Rezzo Schlauch: Qeveria Rama dështoi në thithjen e investitorëve të huaj

 

Politikani gjerman, Rezzo Schlauch, një ekspert në çështjet ekonomike, ka dënuar përpjekjet e dobëta të qeverisë shqiptare dhe të pjesës tjetër të Ballkanit Perëndimor për të përthithur investime të huaja direkte. Gjatë fjalës së tij në “SCAN Economic Forum”, Schlauch ka dhënë edhe vërejtjet e tij për problemet që kanë ngadalësuar progresin e vendeve të Ballkanit drejt integrimit Europian. “Mendoj se procesi politik duhet të mbështetet nga një proces ekonomik dhe në këtë fushë unë mendoj se këtu ka shumë hapësirë të mbetur. Kur shikoj ritmet e investimeve të huaja direkte, Shqipëria është në një nivel të qëndrueshëm prej vitesh por të ulët. Dhe mendoj se kjo është e pamjaftueshme.
Nëse një vend i fuqishëm industrial si Gjermania, zë vetëm 1% të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, në njërën anë ky është problem i Gjermanisë, por jo vetëm. Mendoj se angazhimi i institucioneve shqiptare duhet të punojë në mënyrë më proaktive për të nxitur investimet e huaja direkte, jo vetëm prej Gjermanisë, por edhe prej vendeve të tjera perëndimore.
Është edhe më problematike nëse i shohim këto investime. Ato përqendrohen në tre ose katër projekte, si TAP, si Statkraft, si Bankers Petroleum. Dhe nëse shohim panoramën e madhe, në pikëpamjen time është shumë më pak dhe do të thosha se në këto fusha kam përvojat e mia, sepse kam punuar për qeverinë turke për thithjen e investimeve të huaja direkte nga Gjermania drejt Turqisë dhe përpjekjet e tyre përqendrohen në përthithjen e investimeve të huaja direkte prej mbarë botës. Nuk mund të krahasohen me Shqipërinë, sepse Shqipëria nuk i ka ende ato lloj burimesh për të qenë aktive në këtë fushë, por mendoj se një angazhim më proaktiv do të ishte me vlerë”, tha Schlauch.
Politikani gjerman mbështeti deklaratat e tij edhe me argumente, ndërsa dha disa propozime për zgjidhje konkrete dhe fusha që duhen konsideruar prioritare në përthithjen e investimeve. “Mendoj se është problem për një vend që energjia e importuar vitin e shkuar, sakaq në nivele të larta, u ngrit me 120 milionë dollarë. Dhe mund të thoni që pati një thatësirë atë vit, pasi jeni të varur shumë nga uji. Kjo është e drejtë, por kjo mund të ketë ndodhur edhe vitet e mëparshme prej ndryshimeve klimatike.
Prandaj në këtë fushë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në 40 vitet e fundit nuk ka patur investime madhore në modernizimin e prodhimit të energjisë në nivele të qëndrueshme. Dhe pa furnizm të qëndrueshëm me energji është shumë më e vështirë të jesh tërheqës ndaj investimeve. Konkluzioni im është që edhe pavarësisht shifrave të gjendjes ekonomike në Shqipëri, mendoj se duhet që së bashku, edhe nga ana gjermane, edhe nga ana e BE-së, edhe palës shqiptare, të fuqizojmë dhe forcojmë, të bëjmë më shumë përpjekje për thithur investimet e huaja në tre fusha.
Fusha e parë është turizmi. Fusha e dytë, që nuk është përmendur, por unë mendoj se ka shanse të mëdha është bujqësia. Sepse nëse shohim Spanjën, i cili është një prej furnitorëve më të mëdhenj të fruta-perimeve, Spanja po thahet. Ata nuk kanë më ujë. Aseti i Shqipërisë është uji dhe përmes ujit mund të zhvilloni një sektor bujqësor të fuqishëm. Dhe ju e dini më mirë se unë që cilësia e frutave dhe perimeve është shumë e mirë. Prandaj sipas pikëpamjes sime këtu ka mundësi të mëdha.
Dhe fusha e tretë është teknologjia e informacionit, që në pikëpamjen time, ka burime që mund të mobilizohen. Pra në përfundim, si prej palës gjermane, qoftë prej palës shqiptare, duhet të rrisim përpjekjet për të fuqizuar dhe për të rritur nivelet e investimeve të huaja direkte. Ky është gjithashtu një shteg më i shpejtë drejt Europës”, shtoi Rezzo Schlauch.

Artikulli paraprakGuvernatori Sejko: Korrupsioni pengon ekonominë
Artikulli tjetërTë gjithë në protestë, ekonomia e çdo shqiptari po rrokulliset drejt greminës