Refuzojmë llokmat dhe karriget në pazaret e krimit/Ditët e fundit të Ramës në qeveri. Asnjë pazar me kauzën e zgjedhjeve

Kryetari i opozitës ka shpalosur dje në ditën e 47 të protestës së opozitës një pjesë të planit të Ramës për të kompromentuar dialogun politik, si dhe joshjen që do të tentohet t’i bëhet opozitës me llokma të pushtetit. Basha tha se të gjitha këto do të hidhen në koshin e plehrave dhe nuk do të ketë pazar që do të mund të ngrihet mbi kauzën e protestës dhe lëvizjes popullore për zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike me objektiva të qarta në luftën ndaj bandave dhe drogës.
“Republika e vjetër do të shpresojë që, përmes një dialogu fasadë, të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, në emër jo të interesave të shqiptarëve, por të interesave të kupolës. Me pak fjalë, që Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti”, tha Basha.
Kryetari i opozitës i ka bërë paralajmërime të tilla për të ruajtur kompaktësinë e kauzës së protestës dhe interesave të saj, të cilat do të jenë të palëkundura dhe me besim të plotë tek Basha. Ai është shprehur se projektin do ta shpalosë gjatë orëve të ardhshme, ndonëse nuk ka dhënë detaje të shumta në lidhje me këto oferta.
“Disa prej jush e dinë këtë. Orët në vijim do ta shpalosin këtë para jush. Komploti i republikës së vjetër mbështetet nga autorët e këtij mjerimi dhe komploti ekonomik, që është kryeministri aktual dhe çeta e tij politike, por edhe nga oligarkët që janë mësuar të vjelin miliona jo përmes punës së ndershme po përmes tenderave korruptivë dhe koncesioneve që nuk duan të mbarojnë dhe nga kriminelët që duan të vazhdojnë ta mbjellin Shqipërinë me drogë e ta mbajnë Shqipërinë një pikë kyçe të trafikut të heroinës dhe kokainës. Dhe nga pronarët e mediave të korruptuara, të cilat janë një pjesë e korporatës që përfiton milionat e shqiptarëve duke treguar gënjeshtra nga mëngjesi në darkë. Dhe po ashtu, një grushti avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me paratë e korrupsionit dhe paratë e narkomafias shqiptare”, tha Basha.
Kryetari i PD e ka bërë të qartë se sfida është shumë e fortë se përballë nuk është thjesht dhe vetëm një individ, por një aleancë që kalon kufijtë e mazhorancës, duke u njehsuar me avokatët ndërkombëtarë që paguhen me paratë e drogës tek mediat e kapura nga pushteti dhe tek krimi i organizuar.
“Ky është një rreshtim impresionues. Politikanë me pushtet, oligarkë me miliarda, kriminelë me kobure, pronarë mediash që kanë pothuaj të gjitha ekranet dhe gazetat e Shqipërisë, të gjithë bashkë. Por unë u them se: sot, njësoj si këto 47 ditë dhe më shumë se ditën e parë të kësaj lëvizje, jam po aq i vendosur dhe më i inkurajuar se kurrë, sepse e di që në këtë përballje nuk përfaqësoj as hallin tim, as interesat e mia dhe as interesat politike të ngushta të një partie politike, por përfaqësoj interesat dhe shpresat e gjithë shqiptarëve të ndershëm, të cilët janë forca dhe siguria, të cilët janë bekimi i republikës së re që po vjen.
Ndaj, nëse, do të ketë dialog politik që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, që të vazhdojë komploti politik, që të vazhdojë republika e vjetër, që të vazhdojë mashtrimi, dështimi, vjedhja, papunësia”, tha Basha.
Kreu i opozitës është shprehur vetëm për një dialog të një standardi europian që do të garantojë çlirimin e vendit nga republika e vjetër.
“Por do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme – themeli i gjithçkaje – përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, mban peng shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ky është mandati që ju i keni dhënë opozitës, ky është mandati që i keni dhënë Lulzim Bashës më 18 shkurt.
Dhe ky mandat, do të përfaqësohet me seriozitet, përgjegjësi dhe vendosmëri në çdo dialog politik, nga i cili nuk do të kthehem kurrë me fitore për veten time, me fitore për partinë time, por vetëm me fitoren për Shqipërinë, për shqiptarët, për Republikën e re”, tha Basha.

Republika e vjetër kërkon status quo

Kryetari i opozitës deklaron se në këtë betejë 47-ditore të protestës dhe lëvizjes popullore nga njëra anë dhe pushtetit të krimit nga ana tjetër qëndrojnë dy botë të ndryshme. E para, synon të rrëzojë status quo-në e shndërrimit të Shqipërisë në delen e zezë të Europës për krimin e organizuar, drogës dhe mungesën e demokracisë dhe tjetra ta mbajë atë në këmbë duke pasur sërish pushtet për të vjedhur shqiptarët përmes tenderave dhe koncesioneve.
“Detyra aktuale e republikës së vjetër është të ruajë këtë gjendje, të ruajë dhe të mbrojë me çdo kusht e me çdo çmim këtë status quo. Sepse kjo është status quo-ja, kjo është gjendja që u siguron atyre pushtetin politik dhe përmes pushtetit politik, pasuritë dhe pasurimin e tyre kriminal dhe të jashtëligjshëm që të vazhdojnë të rrisin taksat, të vazhdojnë të vjedhin përmes tenderave që i marrin vetëm oligarkët e lidhur me Edi Ramën, të vazhdojnë të vjedhin përmes koncesioneve fantazmë që janë skemat e marrjes së pikës së fundit të gjakut nga konsumatorët dhe qytetarët shqiptarë.
Që të vazhdojnë të vjedhin e zaptojnë e të grabisin pasuritë publike të Shqipërisë e shqiptarëve, minierat, bregdetin, naftën, gjithçka që duhet dhe mund të prodhonte mirëqenie dhe të mira materiale për shqiptarët, por në fakt nuk i prodhon, sepse i vjedh kupola e republikës së vjetër, kupola e republikës së vjetër nuk do të ndalet para asgjëje që t’i ruajë privilegjet dhe mundësitë për të vazhduar të vjedhë shqiptarët, për të vazhduar t’i trajtojë shqiptarët si një tufë delesh.
Kjo është republika e vjetër. Mos harroni, përballë kemi një kupolë kriminale. Qeveria, qeveritarët, kryeministri Edi Rama janë kriminelë dhe hajdutë, janë përfaqësuesit e republikës së vjetër, janë padronët e republikës së vjetër dhe ata kanë një mision, të mbajnë me çdo kusht pushtetin që të vazhdojnë të vjedhin me çdo kusht Shqipërinë”, tha Basha.

Bashkimi popullor, makthi i Ramës

Përballë një aleance të krimit të organizuar i vetmi rrezik i republikës së vjetër është revolta popullore dhe çadra e protestës. Basha u shpreh se nuk mund të ketë më një teatër me kukulla politike, por vetëm një përballje të fortë me republikën e vjetër. Lëvizja popullore e nisur më 18 shkurt nuk do të ndalet deri në realizimin e plotë të kërkesave që tashmë janë artikuluar nga kryetari i opozitës Basha.
“E vetmja forcë, i vetmi rrezik, e vetmja mundësi për t’u përballur me këtë gjendje aktuale, me këtë republikë të vjetër, me këtë komplot politik dhe ekonomik ndaj gjithsecilit prej shqiptarëve të djathtë e të majtë, e vetmja forcë për t’u përballur, e vetmja forcë që mund ta ndalë, e vetmja forcë që mund ta përmbysë, jeni ju, është bashkimi i qytetarëve shqiptarë.
Ja pse bashkimi popullor i 18 shkurtit dhe protesta non stop në këtë çadër të lirisë është makthi dhe tmerri i Edi Ramës dhe i kupolës së republikës së vjetër. Sepse për herë të parë në këto katër vite shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij.
Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen, kërcënohet pushteti i tyre. Sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk do të hyjë dhe as nuk do të pranojë dhe as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për republikën e vjetër, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar.
Se ne jemi këtu me një zotim për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për republikën e re. Kjo betejë ka ardhur duke u ngritur nga dita në ditë dhe sot e gjithë këtë javë ndodhemi në një javë vendimtare të zhvillimeve”, tha Basha.

Komploti më i rëndë i republikës së vjetër ndaj qytetarëve, është ai ekonomik

Kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me sipërmarrës, përfaqësues shoqatash dhe pronarë biznesesh të falimentuara, për shkak të situatës ekonomike në vend. Ata denoncuan faktin se ndodhen pranë falimentimit për shkak të rritjes së taksave dhe gjobitjeve selektive. Këtë e konfirmoi edhe Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm në Shqipëri duke theksuar se qeveria i trajton bizneset jo si partner, por si kundërshtarë.
Gjatë bisedës shtimi në numër, mbivendosja dhe rritja e taksave u identifikua nga sipërmarrësit e vegjël si problem kryesor. Si shembull, Lefter Troja, ish-pronar i një biznesi të vogël duralumini dha taksën e tabelës, taksën për shkollat e reja, e cila u taksohet si në familje edhe në biznes qytetarëve sot. Bujar Pula, sipërmarrës me pronësi një bar-kafe sot ndodhet pranë falimentimit. Ai theksoi se hapësira publike paguhet 10 herë më shtrenjtë se katër vite më parë.
Nikollaq Neranxi, sipërmarrës dhe kryetar i shoqatës për mbrojtjen e tregtarëve tha se ekonomia shqiptare dhe bizneset sot janë më në rrezik se kurrë. Ai argumentoi se bizneset shpesh gjenden të akuzuar për rritjen e çmimit të produkteve që ofrojnë për konsumatorin, por shkak i kësaj janë rritja e çmimit të shportës për çdo shqiptar. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të TVSH në më të lartin në rajon, taksa mbi ndërtesën dhe shumë të tjera të dyfishuara përgjatë katër viteve të Rilindjes në pushtet.
Kreu i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm për Tiranën, Antonio Likaj, theksoi se fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë me 40%, gjë që ka ulur ndjeshëm xhiron e bizneseve, të cilat sot taksohen edhe më shtrenjtë se dje dhe gjobiten padrejtësisht. Situata bëhet e papërballueshme, sidomos për bizneset e vogla, kur taksidarët vendosin gjoba represive dhe selektive. Rasti i Lefter Trojës me biznes duralumini, ilustroi hallin e sipërmarrësve, të cilët gjobiten padrejtësisht nga shteti. Kreu i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm për Shqipërinë, Albert Nasko denoncoi ato që i quajti “fushata represive të task forcave të shtetit”. Mbi 20 mijë biznese janë mbyllur vetëm në vitin e fundit në Shqipëri, gjë e cila do të thotë se minimalisht 20 mijë të papunë i ka sjellë kjo qeveri Shqipërisë vetëm në një vit.
Kreu demokrat, Lulzim Basha tha se biznesi i vogël dhe i mesëm janë shtylla e ekonomisë shqiptare dhe kolonë punësimi për shqiptarët.
“Biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është shtylla, kolona kurrizore e ekonomisë shqiptare. Mbi 80% e prodhimit shqiptar, e atij që e quajmë Prodhimi i Brendshëm Bruto vjen si rezultat i biznesit të vogël, i sipërmarrjes së vogël dhe natyrisht i fermave dhe i fermerëve shqiptarë. Është pra, jo vetëm kolona e ekonomisë shqiptare, por dhe kolonë e punësimit të shqiptarëve, kolonë e burimit të të ardhurave, të rrogave. Kolonë e mirëqenies, sigurisht në kushtet normale të një ekonomie normale dhe të një shteti funksional. Sa më mirë sipërmarrja aq më mirë ekonomia”.
Zoti Basha tha se nëse pagat dhe pensionet e shqiptarëve nuk rriten, në kushtet e inflacionit, fuqia blerëse e shqiptarëve bie dhe ky është i gjithi rezultat i një komploti të bërë në kurriz të shqiptarëve.
“Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar, nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat. Ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar kokë e këmbë. Por gjendja ekonomike e vendit para së gjithash është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë. Para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik”, tha Basha.
Z. Lulzim Basha theksoi se kupola e Republikës së vjetër nuk do të ndalet përpara asgjëje që t’i ruajë privilegjet e saj, ndaj shqiptarët e bashkuar prej 47 ditësh janë frika e kësaj qeverie.
“Për herë të parë në këto katër vite, shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij. Për herë të parë, interesat e republikës së vjetër kërcënohen sepse kërcënohet pushteti i tyre, sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Ne jemi këtu me një zotim për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për Republikën e re”.
Zoti Basha tha se kjo do të jetë një javë vendimtare për të ardhmen e vendit, gjatë të cilës republika e vjetër do të provojë të mbijetojë. Kryedemokrati ritheksoi vendosmërinë e tij për të mos pranuar pazare politike në emër të pushtetit.
“Republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve në emër jo të interesave të shqiptarëve. Nëse do të ketë dialog politik, që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës, që të vazhdojë komploti ekonomik, politik. Por, do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra  dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Lulzim Basha i premtoi qytetarëve se nga çdo dialog i mundshëm politik për zgjidhjen e krizës do të përfaqësojë kërkesat e popullit me seriozitet dhe nuk do të kthehet kurrë pa siguruar fitoren e kauzës së qytetarëve.

Artikulli paraprakÇadra si simbol i shtëpisë së lirisë
Artikulli tjetërPushojnë nga puna burrë e grua për motive politike dhe i heqin pensionin vjehrrës