Qeveria rriti borxhin me 78 milionë euro në tre muaj

Borxhi i qeverisë u shtua edhe me 78 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Në fund të muajit mars të vitit 2017, Borxhi i Jashtëm Bruto (BJB) i Shqipërisë arriti rreth 7.96 miliardë euro. Gjatë tremujorit të parë të vitit, stoku i BJB u rrit me rreth 96 milionë euro, ndërsa zgjerimi vjetor shënon 238 milionë euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori i qeverisë së përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 6% dhe në fund të muajit mars 2017, shënon 3.48 mld euro nga 3.29 mld euro që ishte në fund të 2016-ës. Detyrimet e qeverisë së përgjithshme prezantohen kryesisht si hua afatgjata, obligacione dhe dëftesa.
Teprica e huave afatgjata në terma vjetorë është zgjeruar me rreth 207 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve ra me 14 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë.
Huatë e qeverisë së përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësojnë rreth 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Shërbimi i borxhit (pagesat e principalit dhe të interesit) për të gjithë sektorët e ekonomisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, shënoi vlerën 74.3 milionë euro dhe ka ardhur në rënie krahasimisht me periudhën paraardhëse.
Nga këto, rreth 37.4 milionë euro u paguan nga qeveria e përgjithshme, 13 milionë euro nga sektorët e tjerë, 21.9 milionë euro nga sistemi bankar dhe 2 milionë euro nga autoriteti monetar.
Shërbimi i borxhit gjatë periudhës në masën 76% ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 24% për shlyerjen e interesave.
Qeveria e përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit për tremujorin e parë të vitit 2017, me rreth 24 milionë euro ose 43% të vlerës së përgjithshme të principalit, si dhe peshën kryesore në shlyerjen e pagesave të interesit, me rreth 13 milionë euro ose 74% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia.

20% e kompanive si kreditor të këqinj në faliment

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Mbikëqyrjes së vitit 2016, kanë bërë të ditur se ka nisur procesi i falimentimit për disa nga 35 kompanitë, që ishin në listën e kreditorëve më të këqij, këto kompani nuk kanë arritur që të kalojnë procesin e ristrukturimit, bënë të ditur ekspertët e bankës. 20% e këtyre kompanive janë për proces falimenti, pra 7 prej tyre. Më herët, Banka e Shqipërisë kishte bërë të ditur se nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve. Më se një vit më parë, Banka e Shqipërisë njoftoi se 35 kompani të mëdha zotëronin rreth 60% të totalit të kredive me probleme në vend. Plani i institucionit monetar qendror për të ulur kreditë e këqija, që arritën nivelin më të lartë në gati 25% në shtator 2014 dhe që qëndruan përgjithësisht mbi 20% në 2015-2016, kishte në fokus pikërisht ristrukturimin e këtyre kompanive problematike. Ristrukturimi i të mëdhenjve është një nga arsyet kryesore që ka çuar në uljen e kredive me probleme (NPL) muajt e fundit, të cilat në fund të muajit prill arritën në 16.5%, nga gati 25% që kishte qenë niveli më i lartë i tyre në shtator 2015.
Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se, procesi i ristrukturimit ka qenë kompleks dhe për këtë arsye, ai është asistuar nga institucioni monetar qendror. Ristrukturimi ka përfshirë zgjatje të afateve të kthimit të huasë, apo ka pasur dhe raste kur bankat kanë marrë pronësinë e aseteve dhe i kanë dhënë ato me qira. Si rrjedhojë, numri i kompanive të mëdha që kanë nivel të lartë të kredive me probleme aktualisht ka zbritur në 25. Ndërsa 11 janë në proces ristrukturimi, siç u përmend më sipër, mbeten edhe 14 të tjera jashtë këtij procesi. Nga këto 14 sipërmarrje, një pjesë nuk kanë më shpresë për arkëtim, ndërsa për të tjera nuk është gjetur zgjidhje dhe për një pjesë të tyre tashmë ka nisur procesi i falimentimit.

Artikulli paraprakSHBA intensifikon luftën ndaj bandës MS-13
Artikulli tjetërKriza, 10 banka tkurrin aktivitetin ekonomik