Reagimi i fortë i Presidentit pas protestës: Të gjithë bashkë kundër çdo lloj tendence autokratike

Presidenti bën thirrje për bashkim dhe reagim në Ditën e të Drejtave të Njeriut, që vjen pas protestave të ndodhura dje në Tiranë, si një reagim ndaj vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.

“Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar”, shprehet Ilir Meta.

Kreu i shtetit thotë se është “koha për restart”, ndërsa shton se “së bashku do t’ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë”.

Reagimi

Në një postim në FB, Presidenti shkruan:

“Liri do të thotë epërsi e të drejtave të njeriut kudo. Mbështetja jonë shkon për ata, që luftojnë për të fituar ato të drejta dhe për t’i mbajtur ato. Forca jonë është uniteti i qëllimit të përbashkët. Për atë koncept të lartë nuk mund të ketë fund përveç fitores.”
– FRANKLIN DELANO ROOSEVELT –

Dita e të Drejtave të Njeriut, na kujton sot se lufta për mbrojtjen e tyre është një proces i pandalshëm dhe se ende ka shumë për të bërë për garantimin e plotë të tyre, veçanërisht në kushtet e pandemisë COVID-19, kur nën justifikimin e masave parandaluese janë ligjëruar edhe masa shtrënguese, që në praktikë kufizojnë së tepërmi liritë dhe të drejtat tona.

Megjithë sfidat, që po kalon shoqëria, për asnjë arsye, nuk duhet të lejojmë heqjen dorë nga ushtrimi i plotë i të drejtave themelore, që i garanton Kushtetuta, veçanërisht nga përkushtimi për të garantuar të drejtën e jetës për të gjithë ata të cilët kanë nevojë për kujdesin e domosdoshëm shëndetësor në këto momente të vështira.

Populli shqiptar është zotuar në ligjin themeltar për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror.

Të drejtat dhe liritë themelore nuk janë vetëm koncepte të shkruara në letër. Ato janë të drejta absolute, që kushdo, pa asnjë dallim, ka detyrimin t`i respektojë dhe mbrojë.

Sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të gjithë bashkë, kundër çdo lloj tendence autokratike, që vë në rrezik sistemin demokratik të vlerave dhe të drejtave që duhet të gëzojë çdo shqiptar.

KOHA PËR RESTART!

Së bashku do t’ia dalim se rrugë tjetër nuk mund të ketë!

Artikulli paraprakBerisha: E gjithë Shqipëria në revoltë, Edvin Kristaq Xhelati vazhdon shoppingun, asnjë ngushëllim për familjen
Artikulli tjetërIsh-ambasadori: “Vrasja e të riut dhe futja e armës në shtëpinë e tij nga policia e Ramës është zakon antishqiptar”!