Qeveria rriti borxhin me 78 milionë euro në tre muaj

Borxhi i qeverisë u shtua edhe me 78 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Në fund të muajit mars të vitit 2017, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë arriti rreth 7.96 miliardë euro. Gjatë tremujorit të parë të vitit, stoku i BJB u rrit me rreth 96 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 238 milionë euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 6% dhe në fund të muajit mars 2017, shënon 3.48 mld euro nga 3.29 mld euro që ishte në fund të 2016-s. Detyrimet e qeverisë së përgjithshme prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.
Teprica e huave afatgjata në terma vjetorë është zgjeruar me rreth 207 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 14 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë.
Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësojnë rreth 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, shënoi vlerën 74.3 milionë euro dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse.
Nga këto, rreth 37.4 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 13 milionë euro nga sektorët e tjerë, 21.9 milionë euro nga sistemi bankar dhe 2 milionë euro nga autoriteti monetar.
Shërbimi i borxhit gjatë periudhës në masën 76% ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 24% për shlyerjen e interesave.
Qeveria e përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e parë të vitit 2017, me rreth 24 milionë euro ose 43% të vlerës së përgjithshme të principalit, si dhe peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 13 milionë euro ose 74% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.

Artikulli paraprakINSTAT: Shifrat pse ekonomia është më keq se më 2015
Artikulli tjetërVarfëria, bien shitjet e tregtisë me pakicë