Hetimi i PE, Gresle: Afera e Vlahutin dëmton imazhin e BE

Karl-Peter Schwarz

Në mars bëhen tre vjet që Shqipëria është kandidate për në BE, por hapja e negociatave shkon vetëm duke u shtyrë. Një ndër problemet kryesore janë deficitet në shtetin ligjor dhe kapja e institucioneve nga krimi i organizuar.
Problem është edhe korrupsioni në gjyqësor. Në Shqipëri, gjyqtarët dhe prokurorët janë të detyruar të bëjnë publike të ardhurat e tyre. Komisioni i BE ka kritikuar se shkeljet e këtij detyrimi nuk janë ndëshkuar. Në dhjetorin e vitit të shkuar u publikuan të ardhurat e 81 gjyqtarëve të apelit, të cilat u pesëfishuan. Njëri syresh, tregoi se e kishte shtuar pasurinë me 1,5 milionë euro.
Shqipëria është ndër vendet më të varfëra në Europë. E ardhura mesatare vjetore është 3800 euro. Që nga 1 janari, një ligj detyron vlerësimin e përgjithshëm të gjyqësorit. Afro 800 gjykatës e prokurorë duhet të verifikohen për profesionalitetin, integritetin, pavarësinë politike e lidhjet me krimin. Për këtë, qëllim do të formohet një komision me 27 anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi. Veprimtaria e tyre do të mbikëqyret nga vëzhgues ndërkombëtarë. Akti i parë i tyre është përpilimi i një liste të zezë për të penguar që persona të dyshimtë të emërohen në këtë komision. Vëzhguesit udhëhiqen nga Genoveva Ruiz Calavera një funksionare e Komisionit Europian. Shpallja e kësaj procedure shkaktoi dorëheqjen e disa magjistratëve. Konsiderohet se dy të tretat e magjistratëve, gjyqtarë e prokurorë, nuk do ta kalojnë klasën.
Asnjë nga vendet ish-komuniste nuk ka ndërmarrë një reformë kaq radikale, ftesa e vëzhguesve të huaj tregon pafuqinë e vendit për të çliruar drejtësinë nga prangat e korrupsionit dhe instrumentalizmit politik. Megjithëse vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë fuqi ekzekutive, zor se mund të kundërshohen nga instancat shqiptare. Që vlerësimi të mos përdoret politikisht duhet që integriteti i të gjithë atyre që përfshihen në të, të jetë mbi çdo dyshim.
Përfaqësia e BE është me rëndësi pasi bën ndërmjetësuesen ndërmjet vëzhguesve të huaj dhe zyrtarëve të Tiranës.
Pikërisht ambasadorja e BE kroatja Romana Vlahutin është përballuar me një aferë korrupsioni të zbuluar nga mediat shqiptare, në lidhje me vilën pompoze 600 metra katrorë që u mor nga EAD si rezidencë për të. Vila u ble me një çmim prej 1,65 milionë euro në rezidencën ekskluzive, Rolling Hills. Çmim, i cili është dyfish më i shtrenjtë se i tregut të asaj zone.
Ingeborg Gresle (CDU) kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen Buxhetore në Parlamentin Europian po heton blerjen e vilës. Ajo shprehet se rasti në fjalë e ka dëmtuar rëndë imazhin e BE-së.
Opozita shqiptare dyshon për ish-punonjësen e presidentit socialist, Ivo Josipovic të Kroacisë, se ajo po punon nën rrogoz me kryeministrin socialist, Edi Rama për të deformuar Reformën në Drejtësi në favor të Edi Ramës. Në qershor mbahen zgjedhjet në Shqipëri, opozita e ka braktisur Parlamentin me argumentin se zgjedhjet janë në rrezik dhe kërkon një qeveri teknike. Rama në të kundërtën akuzon se opozita kërkon t’i shpëtojë Reformës në Drejtësi e të bllokojë integrimin e vendit në BE (përsa kohë opozita është jashtë Parlamentit Komisioni i Vlerësimit nuk mund të formohet). Konfrontimet janë rritur edhe brenda koalicionit; ministri i Drejtësisë Ylli Manjani duhet të jepte dorëheqjen, kur akuzoi haptazi se socialistët janë mbrojtësit e baronëve të drogës.
Krimi i organizuar dhe droga kanë rrënjë të thella në politikën shqiptare. Përfaqësuesi i OSBE-së, Bernd Borchard deklaroi se më shumë se 2 miliardë euro nga paratë e drogës mund të përdoren për të manipuluar zgjedhjet. Nga ligji i dekriminalizimit janë prekur afro 30 deputetë e të tjerë, së fundmi edhe deputeti socialist Armando Prenga, por suksese të mëdha në luftë kundër krimit të organizuar nuk ka.
Një urdhër arresti ndërkombëtar për Klement Balilin, i cili cilësohet si Eskobari i Ballkanit u injorua nga policia shqiptare derisa ai mundi të fshihej. Nën rrjetën e hetuesve bien vetëm peshqit e vegjël. E çuditshme është që kanabisi nga Shqipëria ka mbytur tregun, ndërsa policia krenare deklaron se ka shkatërruar 99 për qind të territorit të mbjellur me drogë. Vetëm në shkurt policia italiane arriti të kapte shumë tonelata drogë. Prokurori i antimafias italiane, Franko Roberti, deklaroi në Tiranë se prodhimi i kanabisit është trefishuar. Ai do të bashkëpunojë ngushtë me kolegët në Tiranë për të gjetur arsyen.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”

Artikulli paraprakRama blen me mbi 5 milionë euro mediat, para zgjedhjeve
Artikulli tjetërPakti 650 milionë euro me mafien ndërkombëtare