Rritja e çmimit të ujit, ERU: Analizë performancës së UKT

Procesi i rritjes së tarifave të ujit në Bashkinë e Tiranës, mund të zgjasë deri në 3 muaj kohë. Këtë fakt e ka bërë të ditur anëtari i Komisionit Kombëtar Rregullator, pranë Entit Rregullator të Ujit, Riza Ajdini. Ai shpjegon se marrja në shqyrtim e kërkesave nis në shtator dhe para marrjes së vendimit, do të bëhet një analizë e hollësishme për performancën e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
“Shqyrtimi i kërkesës për rritjen e tarifave të ujit do të fillojë në muajin shtator. Ne do të bëjmë 3-4 mbledhje për të kryer një analizë të hollësishme për performancën. Sa i takon dokumentacionit, edhe në rast se nuk janë dorëzuar të gjitha, ne e kemi detyrim me ligj që të kërkojmë dokumente shtesë. Pas mbledhjes së parë dhe të dytë, ne bëjmë edhe pyetje shtesë, në këtë rast për Ujësjellës Kanalizime Tiranë, që të na pajis me të dhëna të ndryshme që mungojnë apo që plotësojnë të dhënat e mëparshme. Është një proces i gjatë, që mund të shkojë nga dy deri në tre muaj”, tha Ajdini.
Ndërkohë që Ajdini bën me dije se përsa i përket diferencimit të çmimit për kategori të ndryshme, ai shton se Enti Rregullator i Ujit nuk mund të përcaktojë tarifa të ndryshme, në bazë familjesh, por kjo mund të bëhet vetëm përmes kompensimeve nga bashkia apo qeveria.
“Ne kemi vetëm një çmim uji për të gjitha kategoritë e njerëzve. Çmimi i ujit është një për të gjithë zonën, ose mund të ndryshojë sipas komunave të ndryshme”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakRreziku që i vjen liqenit të Ohrit nga Pogradeci
Artikulli tjetërBanorët e Himarës në protestë, Gjoni: PD do luftojë kundër grabitjes së pronës