Çadra si simbol i shtëpisë së lirisë

Nga Azgan Haklaj

Partia Demokratike dhe ansambli i opozitarizmit shqiptar, të përndjekurit politikë, rinia, intelektualët, veteranët dhe mbarë shqiptarët në të katër anët kanë mbi 7 javë që kanë jetësuar protestën më të gjatë, më madhështore në tërë historinë e shtetit shqiptar. Të vendosur përpara godinës me maskë të qeverisë, simbol të korrupsionit dhe krimit të organizuar e të mafies politike, qytetarët shqiptarë janë të vendosur t’i thonë jo zgjedhjeve të bandës politike në pushtet, baronëve të drogës e të krimit të organizuar, republikës së hashashit e të palmave, t’i thonë boll më, largohu qeverisë së varfërisë që i ka çuar banorët e këtij vendi në kufijtë e mbijetesës. Rama Ik!
Teksa dëgjoja Kryeministrin e vendit z. Rama, të parin dhe të fundit në historinë e Evropës që banon në një bunker-shtëpi të blinduar duke u tallur me çadrën e protestuesve m’u kujtua historia e profetëve dhe e perandorëve, burrështetasve të shquar të historisë së njerëzimit dhe mendova: a ka lexuar ndonjë faqe nga kronikat e lashta e të reja ky zotëri?
Nga profeti Moisi te Aleksandri i Madh, për Pirron apo Kirin, Jul Qezarin apo Gjergj Kastriotin. Në çadra bashkë me shtabet e tyre kanë qëndruar korifejtë që kanë ndryshuar fatet e botës. Aleksandri i Madh, Pirroja i Epirit, Gjergj Kastrioti, Ali Pashë Tepelena para se të hynin në betejë kërcenin bashkë me luftëtarët për t’ua hequr emocionet. Ju e quani tallava atë çadër lirie, ku po përplasen dy botë, e shkuara dhe e ardhmja. E shkuara jeni ju z. Kryeministër, e ardhmja është Republika e re që po lind. E nesërmja e Shqipërisë euroatlanike me një qeveri siç thoshte Abraham Linkolni nga populli, e popullit, për popullin po vjen. Verdikti i sovranit ka vendosur: qeveri teknike me bazë të gjerë politike, zgjedhje të lira dhe të ndershme, Kryeministër Lulzim Basha. PD dhe opozita kanë hyrë në çadër për një betejë e kauzë të shtrenjtë e të shenjtë ta kthejnë çadrën që ju guxoni të talleni z. Kryeministër në një Krujë të dytë.
Mbi bedenat e kësaj kështjelle lirie valëvitet çdo ditë madhështor flamuri i Skënderbeut. Kjo nuk është betejë me shtiza, shpata apo topa, por një betejë e qytetarëve të lirë, të cilët të udhëhequr nga lidershipi i opozitës janë të vendosur në qëndresën e tyre stoike të mbjellin dhe të konsolidojnë institucionin bazë të shtetit të së drejtës, votën e lirë. Kjo betejë do t’i tregojë vendin qeverisë më të korruptuar, më të inkriminuar, më të papërgjegjshme të historisë kombëtare. Shqiptarët do ta shembin republikën e kanabisit, që e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Evropës. Republika e re po lind sipas modelit evropian të qytetarëve të lirë e të barabartë para ligjit. Shteti i së drejtës po vjen, ku njerëzit të jetojnë të sigurtë, me dinjitet e mirëqenie jo të mbajtur peng nga shteti mafioz apo të marrin rrugët e botës nga mjerimi dhe frika e së nesërmes. Ajo, të cilës Rama dhe banda e tij mafioze ia kishin frikën tashmë është realitet i hidhur për qeverinë e drogës dhe trafiqeve, për hajdutët dhe vrasësit me imunitet, për kriminelët e jakave të bardha. Ata po jetojnë orët e fundit në ngrehinën e tyre, shtëpinë e krimit, e cila u projektua 4 vjet më parë më dt. 1 prill. Simbolika e kësaj dite, e cila është e pagëzuar si dita e rrenave tregon qartë e pa ekuivok filozofinë politike e moralin e “rilindjes” mavi të binomit oligarkik, Rama-Meta.
Marrëveshja e turpshme e 1 prillit Rama-Meta tregon qartazi se ata i mban bashkë oktapodi kriminal me bashkautorësi dhe se shtyrja tinëzare për pak më vonë e çertifikimit të kësaj ujdie të re është pazar hipotekor dypalësh për të mbajtur në këmbë njëri-tjetrin. Çadra e protestës së opozitës shqiptare ka hyrë në javën e tetë të saj dhe është shndërruar tashmë në një kala të pamposhtur lirie. Ashtu si Kruja e Shkodra, ashtu si Verduni i Francës e Çana- kalaja e Turqisë në Luftën e Parë Botërore. Dje z. Basha i tregoi mbështetësve të tij qëndrestarë, qeverisë dhe aleatëve ndërkombëtarë se populli shqiptar është i gatshëm të ngrihet në lartësinë dhe dinjitetin e tij kombëtar e historik të mos pranojë asnjë marrëveshje politike që nuk garanton dekriminalizimin e plotë të Parlamentit, qeverisë, institucioneve të shtetit dhe në mënyrë të veçantë të drejtësisë.
Ky aksion i madh politik i PD dhe opozitës që e mbështet nuk ka kthim mbrapa dhe është i destinuar të kurorëzohet me fitore historike për të gjithë shqiptarët. Lulzim Basha ka folur dje jo vetëm me staturën e kryetarit të opozitës dhe të kryeministrit të ardhshëm, por me elokuencën brilante, me vendosmërinë dhe admirimin për protestuesit ka veshur mantelin e lirisë, të ideatorit dhe arkitektit të Republikës së re. 2 prilli është dita në të cilën 26 vjet më parē Shkodra, metropoli i qëndresës, historisë së qytetërimit e demokracisë u skuq me gjakun e Arben Brocit, e të shokëve të tij martirë. Shkodra, emblema e Shqipërisë ua ktheu shpejt përgjigjen kmerëve të kuq, klikës komuniste me fitoren spektakolare më 22 mars 1992 duke e kthyer qytetin krenar të Teutës, Gentit, Balshajve, Bushatllinjve, Mjedës e Gurakuqit, Hodo Sokolit e Kazazëve në bastionin më të fuqishëm antikomunist të Evropës. Sot çdo shqiptar në trojet tona etnike ka të drejtën legjitime të ndihet krenar e të thotë: Nderim e mirënjohje të përjetshme Shkodrës e martirëve të saj.
2 prilli dhe gjaku i derdhur për liri e demokraci është apel e thirrje për vazhdimin e qëndresës. Protesta e gjatë, e vendosur dhe heroike e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave nga të katër anët e vendit ka marrë tashmë përtej politikës një karakter kombëtar. Protesta është e pandalshme dhe e vendosur deri në fitore. Kjo çadër madhështore me të cilën Rama guxon të tallet madje në mënyrë cinike i jep leje opozitës të varë veten, nuk është vendosur rastësisht në sheshin “Nënë Tereza”. Nëse Rama nuk dëgjon zërin e sovranit për t’u larguar e për t’i hapur rrugë një qeverie teknike me bazë të gjerë politike, me mandat kushtetues e kohë të mjaftueshme për të garantuar dekriminalizimin e politikës, të drejtësisë dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëse Rama ka fobi për Shën Terezën e sjelljen tereziste të protestuesve atëherë opozita do t’i drejtohet Sheshit Skënderbej. Rama e di mirë fundin e atyre që u përballën me Gjergj Kastriotin. Kur bien ministrat e qeveritë ngrihen kombet thoshte Napoleon Bonaparti. Rama ik! Hap krah e mos na pengo në rrugën tonë evropiane. Është urdhër i prerë i sovranit.

Artikulli paraprakSi epitaf mbi varrin e konsensusit vullnetmirë
Artikulli tjetërRefuzojmë llokmat dhe karriget në pazaret e krimit/Ditët e fundit të Ramës në qeveri. Asnjë pazar me kauzën e zgjedhjeve