Ranieri u bë trajner vetëm prej shokëve

Futbolli për pak sa nuk e humbi Klaudio Ranierin përpara se ai të niste karrierën e tij si trajner. Gjeniu italian, që tallej nga Murinjo si një humbës serial, ndau shampanjë në fundjavë me gazetarët, të cilëve u ka vendosur nofkën “peshkaqenë”. Por kur ishte pjesë e futbollit amator në jug të Italisë dhe ishte vetëm 38 vjeç, ai për pak sa nuk hoqi dorë i lodhur nga politika, shkarkimet dhe cinizmi i këtij profesioni.
Madje, ai nuk donte as që të bëhej trajner. Ai kishte luajtur në Serinë A te Katanzaro, pasi dështoi të shkëlqente me klubin e zemrës, Roma. “Kur isha te Katanzaro, të gjithë shokët e mi, më të vjetrit, shkuan të ndiqnin kursin e parë të trajnerit dhe më kërkuan edhe mua të shkoja me ta. U thashë që jo, pasi nuk doja të bëhesha trajner. Mirëpo, pas 2-3 vitesh u mendova dhe thashë: ‘Përse jo?’.
Doja të mësoja nëse e kuptoja futbollin. Të gjithë që shohin futboll kujtojnë se e kuptojnë këtë lojë. Por ky është krejtësisht një tjetër profesion. I thashë vetes se, nëse nuk mbërrij në Serinë A brenda 5 viteve, do heq dorë”, tregon Ranieri. Dhe e nisi nga fundi, në kuptimin gjeografik. Lamecia është një qytet me një klub amator në jug të Italisë, pranë lidhëseve të çizmes. Ranieri pati ndikim të menjëhershëm.
Skuadra u rendit e para dhe aty ai u përball me dozën e parë të cinizmit: “Isha në krye pa humbur asnjë ndeshje, por kishte diçka të çuditshme që nuk më pëlqente. Nuk dua t’ua them juve çfarë, kështu që vendosa të largohem”. Një vit më pas shkoi në Serinë C te Puteolana, në periferi të Napolit.
“Viti i dytë nisi pak a shumë njëlloj. Mora një ekip të vogël pa lojtarë. Në një ndeshje nuk kisha as 11 lojtarë dhe startuam me 10. Por diçka e çuditshme ndodhi dhe më shkarkuan. Aty mendova se ky profesion nuk është për mua. Më pëlqen të stërvis, por në futboll ka shumë politikë dhe politika nuk është për mua. Por ata shkarkuan edhe dy trajnerë pas meje, ndryshuan pronarët dhe ata më telefonuan që ta mbyllja unë sezonin.
Skuadra kishte rënë, por lojtarët kishin kërkuar: ‘Duam përsëri Ranierin’. Dhe nga ai moment telefonoi Kaljari nga Seria C, në B dhe në A. Ndodhi ajo që ndodhi dhe unë jam këtu sot”.
Klaudio tregon edhe një episod në aventurën e tij me Çelsin: “Kur Trevor Birç, drejtori im sportiv, më tha se një pronar i pasur po vinte, i thashë: ‘Trevor, ti dhe unë jemi të parët që do shkarkohemi’. Unë e njoh futbollin shumë mirë. Kështu ndodh sa herë ndërrohet pronari. Ai vendos stafin e tij. Dhe Roman donte njerëzit e tij dhe unë nuk isha trajneri i tij”. Humbësi serial sot quhet “Supermeni” dhe “Mbreti Klaudio”.

Artikulli paraprakFabregas i thotë “Jo” milionave nga Kina
Artikulli tjetërMahrez e Kante i premtojnë besnikëri Leicester