Rikthehet afera me Portin e Karpenit, në garë kompani me 7 euro kapital

Porti i Karpenit duhej të ishte një investim 5 miliardë dollarësh sa është thuajse buxheti vjetori i Shqipërisë, por është kthyer në një sagë sa korruptive aq dhe qesharake. Revista “Monitor” ka zbuluar dje kapitalin e kompanive aksionere, të cilat do të kryejnë investimin, pasi do të jepet me koncesion, por rezulton se kapitali i tyre nuk e kalon shumën e parave me të cilat mund të blihet një paketë cigare apo një kafe në Tiranë. Kështu, kompania kryesore është ajo që ka qenë, “Star Bridge Port Development”, (Albania) me kapitalin më të madh, plot 600 lekë të reja të regjistruara, në QKL, më tej është një avokat me emrin Arjan Stajka, që zotëron 5% të aksioneve me kapital 50 lekë të reja dhe një kompani tjetër “GL2 Albania” me 35% të aksioneve, por që ka deklaruar vetëm 350 lekë kapital. E gjithë shuma e deklaruar për ndërtimin e Portit të Karpenit është vetëm 1000 lekë të reja ose 7 euro në total. “Porti i Karpenit, një nga projektet më të lakuara të vitit të kaluar, me një parashikim investimi prej 5 miliardë dollarësh, në një periudhë 5-10 vjet është rikthyer edhe një herë në vëmendje. Kompania ‘Star Bridge Port Developments Limited’, që kishte shprehur edhe interes për atë që u quajt projekti ‘Morgan’, ka vendosur të zyrtarizojë prezencën e saj në Shqipëri dhe kësaj nisme i janë bashkuar edhe aksionerë shqiptarë. Referuar ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton që ‘STAR BRIDGE PORT DEVELOPMENTS (ALBANIA’) të jetë regjistruar në prill 2017, si subjekt shqiptar me administrator Michael George Powder-Kent. Ortakë të saj janë me 5% Arjan Stajka, me 35% ‘GL2 Albania’ dhe 60% ‘Star Bridge Port Developments Limited’. Kapitali i kompanisë, sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB është 1000 lekë apo rreth 7 euro, nga të cilat ‘Star Bridge Port Developments Limited’ me 600 lekë, ‘GL2 Albania’ me 350 lekë dhe Arjan Stajka me 50 lekë. Vitin e kaluar, kur ‘Star Bridge Development Limited’ dorëzoi projektin për zhvillimin e Portit të Karpenit. Ai sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ‘ishte një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjioze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve’. Në atë kohë kompania nuk ishte regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, shkruan “Monitor”.

Ortakët

Ndërkohë më poshtë revista “Monitor” jep dhe shpjegime në lidhje me ortakët. Kompania “GL 2 Albania” është e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2010 dhe operon kryesisht në fushën e konsulencës, projektimit dhe ndërtimit. Disa nga projektet që rezultojnë të njoftuara në faqen e kompanisë janë qendra tregtare “Toptani”, rikonstruksioni i repartit të djegieve në QSUT, Miniera e Kromit në Bulqizë, Qendra amerikane e Biznesit. Aksioneri i vetëm i kompanisë është Milton Alexander Blackstock. Nga ana tjetër ortaku, Arjan Stajka rezulton si aksioner i vetëm në kompaninë “Viki” sh.p.k., që sipas ekstraktit të QKR është regjistruar qysh nga viti 2003. Edhe kjo kompani operon në kryesisht në fushën e ndërtimit, shprehet revista.

Plani për resorte dhe fshatra turistikë

Në fakt Porti i Karpenit sipas projektit të qeverisë duhet të kish filluar punën në dhjetor të vitit 2016, por që kur u prezantua ky projekt u pa me dyshim. Për këtë zonë ekziston dhe një plan zhvillimi turistik, i kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i miratuar që në vitin 2002 dhe bën pjesë në zonat me përparësi turizmi. Projekti përfshin zonat Spille, Karpen, Rreth Greth etj. Madje dhe në lajmërimet që bëjnë fshatarët për shitje tokash në vijën bregdetare në këtë zonë, thuhet pikërisht se toka është e përshtatshme për fshatra turistikë dhe vila dhe me plan urbanistik të miratuar për këtë qëllim. Ja se çfarë thotë një njoftim pikërisht në zonën që do të ngrihet porti: “Shiten 33 dynymë tokë në Kavajë, në plazhin e Karpenit. Toka kufizohet me zonën ranore të bregdetit. Sipas planit urbanistik zona është me projekt dhe ndërtim vila dhe hotele turistike. Toka është e lidhur me rrugë automobilistike. Sipërfaqja 33 000 metra katrorë”. Pra, personi në fjalë shet 3 hektarë tokë, për ndërtim vilash e resortesh pikërisht në vendin e planifikuar për ndërtim porti?! Pra, dhe kjo duhet sqaruar se në këtë rast kemi të bëjmë me dy projekte, i pari që ka të bëjë me ndërtimin e një porti që do të zerë thuajse tërë sipërfaqen e Karpenit dhe tjetri që ka të bëjë me ndërtimin e resorteve turistike në të njëjtin vend?!

Ekonomi: Pronarët do t’i “risistemojmë”

Faktet tregojnë se s’kemi të bëjmë me asnjë ndërtim porti. Rama mund ta ketë projektuar këtë zonë për projektet e veta, ndoshta dhe për t’i bërë dhuratë ndonjë lideri lindor për të cilin ka shprehur afeksion kohët e fundit, por kurrsesi për të ndërtuar një port në këtë vend. Ndoshta po përgatitet dhe një “risistemim” i pronarëve të tokës në këtë vend, pasi siç tha dhe ministrja Ekonomi: “Alternativa e parë është që të negociohet me banorët e zonës dhe ata të sistemohen në godina më të mira sesa ato që kanë aktualisht”. Në rast se Edi Rama kish ndërmend që të ndërtonte port e para duhej të zhbënte planin e parë turistik për zonën, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur, por e vetmja gjë që diskutohet ka qenë sistemimi i banorëve në banesa të tjera, pra të lenë shtëpi e katandi dhe të zhvendosen atje ku u thotë kryeministri. Por dhe në rast se ta zemë ka vendosur të mbajë të dy projektet, kush do të ishte ai njeri që do të pranonte të bënte plazh ose ndërtonte vilën e tij turistike ose fshatin turistik, ose hotelin po të doni në një plazh ngjitur me portin, hekurudhën, depozitat e naftës e gazit siç thotë ministrja se do e bëjë?! Pra, ajo që po ndodh në Karpen, s’është gjë tjetër vetëm se një skemë e denjë për skenarët e mafies ku qeveri të korruptuara, liderë të korruptuar shfrytëzohen nga këto qarqe për të pastruar paratë, ku dy janë mënyrat kryesore. E para, ka të bëjë me importin  e plehrave dhe e dyta, investimi në resorte turistike ku trojet u rrëmbehen njerëzve për hiçgjë, si në rastin e Karpenit.

Berisha: Besnik Sula dhe Olsi mbrapa koncesionarit

Në fakt është ende e paqartë se çfarë do të bëhet me 1700 hektarë tokë, pasi vetë pozicioni që zë Karpeni do të nxirrte jashtë loje Portin e Durrësit. Gjithsesi në gushtin e vitit të kaluar ish-Kryeministri Berisha në një postim të tijin, do të shprehej se pas ndërtimit të këtij porti po fshihet një vjedhje e madhe tokash. Denoncimin e bënte një nga banorët e zonës, i cili shprehej se po kryheshin tjetërsime pronash në masë të madhe, sidomos të tokave pa pronar. “Në këtë zonë është rrethuar me tel një sipërfaqe e madhe toke që dikur i përkiste dy ndërmarrjeve, asaj të peshkimit dhe asaj të kripores, afërsisht nja 1500 ha tokë fushë ngjitur me detin dhe fshatin tonë…! Në këtë zonë të rrethuar me tel nuk mund të futen banorët, më kollaj e thyen kufirin me Greqinë se sa të futesh aty. Ata kanë një legjendë që qarkullon nëpër njerëz se, kjo tokë i përket fëmijëve të tu, gjë që unë nuk e besoj dhe në biseda me njerëzit e bëj këtë debat dhe kam qenë këmbëngulës… Por legjendat e thurura me mjeshtëri shpesh për ca kohë zenë vend…! I shtyrë nga kureshtja kam bërë përpjekjet e mia dhe diçka kam nxjerrë në sipërfaqe…! Këtu janë disa roje banorë të zonës që ruajnë territorin dhe kullosin në to bagëtitë e tyre…! Në një komunikim me njërin prej tyre, konstatova se këta paguhen rregullisht nga një njeri që është afër qoftëlargut Edvin Rama..! Ky është Besniku i Tajvanit…. Suka si e ka mbiemrin…! Pra, koncesionin e kanë së bashku Suka, qoftëlargu Edvin Rama dhe Olsi Rama. Këtu po kryhen edhe transaksione duke u shitur e tjetërsuar toka që kurrë nuk kanë patur pronar, por kanë qenë shtet”, thuhet në denoncimin e ish-kryeministrit.

Artikulli paraprakMan.City 11 milionë euro për Douglas Luiz
Artikulli tjetërJurgen Klopp i gëzohet rikthimit të Coutnho dhe Llallana