017 dhe mbyllen në 2027, duke synuar që menaxhimi të ruajë natyralitetin dhe traditën e kësaj zone turistike me vlera të rralla.

Artikulli paraprakShqipëria e keqpërgatitur për luftën me flakët
Artikulli tjetërRritja e çmimit të ujit, ERU: Analizë performancës së UKT