Varfëria, bien shitjet e tregtisë me pakicë

Tregtia me pakicë ka dhënë sinjale ngadalësimi në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë 2017, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 2,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Ngadalësimi ka ardhur nga rënia e volumit të shitjeve në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”.
Ky është niveli më i ulët i rritjes vjetore, i konstatuar të paktën që nga tremujori i parë 2016. Në tremujorin e parë 2016 indeksi i volumit të shitjeve me pakicë ishte rritur me 4.2% me bazë vjetore, në të dytin me 6.7%, në të tretin 6.7% dhe në tremujorin e katërt 2016 kërceu me 8.2%.
Kjo tendencë është në linjë me ecurinë e TVSH-së së brendshme, që ka qenë e dobët, madje edhe negative në muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të mëparshme të publikuara nga Ministria e Financave. Të ardhurat nga TVSH e brendshme për tremujorin e parë u rritën me 4.5% me bazë vjetore, ndërsa në mars zgjerimi vjetor ishte vetëm 0.1%. Në tremujorin e parë 2016, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin rritur me 27.5%.
Sipas INSTAT në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 2%, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është ulur 0,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016. Kjo është hera e parë nga të paktën tremujori i parë 2016, që ky tregues kthehet negativ, duke treguar krizë të konsumit, por duke reflektuar dhe largimin e njerëzve nga vendi.
Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 3,3%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.
Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 3,8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.
Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është ulur 3,5%. Ndikimi i grupeve në tregtinë me pakicë në terma vjetorë indeksi i volumit të shitjeve, në tregtinë me pakicë në tremujorin e parë 2017 është +2,5 %.
Grupet, të cilat kanë ndikuar janë: grupi “Artikuj joushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” +1,2 pikë përqindje; grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” +0,8 pikë përqindje dhe grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” +0,4 pikë përqindje.

Artikulli paraprakQeveria rriti borxhin me 78 milionë euro në tre muaj
Artikulli tjetërGriezmann besnik me Atleticon