Rama blen me mbi 5 milionë euro mediat, para zgjedhjeve

Jo vetëm blerje votash, por edhe mediash. Me një shumë prej 5 milionë eurosh, Rama ka rritur që të blejë pothuajse të gjitha mediat  në vend. Projektligji është gati dhe miratohet në prag të zgjedhjeve, me qëllim përdorimin e të gjitha mediave në favorin e tij. Përmes një ligji të hartuar enkas së fundmi, Rama ka gjetur një pretekst për të mbyllur gojën e mediave, duke u ofruar atyre para. Si objekt po përdoret gjoja pagesa për faturën e dixhitalizimit të mediave në Shqipëri, duke u vënë kështu në dispozicion të operatorëve audiovizivë privatë një fond që i tejkalon 5 milionë euro. Qeveria e cilëson këtë akt si një ndihmë që u ofrohet mediave. Për drejtorin e Autoritetit të Mediave Audivizive (AMA), Gentjan Sala, i cili u emërua në konflikt të plotë interesi në postin që drejton e që gjithashtu është i lidhur në disa afera qindra milionëshe në bashkëpunim me qeverinë, ka vlerësuar të drejtë shpërblimin nga qeveria për pronarët e mediave që kalojnë transmetimin në frekuencat numerike. “Ka një kosto të jashtëzakonshme dhe minimalja do të ishte që shteti t’i ndihmojë. Do t’i paguhet nga shteti 1 vit qeraja tek rrjeti numerik TVSH”, tha Sala. Nën justifikimin e kostove, qeveria vendos ta ndihmojë, privatizon në kurriz të parave publike. Nga ana tjetër duket e çuditshme një lëvizje e tillë pak ditë para zgjedhjeve dhe kur dihet roli i mediave në fushatë zgjedhore.
Aktualisht të gjitha mediat janë rreshtuar në favor të qeverisë, duke mos transmetuar asnjë denoncim, asnjë skandal e asnjë akuzë të ngritur ndaj kryeministrit apo ministrave të tij.
Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, i depozituar në Kuvend më 13 mars 2017 parashikon kompensimin e pjesshëm të kostove shtesë për investimet në teknologji që shoqëruan kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike.
Konkretisht, nga fondi që parashikohet të jetë mbi 5 milionë euro, pjesa më e madhe e parave do të ndahet mes dy televizioneve më të mëdha kombëtarë në vend, ndërsa pjesa tjetër nga operatorët e tjerë, përfshirë këtu edhe mediat lokale.
Sipas projektligjit, 1/5 e fondit do t’u vihet në dispozicion operatorëve ekzistues lokalë/rajonalë, të cilët duhet të paguajnë një tarifë për të transmetuar në rrjetin numerik të RTSH-së apo në rrjetet e tjera të licensuara numerike. 2/5 e fondit parashikohet të mbulojë investimet e shkuara dëm të operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike dhe po kaq pritet të përfitohet nga operatorët privatë historikë kombëtarë-“Top Channel” dhe “TV Klan”. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Audiovizive, 70 operatorë lokalë dhe rajonalë pritet të përfitojnë nga fondi i vënë në dispozicion për të mbuluar një pjesë të kostove të tyre për transmetimin në rrjetet numerike. Ndërkohë, operatorët me eksperiencë në platformat numerike, të cilat pritet të kenë akses në kompensim, sipas të dhënave të AMA janë “Vizion+”, “Digitalb”, “Tring”, “Supersport” dhe “Alsat”. Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend dhe relacionin shoqërues thuhet se ky vendim nuk do të shkaktojë kosto për buxhetin e vitit 2017, pasi do të mbulohet nga dhënia e të drejtave të përdorimit të frekuencave të Dividentit Numerik 1 për kompanitë celulare. Aktualisht, Dividenti Numerik 1 vazhdon të jetë i zaptuar nga operatorët që transmetojnë në analog.  Projektligji i jep të drejtën Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA të administrojë fondet e kompensimit financiar për mediat audiovizive. Pra, i besuari i Ramës në krye të AMA-s do të jetë dhe personi, i cili do të ndajë fondet e parave për çdo televizion privat, publik dhe lokal, duke vulosur përfundimisht rënien e medias së lirë në vend.

A.Shahini

Artikulli paraprakFitimet e sistemit bankar rënie me 41% për 2016
Artikulli tjetërHetimi i PE, Gresle: Afera e Vlahutin dëmton imazhin e BE