Sa do të jetë rritja e re e taksave dhe tarifave në 2017?

Qeveria ka sinjalizuar një rritje të mëtejshme të tarifave dhe taksave të pushtetit vendor. Gjatë hartimit të projektbuxhetit 2017, Ministria e Financave ka parashikuar që të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2017, parashikohen të jenë rreth 6.2% më të larta se ato të vitit 2016 ose 900 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Sipas Ministrisë së Financave, kjo rritje e të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e reformimit të tarifave të shërbimeve publike, ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta, si dhe krijimit të kadastrës fiskale.
Pas heqjes së taksës mbi biznesit e vogël, politika fiskale e bashkive është deformuar duke rritur jashtë logjike tarifat për shërbimet.
Të ardhurat totale të pushtetit vendor për 9-mujorin e vitit 2016 janë realizuar në rreth 10.6 miliardë lekë, ndërsa për 9-mujorin 2015 janë realizuar rreth 9.4 miliardë lekë, me një rritje të të ardhurave të pushtetit vendor me 1.2 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksa mbi pasurinë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të pushtetit vendor. Për 9-mujorin 2016, kjo taksë është mbledhur në vlerën rreth 4.4 miliardë lekë ose e thënë ndryshe rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se 9-mujori i një viti më parë, e cila arrin në vlerën e rreth 3.2 miliardë lekëve. Parë në këndvështrimin e angazhimit, kjo tregon që për njësitë e vetëqeverisjes vendore, rritja me 40% e mbledhjes së kësaj takse në raport me një vit më parë.
Të ardhurat nga taksa mbi biznesin e vogël kanë një rënie krahasuar me një vit më parë. Paraqitur në vlera konkrete të këtyre të ardhurave për 9-mujorin e vitit 2016, kjo taksë ka siguruar të ardhura rreth 565 milionë lekë, ndryshe nga e njëjta periudhë e një viti më parë, e cila ishte rreth 1.7 miliardë lekë, pra me një diferencë prej afërsisht 1.1 miliardë lekë.
Kjo diferencë vjen si pasojë e ndryshimeve të ndodhura në fundvitin e kaluar lidhur me këtë taksë. Subjektet me një xhiro nga 0-5 milionë lekë xhiro u është hequr detyrimi tatimor, gjithashtu edhe tatimi i thjeshtuar i fitimit mbi biznesin e vogël është ulur me 2.5 pikë përqindjeje.
Të ardhurat nga taksat lokale, të cilat përfshinë pjesën e taksave lokale të vendosura nga secila njësi e vetëqeverisjes vendore, rezultojnë me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Për 9-mujorin e vitit 2016 kjo taksë është mbledhur në shumën rreth 5.7 miliardë lekë, pra rreth 1.1 miliardë.

Do rivendoset TVSH për makineritë e importuara

Përjashtimi i disa produkteve dhe sektorëve nga pagesa e taksave ka nxitur evazionin fiskal. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në analizën që i ka bërë përjashtimeve, ka parë se përfitimet kanë qenë më të gjera se sa përcaktimet ligjore. Për shembull, në kurriz të përjashtimit të TVSH-së për lëndët e para në dogana, janë futur shumë artikuj të tjerë që nuk kanë pasur këtë destinacion.
Qeveria do të vendosë listën dhe shumat e përjashtimeve nga tatimet dhe taksat, të përcaktuar sipas ligjeve fiskale bashkangjitur buxhetit 2017.
Të ardhurat e munguara në buxhet, për shkak të përjashtimeve, janë 9.4 miliardë lekë ose 0.6% e PBB, por ndërkohë qeveria është ende e dyzuar nëse do të eliminojë të gjitha përjashtimet, për shkak se është edhe para një viti elektoral, sipas vlerësimeve në relacionin e projektbuxhetit 2017.
Qeveria e djathtë miratoi një listë të makinerive e pajisjeve që nuk paguanin TVSH, listë e cila u zgjerua nga të majtët. Kjo listë sanksiononte përjashtimin nga TVSH për tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë.
Janë identifikuar në total për TVSH-në, 78 përjashtime, ku ndër këto, 35 janë përjashtime të veprimtarive me interes të përgjithshëm, 41 përjashtime në import dhe 2 përjashtime të tjera.
FMN ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se këto përjashtime ishin një nga arsyet kryesore që po ndikonin në performancën e dobët të të ardhurave të TVSH-së. Edhe për 9-mujorin 2016, të ardhurat nga TVSH ishin 3.9 miliardë lekë më pak se plani dhe mosrealizimi deri në fund të vitit pritet të arrijë në 5 miliardë lekë.
Janë identifikuar 13 përjashtime në të ardhurat personale dhe 10 përjashtime nga tatimi mbi fitimin e korporatës.
Në ligjin mbi akcizën, janë identifikuar 16 përjashtime nga akciza. Në Kodin Doganor, janë identifikuar 34 përjashtime nga taksat doganore.

Artikulli paraprakPse po grabiten ministrat, “çelësi” 2 mijë dollarë që po hap kasafortat
Artikulli tjetërRama, 165 mijë euro për dy udhëtimet me avion çarter